“Çka është tregu”? A e ke ftu me e shti në provim për ekonomi?”: Si u përplasën PDK e ish-ministri Beqaj me Vetëvendosjen

Aktuale

“Çka është tregu”? A e ke ftu me e shti në provim për ekonomi?”: Si u përplasën PDK e ish-ministri Beqaj me Vetëvendosjen

Më: 20 tetor 2020 Në ora: 15:40
Besim Beqaj

Ish-ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ka raportuar në Komisionin Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë.

Por raportimi i tij ka shkaktuar përplasje mes deputetëve të Vetëvendosjes dhe PDK-së.

E gjitha ka nisur pasi që deputeti i VV-së, Hekuran Murati e pyeti ish-ministrin Beqaj se “çka quajmë treg”, pasi ky i fundit disa here përsëriti se është për privatizimin e aseteve shtetërore, duke e përmendur ekonominë e lirë të tregut.

Por pyetja e Muratit e nervozoi deputetin e PDK-së, Sejdi Hoxha, i cili e pyeti deputetin e VV-së se çfarë lidhje ka pyetja e tij me procesin e privatizimit.

“Çfarë relevance ka kjo me privatizim bre? A e ke ftu me e shti në provim për ekonomi?”, i tha Hoxha deputetit Murati, duke shtuar se “profesor Beqaj na mban ligjëratë për këtë punë”.

Deputetit Murati i reagoi më pas vet ish-ministri Beqaj i cili i tha se anëtarët e këtij komisioni që s’e dinë se çfarë është ekonomia e tregut, mund të shkojnë në fakultetin ku ai ligjëron.

“Besoj që të gjithë duhet ta dini se çfarë është ekonomia e tregut. Për të gjithë ata që nuk kanë njohuri bazike për ekonominë, mund të vijnë në fakultet për ligjërata”, tha Beqaj.
Por kjo deklaratë e Beqajt nuk i pëlqeu fare kryesuesit të komisionit, Hajrulla Çeku i cili ia tërheqi vërejtjen ish-ministrit se po përdor gjuhë fyese ndaj deputetëve.

“Gjuha ofenduese ndaj deputetëve nuk është e lejueshme. Kështu që po ua tërheq vërejtjen një here. Mos më detyroni ta bëj”, tha Çeku.

Ndërsa Murati që e “ndezi” përplasjen tha se pyetja e tij ishte retorike, pasi qëllimi është të arrihet në një konstatim për të parë nëse Beqaj e ka kuptuar si duhet çështjen e tregut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat