Hoti amnistoi të korruptuarit, shuarja e departamentit Antikorrupsion tendencë për shtrirje të pushtetit

Aktuale

Hoti amnistoi të korruptuarit, shuarja e departamentit Antikorrupsion tendencë për shtrirje të pushtetit

Më: 20 tetor 2020 Në ora: 15:37
Ilustrim

Shuarja e Departamentit Special Antikorrupsion në kuadër të Policisë së Kosovës nga ana e Qeverisë, po shihet si vendim për të pamundësuar trajtimin e rasteve të profilit të lartë që ky njësit ishte duke i hetuar.

Në arsyetimin e tij për shuarjen e kësaj Task-Force kryeministri i vendit Avdullah Hoti, ka thënë se bëhet ndarja e pushtetit, por me këtë vendim nuk u pajtuar ministri i Drejtësisë Selim Selimi, i cili kërkoi që të bëhet një planifikim më i mirë në bazë të rishikimit funksional dhe të mos dëmtohen disa raste të profilit të lartë që janë pjesë e Task-Forcës.

Organizata të Shoqërisë Civile që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë, thonë se arsye për shuarjen e kësaj Task-Force është pikërisht pengimi i disa rasteve që kanë qenë duke u trajtuar nga ky njësit, e që për trajtim ka zyrtarë të partive në pushtet.

Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë për KosovaPress se me shuarjen e kësaj Task-Force kanë fituar bashkëpartiakët e kryeministrit Hoti, por që thotë se për shtetin e së drejtës ka qenë një ndër vendimet më skandaloze.

Miftaraj: Për bashkëpartiakët e z.Hoti ka qenë një fitore e madhe

“Për LDK-në, për bashkëpartiakët e z.Hoti ka qenë një fitore e madhe, për shtetin e së drejtës, për sundimin e ligjit dje ka qenë një ndër vendimet më skandaloze. Për ta përmbyllur këtë vendimi i qeverisë dje hyn edhe në sferën penale, sigurisht që me një sistem të drejtësisë aktual, me një sistem prokurorial të kapur nuk mund të themi që do të ketë një reagim. Kryeministri dje ka konsumuar lirisht mund të themi tri vepra penale, vepër penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare, konfliktit të interesit dhe pengimit të administrimit të drejtësisë. Sepse me shuarjen e kësaj Task-Force një numër shumë i madh i rasteve të cilat janë në punë, të cilat kanë qenë të trajtuara nga kjo Task-Forcë nuk dihet se çka do të ndodh me to, nuk dihet se këta 30 zyrtarët policorë ku do të shkojnë sot dhe çfarë pune do të bëjnë dhe ku ky numër i madh i rasteve përfshihen bashkëpartiakë të z.Hoti përmes shfuqizimit të kësaj Task-Forcës ia ka bërë të pamundur një farë mënyre që t’i kryejë rastet që i ka në punë”, thotë ai.

Miftaraj thotë se shuarja e kësaj Task-Force erdhi në kohën kur sipas informatave të tyre pritej të bëheshin arrestime ndaj zyrtarëve të LDK-së, por edhe të partive të tjera.

Miftaraj: Këtë javë ka mundur tw ndoarrestimet ndaj bashkëpartiakëve të lartë të z.Hoti

“Qëllimi kryesor i kësaj qeverie ka qenë shkatërrimi i rasteve që janë në proces dhe po flasim për dhjetëra raste në proces ku ka të akuzuar ministra, ka të akuzuar bashkëpartiakë të z.Hoti, bashkëpartiakë të AAK-së po edhe një numër të madh të PDK-së. kështu që, ky vendim unë e shoh si një ndër vendimet që kanë qenë normale për Amerikën latine në vitet 80 dhe 90 ku ka pasur mungesë totale të sundimit të ligjit ku narkodilerët kanë ndërruar qeveri, kanë rrëzuar task-forca, kanë vrarë gjyqtarë dhe prokurorë, po z.Hoti dje nuk vrau gjyqtarë dhe prokurorë por e vra në një farë mënyre e shkatërroj një mekanizëm i cili është kompetent dhe ka qenë në fazën e hetimit dhe sipas informatave tona këtë javë apo javën e ardhshme ka pasur të bëjnë edhe arrestimet ndaj bashkëpartiakëve të lartë të z.Hoti”, thotë ai.

Shfuqizimi i kësaj Task-Forcës pa një arsyetim, Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, po shihet si tendencë për shtrirje të pushtetit të Qeverisë në proceset hetimore të rasteve të korrupsionit të lartë.

Hoxha: Tendencë për shtrirjen e pushtetit të Qeverisë

“Pa paragjykuar përformancën që kjo Tas-Forcë ka pasur në realizimin e kompetencave të saj, meqenëse GLPS nuk e ka monitoruar punën e saj, ne si GLPS konsiderojmë që çfarëdo vendimi i Qeverisë për të shfuqizuar ose për të shuar një Task-Forcë ose mekanizëm të tillë, i cili nuk është i arsyetuar mirë dhe një arsyetim i tillë nuk është publik, atëherë është vendim i cili mund të konsiderohet si tendencë për shtrirjen e pushtetit të Qeverisë dhe ndikimi në proceset hetimore të rasteve të korrupsionit të lartë dhe krimit të organizuar...Ne në GLPS konsiderojmë që edhe shuarja e kësaj Task-Force si vendim që erdhi radhazi pas vendimeve të njëpasnjëshme për shkarkimin e krerëve të institucioneve kyçe në zhvillimin e hetimeve të krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë. Do të thotë është vendim i cili nuk është arsyetuar dhe nuk është dhënë një bazë në të cilin do të duhej të arsyetohej një vendim i tillë”, thotë ajo.

Ajo thotë se shuarja e kësaj Task-Force në kohën kur puna e saj u lavdërua në raportin e BE-së për vitin 2020 dhe nga EULEX-i, lë të kuptohet se si vendim ka prapavijë politike.

Hoxha: Lë hapësirë për të dyshuar që ka prapavijë edhe politike

“Shuarja e këtij njësiti rrjedhimisht në të njëjtën ditë dhe njëkohësisht pa arsyetime të qarta për t’i kundërshtuar këto argumente që janë ofruar nga këto raporte, lë hapësirë për të dyshuar që ka prapavijë edhe politike dhe që një praktikë e tillë që secili koalicion qeverisës ose parti politike që vije në qeverisje po krijon praktika të tilla që në momentin që një institucion nuk i shkon për shtati ose nuk i përgjigjet interesave partiake të asaj partie po fillojnë me shkarkime të ndryshme”, thotë Hoxha.

Në mbledhjen e djeshme të Qeverisë, kryeministri i Kosovës një vendim të tillë e arsyetoj duke thënë se bëhet ndarja e pushteteve.

Hoti: Të gjitha institucionet e rendit dhe të ligjit të punojnë në përputhje me ligjet në fuqi

“Ky është vendim i vitit 2010, i 26.02.2010 ku parashihen obligimet që Qeveria i ka krijuar për prokurorinë Speciale, për EULEX-in që në fakt është ndarja e pushteteve. Pra, qeveria nuk merr vendime për të kërkuar nga Prokuroria Speciale se si organizohet, Prokuroria Speciale dhe gjitha trupat tjera të organeve të rendit dhe të ligjit, të drejtësisë, organizohen në përputhje me ligjet që ato kanë, kjo është e para. E dyta, kur është marrë vendimi dhe tash në 2020 mandati i EULEX-it ka ndërruar plotësisht në atë që ka qenë më përpara. Unë besoj që ky vendim veç hap rrugë që të gjitha institucionet e rendit dhe të ligjit të punojnë në përputhje me ligjet përkatëse që janë në fuqi. Nëse ju e shihni të nevojshme si ministër i Drejtësisë për riorganizim të kësaj bashkë me Ministrinë e Punëve të Brendshme uluni diskutoni dhe silleni në qeveri një vendim tjetër menjëherë javën tjetër se si duhet të organizohet kjo çështje. Por, për ndryshe unë besoj që janë ligjet përkatëse që e përcaktojnë se si duhet të organizohen të gjitha institucionet e rendit dhe të ligjit, dhe detyrimet që ka kushtetuese dhe ligjore MPB dhe krejt Qeveria për t’i mbështetur organet e sundimit të ligjit”, tha ai.

Ky njësit vitin e kaluar kishte dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale kundër kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, që vije nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Po ashtu, kjo Task-Forcë ishte marrë me hetimet në rastin “Pronto”, që ka përfunduar me aktakuzë ndaj ish -kryetarit të Gjilanit, Qemajl Mustafa nga PDK, rastin penal që ka përfunduar me aktakuzë kundër ish-kryetarit të Klinës Sokol Bashota, rastin e njohur si KEK-u ku i akuzuar ishte Sami Lushtaku i PDK-së.

Punën e kësaj Task-Force e ka lavdëruar vetëm disa orë para shuarjes EULEX-i, që ka publikuar një raport dhe ka kërkuar fuqizim të saj. Edhe Raporti i BE-së për vitin 2020 kishte vlerësim pozitiv për këtë Task-Forcë.

Departamenti Special Anti-Korrupsion (DSAK) apo e ashtuquajtur “Task Forca Anti-Korrupsion” ka qenë pjesë Policisë së Kosovës e cila ka vepruar si njësi e specializuar në kuadër të Departamentit të Hetimeve dhe është mbikëqyrur nga Prokuroria Speciale e Kosovës. ajo është themeluar me 26 shkurt të vitit 2010 dhe përbërë nga 30 hetues policorë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat