Tomë Gashi tregon nëse do të publikojë OVL-UÇK-së materiale me CD të Speciales

Aktuale

Tomë Gashi tregon nëse do të publikojë OVL-UÇK-së materiale me CD të Speciales

Më: 12 tetor 2020 Në ora: 20:53
Tomë Gashi

Krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, janë arrestuar për shkak të publikimit të dokumenteve të Gjykatës Speciale.

Për tre herë me radhë, në zyrat e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), persona të panjohur kishin dorëzuar dokumente voluminoze që i përkisnin Gjykatës Speciale.

E pikërisht për shkak të publikimit të tyre ishin arrestuar edhe krerët e kësaj organizate, kryetari Hysni Gucati dhe nënkryetari, Nasim Haradinaj.

Por në publikimin e fundit të këtyre dokumenteve dhe në ditën e arrestimit të tyre, ishte paralajmëruar që do të publikohen edhe dokumente të tjera që do të silleshin në zyrat e OVL-UÇK-së, e madje ishte thënë se do të publikoheshin edhe materiale me CD.

Avokati i OVL-UÇK-së, Tomë Gashi, ka thënë se publikimi ose jo i dokumenteve të tilla është çështje e këshillit drejtues të organizatës.

“Sa i përket dokumenteve qe eventualisht dikush mund t’i sjellë në OVL të UÇK-së, se a do të publikohen ato apo jo, kjo varet krejtësisht nga Këshilli drejtues i OVL-së së UÇK-së se çfarë qëndrimi do të marrë pas arrestimeve që kanë ndodhur të krerëve të OVL-UÇK-së. Unë jam avokat i OVL-UÇK-së, por unë merrem vetëm me çështje për mbrojtje-përflesim juridik të organizatës, por roli im nuk është që të këshilloj Këshillin drejtues të Veteranëve të UÇK-së se si ata të veprojnë në situata hipotetike. Kjo është krejtësisht çështje e OVL- UÇK- së dhe nuk ka të bëj fare me mua si avokat i tyre”, ka thënë Gashi.

Sipas Gashit, nuk ka asnjë dyshim që materialet që janë sjell në të kaluarën në zyrat e organizatës i kanë takuar Gjykatës Speciale, pasi që sipas tij, për këtë edhe janë arrestuar Gucati e Haradinaj.

Mirëpo Gashi beson se në këtë proces janë të përfshirë edhe institucionet serbe dhe thotë se është e dhimbshme që përmes këtyre dokumenteve është vërtetuar që edhe autoritetet serbe janë të përfshira në Gjykatën Speciale dhe se një gjë e tillë është jashtëzakonisht e dëmshme për çdo pjesëtar të UÇK-së.

“Tanimë përfundimisht nuk besoj që më ka dilema që dokumentet që në tri raste persona të paidentifikuar, të cilët OVL e UÇK nuk i njeh se kush janë, e të cilët nuk i ka njohur as z.Haradinaj dhe as z.Gucati, dokumentet që i kanë sjellë janë të Gjykatës Speciale apo të Prokurorisë Speciale në Hagë ( Dhomat e Specializuara apo Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë) janë të këtyre institucioneve, pra të Gjykatës Speciale. Po të mos ishte kështu, hetuesit në tri raste nuk do ti merrnin dokumentet në OVL të UÇK -së dhe nuk do të arrestohej fare z.Haradinaj dhe z.Gucati. Me këto dokumente përfundimisht është vërtetuar bashkëpunimi i institucioneve të Serbisë siç janë: Policia e Serbisë dhe Prokuroria për krime të luftës e Serbisë, gjë që është jashtëzakonisht e dëmshme për secilin pjesëtarë të UÇK-së që do të akuzohet në Gjykatën Speciale, e cila është jashtëzakonisht dëmshme për kombin shqiptar”, theksoi Gashi.

Theksojmë se më 25 shtator ishin arrestuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, për publikimin e dokumenteve të Gjykatës Speciale, të cilat u sollën në zyrat e OVL-UÇK-së nga persona të panjohur.

Deri më tani Gucati e Haradinaj janë paraqitur para prokurorisë në Hagë në seanca dëgjimore mirëpo mbrojtësit e tyre kanë kërkuar që të lirohen me kusht dhe jo të qëndrojnë në paraburgim deri në momentin kur do të merret një vendim rreth ngritjes së aktakuzës. Ndërkaq Zyra e Prokurorit të specializuar ka thënë se ndaj Gucatit e Haradinajt do të ngrihet shumë shpejt aktakuzë, madje në rastin e Gucatit është thënë që brenda 30 ditësh, që i bie në fund të muajit tetor dhe në ditët e para të muajit nëntor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat