Ky është vendimi i Gjykatës së Apelit për Haki Rugovën

Aktuale

Ky është vendimi i Gjykatës së Apelit për Haki Rugovën

Më: 20 tetor 2020 Në ora: 15:22
Haki Rugova

Gjykata e Apelit ka vendosur lidhur me ankesat e avokatëve mbrojtës, kundër caktimit të masës së arrestit shtëpiak ndaj të pandehurve, kryetarit të Istogut, Haki Rugova dhe ish nënkryetarit të kësaj komune, Lulzim Blakaj.

Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Pejë, i datës 11 tetor 2020, është ndryshuar. Të pandehurve u është caktuar masa e ndalimit për t’iu afruar vendit, apo personit të caktuar.

Konkretisht atyre u është ndaluar që t’i afrohen një dëshmitari, në distancë më të afërt se 100 metra, e po ashtu iu është ndaluar çdo komunikim më të, në kohëzgjatje prej një muaji. Më këtë aktvendim të pandehurve u bëhet me dije se në rast se e shkelin këtë masë, gjykata mund të urdhëroj paraburgimin.

Gjykata e Apelit vlerësoi se edhe me këtë masë mund të arrihet qëllimi për të cilin është caktuar masa e arrestit shtëpiak, prandaj edhe vendosi konform dispozitave te nenit 177 par. 1, nën par.1.2 dhe 1.3 të Kodit të Procedurës Penale.

Gjykata konsideron se nisur nga pesha e veprave penale, mënyra, rrethanat dhe koha në të cilën dyshohen të jenë kryer ato, masa e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit, është masë e mjaftueshme, për të zvogëluar rrezikun që të pandehurit të ndikojnë në prova ose dëshmitarë, apo edhe të kryejnë ndonjë vepër tjetër penale.

H.R. po dyshohet nga ana e prokurorisë për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Konflikt i interesit” , “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar” .

Ndërsa L.B. për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar.” Të gjitha këto të dënueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat