Specialja cakton seancë të re për Salih Mustafën, i kërkohet të deklarohet për fajësinë

Aktuale

Specialja cakton seancë të re për Salih Mustafën, i kërkohet të deklarohet për fajësinë

Më: 20 tetor 2020 Në ora: 21:48
Salih Mustafa

Gjykata Speciale ka caktuar një seancë tjetër kundër Salih Mustafës, personi i parë ndaj të cilit është konfirmuar një aktakuzë për krime lufte.

Ish-ushtari i UÇK-së, Salih Mustafa, do të përballet për të dytën herë në Gjykatën Speciale me akuzat për krime lufte që rëndojnë mbi të.

 Një seancë e re dëgjimore ndaj Mustafës është caktuar të mërkurën e 28 tetorit.

Në të njëjtën, Mustafës i duhet ta deklarojë fajësinë ose pafajësinë e tij për akuzat që i vihen në barrë. Nëse Mustafa refuzon të deklarohet në lidhje me këtë,  atëherë gjyqtari automatikisht do të paraqes një deklaratë të pafajësisë në emër të tij, në mënyrë që t’i hapet rrugë vijimit të procedurës së mëtutjeshme.

“Duke marrë parasysh preferencën e Mbrojtjes, dhe duke marrë parasysh afatin kohor të përcaktuar në rregullin 92 (2) (c) të rregullores, gjyqtari i procedurës paraprake mbledh një seancë dëgjimore të Mërkurën, 28 Tetor 2020, në orën 15:00. Gjatë pjesës së parë të seancës, z. Mustafa do të kërkohet të pranojë fajësinë ose deklarohet i pafajshëm për akuzat e ngritura kundër tij në Aktakuzën e Konfirmuar, në përputhje me rregullën 92 (2) (c) të rregullores. Nëse i Akuzuari nuk pranon ta bëjë këtë, Gjykatësi do të paraqesë një deklaratë të pafajësisë në emër të tij”, thuhet në dokumentin e lëshuar nga gjykata.

Gjykimi ndaj Mustafës do të vazhdojë edhe në një pjesë të dytë. E njëjta do të jetë si lloj konference në të cilën palët do të pyeten nëse kanë vështirësi në materialet e paraqitura, pastaj nëse janë mbyllur hetimet nga hetuesit e Speciales në lidhje me rastin apo nëse ka ndonjë datë për mbylljen e tyre.

“Pjesa e dytë e seancës do të shërbejë si status konferencë e dytë në këtë çështje. Gjyqtari i procedurës paraprake do të kërkojë nga palët më të rejat, dhe detjae tjera në agjendën e status konferencës së parë, si dhe parashtrime të tjera. Specifikisht, gjyqtari do të kërkojë të dijë të rejat në lidhje me : Nëse palët janë duke u ballafaquar me vështirësi në materiale. Nëse hetuesit e Prokurorisë kanë kompletuar hetimet apo nëse kanë ndonjë datë për mbylljen e tyre”, thuhet aty.

Po ashtu, në këtë seancë dëgjimore, mbrojtja do të deklarohet nëse ka detaje të reja  në statusin e hetimeve, në një alibi të mundshme apo çështje të tjera.

Palët do të kenë  kohë që deri më 27 tetor t’i dërgojnë parashtresat e tyre.

Ndryshe, Prokuroria e Specializuar e Hagës kishte konfirmuar aktakuzën ndaj Salih Mustafës para disa muajsh.

Pak kohë më pas, ai ishte arrestuar nga zyrtarët e Speciales teksa ndaj tij është mbajtur një seancë dëgjimore, mirëpo në të njëjtën ai nuk është deklaruar për fajësinë e tij. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat