Mehmet Kraja: Dështimi i drejtësisë në Kosovë ia hapi rrugën Speciales

Aktuale

Mehmet Kraja: Dështimi i drejtësisë në Kosovë ia hapi rrugën Speciales

Më: 1 tetor 2020 Në ora: 22:20
Mehmet Kraja

Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, ka thënë se dështimi i sistemit të drejtësisë në Kosovë ia ka hapur derën formimit të Gjykatës Speciale.

Në emisionin Rubikon, ai ka shtuar se Kosova ka rrezikuar të bëhet në një vend i krimit të pandëshkuar dhe se kjo gjë nuk është lejuar nga ndërkombëtarët.

“Gjykata nuk është e drejtë për Kosovën – kurdo që është marrë vendimi. Nuk është e drejtë sepse në luftën e fundit, Kosova ka qenë viktimë”.

“Problemi është se si u themelua [Gjykata Speciale] dhe në cilin kontekst? Neve nuk na intereson se çfarë ndodhi, por çfarë në pret. Ndodhi ajo që ne e dimë – dështoi sistemi i drejtësisë në Kosovë – ky është formulimi i parë që e ja ka hapur derën Gjykatës Speciale”.

“Tani duhet të them, Kosova rrezikoi që të bëhet një vend i krimit të pandëshkuar. Rrezikoi që të bëhet një vend ku nuk sundon ligji. Kosova nuk kishte vendosur raporte të drejta me drejtësinë”.

“Duke pasur parasysh se Kosova ishte projekt ndërkombëtar, sistemi i drejtësisë nuk dështoi vetëm në raport me shqiptarët, por edhe me serbët”.

“Ka shumë vrima brenda këtij korpuzi mbi të cilat funksionon drejtësia. Ministri aktual u bë ministër sepse refuzoi procesin e vetingut. Në një rrethanë të këtillë ku sistemi i drejtësisë dështon, atëherë çfarë mund të pritnim ne?”.

Kraja ka theksuar se është e papranueshme që Serbia nuk i ndëshkon kriminelet që janë identifikuar.

“Nuk dyshoj që ka padrejtësi, Gjykata Speciale është e padrejtë sepse ne ishim viktimë në luftë”.

“Gjykata Speciale si e tillë, pavarësisht nga kundërshtimet që mund t’i ketë, ajo do të funksionojë. Ne nuk mund të krijojmë një ide se Kosova nuk e do drejtësinë sepse kjo ide ka filluar të marrë një shtrirje brenda dhe jashtë”.

“Unë mendoj se Gjykata Speciale nuk e cenon luftën e UÇK-së në asnjë pikë të sajën”.

“Nëse ka pasur individë që kanë bërë krime, atëherë ata le të ndëshkohen. Krimi është individual, nuk ka ndëshkim kolektiv. Kosova ishte projekt ndërkombëtar dhe kjo bashkësi nuk mund të lejonte që ky investim të dështonte”.

“Gjykata Speciale e ka qëllim që ta pastrojë Kosovën nga një barrë të cilën s’ka pse ta mbajë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat