Pacolli pohon se në Vetëvendosje, Lajçaku nuk ka folur për Asociacionin

Aktuale

Pacolli pohon se në Vetëvendosje, Lajçaku nuk ka folur për Asociacionin

Më: 17 tetor 2020 Në ora: 00:34
Fitore Pacolli

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, thotë se i Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, nuk e ka diskutuar me këtë parti temën e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“E kemi dhënë edhe deklaratën nga Lëvizja Vetëvendosja pas takimit që zhvilluam me z.Lajçak. Është me rëndësi të theksohet se Lajçaku e ka diskutuar çështjen e Asociacionit vetëm me partitë politike me të cilat kanë qenë pjesë e Marrëveshjes në vitin 2013. Në Lëvizjen Vetëvendosje është diskutuar në përgjithësi për procesin zgjedhor brenda Lëvizjes që po ndodh, për alternativën qeverisëse të lëvizjes dhe pesë shtyllat ku edhe jemi duke punuar dhe së shpejti i bëjmë publike, dhe për dialogun në tërësi, si proces. Nuk ka qenë në temë Asociacioni dhe nuk ka pasur temë diskutimi se duhet të ndryshojë Kushtetuta”, tha deputetja Pacolli në Interaktiv të KTV-së.

Sipas deputetet së Vetëvendosjes, edhe Lajçaku e di qëndrimin e kësaj partie prandaj as që e ka diskutuar.

“Ne kemi thënë se nuk kemi diskutuar për Asociacionin, nuk jemi pajtuar për një gjë të tillë. Njëjtë ka bërë edhe kryeparlamentarja Vjosa Osmani. Ndoshta janë pajtuar partitë të cilat janë pjesë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje që është tejet e dëmshme për Kosovën, por nuk ka pasur pajtim në Lëvizjen Vetëvendosje. Ne jemi të vetëdijshëm, edhe z.Lajçak është i vetëdijshëm dhe nuk e ka hapur këtë temë sepse LVV-ja ka qenë e qartë në qëndrimet e veta. E kemi dëshmuar dhe nuk i ndryshojmë qëndrimet”, tha deputetja Fitore Pacolli.

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka deklaruar në Beograd se në të gjitha takimet që ka pasur në Prishtinë, i është thënë se Kosova do të implementojë të gjitha obligimet që i ka marrë përsipër, duke përfshirë këtu edhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Qëndrimi ynë është se ne jemi duke negociuar aq procese serioze që është e logjikshme që do të duhet të ndryshojë edhe Kushtetuta", ishte shprehur Lajçaku.

Formimi i Asociacionit është paraparë me një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Bruksel, në vitin 2013, kur kryeministër ishte Hashim Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat