Seanca e Kuvendit, “Kosova nuk fiton nga Zajednica, të bëhemi bashkë kundër saj”

Aktuale

Seanca e Kuvendit, “Kosova nuk fiton nga Zajednica, të bëhemi bashkë kundër saj”

Më: 21 tetor 2020 Në ora: 06:25

(E plotësuar) - Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi u ka bërë thirrje deputetëve të Kosovës që të unifikojnë qëndrimet e tyre kundër asociacionit të komunave me shumicë serbe, pasi me formimin e tij do të përfitojë vetëm Serbia.

Gjatë fjalimit në interpelancën me kryeministrin Avdullah Hoti për themelimin e asociacionit, deputeti Selimi ka paralajmëruar se Lëvizja Vetëvendosje serish do të organizojë protesta nëse një gjë e tillë do të jetë e domosdoshme.

Selimi: Kemi dalë në protesta dhe prapë do të dalim

“Hajde, bëhemi bashkë kundër Zajednicës, nuk na duhet gjë Zajdenica. Asgjë nuk fiton Kosova nga Zajednica. Ju e dini kush përfiton nga Zajednica. Unë shpesh here jam munduar t’ia rikujtoj që kundërshtimi ynë për Zajednicën ka qenë për mbrojtje të integritetit dhe karakterit unitar të Republikës së Kosovës. Sa i përket asaj që i kemi nxjerrë njerëzit në protesta, rikujtojmë se nuk i kemi nxjerrë njerëzit në protesta, por kemi dalë në protesta dhe prapë do të dalim”, ka thënë ai. 

***

Shefi i Grupit Parlamentar të Nisma-AKR, Endrit Shala në seancën e Kuvendit të Kosovës ka thënë se themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe do të bëhet vetëm sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Shala: Asociacioni mund të themelohet vetëm sipas Kushtetutës

“Deshëm apo nuk deshëm asociacioni sipas marrëveshjes së vitit 2013, asaj të vitit 2015 dhe aktgjykimit të Kushtetueses është obligim ndërkombëtar i Kosovës dhe institucioneve të saj. Por besoj se për të gjithë këto është e qartë se asociacioni vetëm sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Madje, sipas aktgjykimit të saj vetëm si pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë për njohjen reciproke”, tha ai.

Selimi: Zajednica është kanceri i territorit të Kosovës

Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, njëherësh kërkuesi i interpelancës në lidhje me deklarimin dhe qëndrimin e kryeministrit Avdullah Hoti për zbatimin e marrëveshjes për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, tha se kjo marrëveshje e ndan Kosovën.

Duke iu drejtuar kryeministrit Hoti në seancën e sotme plenare, Selimi tha se kjo Zajednica e defunksionalizon shtetin e Kosovës, derisa ka pyetur se a e dinë që kjo marrëveshje është shpallur antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese.

Selimi: A e dini se kjo marrëveshje e ndan Kosovën?

“Ju jeni ende në anën e asaj Zajednicë për të cilën deklaruat para Komitetit për Politik të Jashtme të Parlamentit Evropian që do ta realizoni. Çfarë do të realizoni zotëri Hoti, cilën Zajednicë. A e dini se kjo marrëveshje e ndan Kosovën? A e dini se Zajednica e defunksionalizon shtetin e Kosovës? A e dini se kjo marrëveshje është shpallur antikushtetuese nga Gjykata Kushtetuese në 23 nene të saj? Si doni ta realizoni? Shiheni Bosnjën dhe Republika Serbe për të parë të ardhmen e Kosovës nëse ju e themeloni Zajednicën. Së fundmi, na doli se Isa Mustafa paska në xhep një letër të Mogherinit. E themi në xhep, sepse këtë letër nuk e la në zyrën e Kryeministrit në kohën kur e la mandatin. Isa Mustafa deklaroi se Mogherini me një letër drejtuar atij, ai është zotur se asociacioni nuk do të ketë fuqi ekzekutive. Atëherë, nëse qenka kështu, pse Mustafa nuk ia pati dorëzuar këtë letër Gjykatës Kushtetuese, pastaj të merrte vendim kjo gjykatë, sepse edhe vetë e di që një letër e tillë nuk prodhon kurrfarë efekti”, tha ai.

Selimi pyeti se a është Zajednica këmbim për njohje, derisa shtoi se pse kaq shtrenjtë Kosova duhet ta paguajnë njohjen nga Serbia. Ai ka prezantuar një hartë të Kosovës se si do të dukej nëse realizohet Zajednica.

Selimi: Ja kështu do të duket Kosova nëse ju lejoni që të bëhet Zajednica

“Kush ua dha legjitimitetin për ta kthyer në tavolinën e bisedimeve apo aq më tepër kush ua jep të drejtën të themeloni diçka që tashmë Kushtetua e ka ndaluar. Ju e dini qëndrimin e LVV-së sa i përket edhe simboleve kombëtare edhe simboleve shtetërore, e në anën tjetër shpesh herë na keni akuzuar që ne nuk i njohim ato simbole, gjë që nuk është e vërtetë, që ne nuk e njohim atë shtet gjë që nuk është e vërtetë. Se çfarë do t’i bëni Kosovës me Zajednicën po ua ilustrojë edhe me anë të flamurit të Kosovës se si do të duhej të dukej harta e Kosovës nëse do ta realizoni Zajednicën. Ja, kështu do të duket Kosova nëse ju lejoni që të bëhet Zajednica, rrjedhimisht kështu e mbroni ju shtetin e Kosovës, kështu e mbroni ju flamurin e Kosovës për të cilat na akuzoni padrejtësisht që nuk i njohim. Në këtë hartë më së miri është ilustruar jo vetëm harta e Zajednicës, por siç e patë edhe ato zona eksterritoriale që vijnë si rrjedhojë”, tha ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes tha se Zajednica është kancer i territorit të Kosovës, derisa shtoi se nëse duhet të ndërrohet Kushtetuta, atëherë kjo duhet të bëhet me qëllim të bashkimit me Shqipërinë.

Selimi: Zajednica, kancer i Kosovës

“Zajednica është kancer i territorit të Kosovës, po e lejuam ky kancer do të ketë metastazë dhe për një kohë shumë të shpejtë në saje të planit dhe qëllimit që ka Zajednica do të jetë ndoshta më i madh sesa ju e imagjinoni. Është e vërtetë që Kushtetuta nuk është as Bibël e as Kuran, por nëse është për ta ndërruar le ta ndërrojmë aty ku duhet neni 1.3 që i njeh të drejtën e Kosovës për bashkim me Shqipërinë, e jo për ta gjymtuar edhe më shumë republikën tonë edhe ashtu të lodhur. Shkëputuni nga veprimet e mëhershme të Thaçit e të Mustafës, të cilët herë veç e veç e herë të dy së bashku ia sollën këtë Zajednicë dhe këtë marrëveshje të keqe Kosovës”, tha Selimi.

Ai ka prezantuar edhe rezolutën tri pikëshe për votim:

1. Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin marrëveshja për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe është bërë e pavlefshme dhe e pa zbatueshme.

2. Kuvendi i Republikës së Kosovës ndalon çfarëdo përpjekje apo veprimi që dërgojnë drejt cenimit ose ndryshimit të rendit kushtetues dhe juridik dhe karakterit unitar të shtetit drejt ushtrimit asimetrik të pushtetit qendror e lokal ose drejt krijimit të entiteteve të pushtetit të tretë brenda Republikës së Kosovës.

3. Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk mbështet kurrfarë bisedimeve që kthen çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë si temë, asnjë zyrtar publik i Republikës së Kosovës nuk ka kompetenca apo autorizime dhe nuk i lejohet.

***

 Nuk ka kuorum as për rezolutën tjetër të VV-së për mini-Shengenin

Në mungesë të deputetëve, rezoluta e Lëvizjes Vetëvendosje për mini-Shengenin nuk është hedhur sot për votim.

Vetëm 38 deputetë ishin të pranishëm në sallë kur u propozua rezoluta që ia pamundëson kryeministrit Avdullah Hoti ta përfshijë Kosovën në nismën rajonale mini-Shengen.

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, tha se në mungesë të vendimmarrjeje, kjo pikë do të adresohet në seancën e radhës.

Osmani: S’ka kuorum për vendimmarrje

“Vetëm 38 deputetë janë në sall prandaj nuk kemi kuorum për vendimmarrje”, tha Osmani.

Në mungesë kuorumi, Kuvendi i Kosovës ka dështuar sot të votojë edhe rezolutën tjetër të propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje përmes së cilës kërkohet nga Qeveria Hoti të vazhdojë aplikimet për anëtarësim të vendit në organizatat ndërkombëtare.

***

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ktha se në Shtëpinë e Bardhë janë pajtuar të bëhen pjesëmarrës të nismës rajonale, e njohur si mini-shengen, meqë kështu kanë sugjeruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Para deputetëve të Kuvendit të Kosovës Hoti ka thënë se zotimi i Kosovës për t’u bashkangjitur në këtë nismë duhet parë si përpjekje për të forcuar bashkëpunimin rajonal.

Hoti: Mini-shengeni, përpjekje për të forcuar bashkëpunimin rajonal

“Zotimi ynë për bashkëngjitjen në iniciativë ne quajtur mini-shengen duhet parë në vazhdimësi si përpjekje për të forcuar bashkëpunimin rajonal. Kosova në këtë nismë do të jetë bashkëpronare e plotë e përkufizimit të nismës duke ruajtur çdo interes të Kosovës. Nisma për mini-shengen është në fazën fillestare dhe Kosova do të bëhet pjesë e hartimit të këtij organizimi. Rrjedhimisht Kosova do të ketë pjesën e saj të autorësisë përgjatë procesit të harmonizimit të aranzhimeve dhe të strukturës, si dhe aspektin legjislativ, duke u përkujdesur që çdo gjë të jetë në harmoni të plotë me ligjet në Kosovë”, tha ai.

Në seancën e Kuvendit, ku Hoti është thirrur në interpelancë rreth çështjes së mini-shengenit, Hoti tha se Kosova do të mbrojë gjithmonë interesat e bizneseve dhe qytetarëve.

Hoti: Pjesëmarrja e Kosovës në Minishengen, sugjerim i fuqishëm i sponsorit kryesor të Kosovës

“Në Shtëpinë e Bardhë jemi pajtuar të bëhemi pjesëmarrës të barabartë të kësaj nisme sepse ky është sugjerimi i fuqishëm i sponsorit kryesor të Kosovës përgjatë të gjitha fazave të çlirimit dhe shtet ndërtimit të Kosovës”, tha ai.

Hoti shtoi se kushtet e barabarta për Kosovën në nisma rajonale mund të arrihen vetëm me pjesëmarrjen e shtetit aty.

​LVV përmes rezolutës tenton t’ia pamundësojë Hotit përfshirjen në mini-shengen

Lëvizja Vetëvendosje përmes një rezolute në Kuvend po tenton t’ia pamundësojë qeverisë Hoti përfshirjen në nismën rajonale të ashtuquajtur “mini-shengeni ballkanik”.

Deputetja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila në interpelancën e sotme në Kuvend, ka adresuar një mori akuzash ndaj kryeministrit Hoti.

Ajo tha se ky i fundit ka ndryshuar qëndrimet për mini-shengenin me gjithë dijeninë e tij se ky projekt është i dëmshëm për vendin.

Kusari-Lila; Nismat që prezantohen nga Serbia janë të dëmshme dhe të papranueshme

“Nismat që prezantohen nga Serbia si zëvendësim i integrimeve euro-antlantike janë të dëmshme dhe papranueshme. Kuvendi nuk mbështet asnjë nismë ose deklaratë që unifikon tregun me Serbisë, përveç në BE si anëtare të barabarta”, tha ajo.

Krahas kësaj, deputetja opozitare tha se kryeministri Hoti me nënshkrimin e marrëveshjes së Uashingtonit ia ka garantuar infrastrukturën Serbisë.

Kusari-Lila: Këto kompletojnë skemën e interesave të Serbisë në rajon

“Këto kompletojnë skemën e interesave të Serbisë në rajon, asaj nuk i mjafton vetëm tregu, i duhet edhe infrastruktura. Me 4 shtator me marrëveshjet e nënshkruara nga Avdullah Hoti ia garantojnë Serbisë... pas katër shtatorit Serbia e konsideron Kosovën si territor të vetin, cila është e përbashkëta e veprimeve të fundit. I ashtuquajturi mini-shengeni ballkanik mohon ekzistencën e Kosovës si shtet, mohon kufijtë e saj shtetëror. Përjashton të drejtën e saj sovrane për të kontrolluar territorin e vet. Jep kontrolle për tregun rajonal”, tha ajo.

Ajo paraqiti edhe disa argumente të kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa se pse Kosova duhet të refuzoi një nismë të tillë.

Kusari-Lila: E defaktorizon Kosovën politikisht dhe ekonomikisht

“E de faktorizon Kosovën politikisht dhe ekonomikisht në theks të marrëdhënieve rajonale. Marrëveshja nënkupton delegimin e fuqisë shtetërore në mini-shengen. Favorizon shtetet rajonale që kufizohen me shtetet anëtare të BE-së përmes politikës së taksës. Ndërkaq Kosova nuk ka asnjë kufi me BE-në. Krijon mundësi për evazion nga Rusia dhe vendet e zonës ekonomike Ruse për shkak se Serbia ka marrëveshje të tregtisë së lirë me Rusinë. Si vend influencë më të madhe në rajon Serbia tenton që përmes kësaj të mbajë sa gjatë rajonin jashtë BE-së”, tha ajo.

Kjo interpelancë e kryeministrit Hoti në Kuvend është duke vazhduar, derisa grupet parlamentare po japin qëndrimet e tyre për këtë temë.

***

Në mungesë kuorumi, Kuvendi i Kosovës ka dështuar sot të votojë rezolutën e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje përmes së cilës kërkohet nga Qeveria Hoti të vazhdojë aplikimet për anëtarësim të vendit në organizatat ndërkombëtare.

Në marrëveshjen e Uashingtonit të 4 shtatorit për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Kosova është pajtuar të ndalë aplikimet për anëtarësim në organizata të ndryshme botërore me kusht që Serbia të ndalë fushatën e saj të çnjohjeve.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli ka thënë se subjektiviteti ndërkombëtar nuk mund të fuqizohet duke suspenduar të drejtën e shtetit të Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.

Pacolli: Sipas Hotit subjektiviteti ndërkombëtar fuqizohet duke iu bashkuar nismës së Serbisë

“Si fuqizohet subjektiviteti ndërkombëtar duke suspenduar të drejtën e shtetit të Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare? Ndoshta, sipas zotit Hotit ajo fuqizohet duke u bashkuar me Serbinë, duke iu bashkuar Serbisë në nismën rajonale në zonën e Novi Sadi”, tha Pacolli.

Pacolli ka shtuar se interpelanca me Avdullah Hotin po përfundon pa marrë përgjigje konkrete nga ana e kryeministrit, siç e quajti, ilegal.

Pacolli: Hoti po e merr rrugën për të ikur nga ulësja e kryeministrit

“Kah fundi e kuptuam që zoti Hoti nuk paska qenë në sallë, se kur iu drejtuam, asnjëherë nuk e mori fjalën të përgjigjet në pyetjet tona, dhe në fund i tha kryetares së Kuvendin se kujt ia shtrove pyetjen, janë 50 deputetë në sallë, por nuk po e di cilit deputet. Tërë kohën zotëri Hoti, kryeministri ilegal i Republikës së Kosovës nuk paska qenë këtu. Qenka lajm i mirë, se zoti Hoti qenka duke e marrë rrugën për të ikur nga ulësja e kryeministrit”, tha ajo.

Kjo është rezoluta e deputetëve të Vetëvendosjes për të cilën nuk kishte kuorum.

1.Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare është objektiv i shprehur përmes deklaratës së pavarësisë dhe Kushtetutës së Kosovës.

2. Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria që të vazhdojë aplikimet për anëtarësimet e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

Obligohet Qeveria e Kosovës që brenda dy javësh t’i dërgojë Kuvendit të Kosovës planin e veprimit për përgatitjet dhe aplikimin në anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

3. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të mundësojë dhe të përdorë të gjithë mekanizmat ligjorë e kushtetues me qëllim të realizimit të anëtarësimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

***

Miratimi i qarkores së Qeverisë që të gjitha institucionet e Kosovës të mos aplikojnë në organizata ndërkombëtare, është shndërruar në ‘mollë sherri’ ndërmjet kryetares së Kuvendit Vjosa Osmani dhe kryeministrit Avdullah Hoti në seancën e sotme plenare.

Osmani ia bëri me dije Hotit se kjo qarkore nuk vlen për të zgjedhurit e popullit, pasi ata nuk mandatuar qeverinë për marrëveshjen e 4 shtatorit në Uashington, për normalizim të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ajo me këtë rast ka bërë të ditur se shumë shpejt Kosova do të aplikojë në njërën nga organizatat ndërkombëtare.

Osmani: Do të aplikojmë së shpejti në njërën nga organizatat

“Kur theksoni të gjitha institucionet, a keni menduar që këtu është edhe Kuvendi i Kosovës. Në radhë të parë MPJD nuk mund të lëshojë qarkore për Kuvendin, por një gjë e tillë do të kishte mundësi të bëhej sikur të ekzistonin dy rrethana. Sikur dokumenti i nënshkruar të ratifikohej në Kuvendin e Kosovës, atëherë natyrisht do të krijonte obligim për Kuvendin. Ose e dyta që para se të shkonit në Uashington, Kuvendi do t’ju mandatonte me një rezolutë ose akt të veçantë që ju të merrni obligime për Kuvendin. As nuk ju kemi mandatuar të bëni moratoriumin në emër të gjithë institucioneve, edhe e dyta nuk ju kemi mandatuar. Në mungesë të këtyre dyjave, shpresoj që ministrja as do të tentojë të na dërgojë një qarkore të tillë, por nëse tenton, ky Kuvend asnjëherë nuk ka shprehur vullnetin për moratorium për mos aplikim. Ne do të vazhdojmë me planin tonë të hartuar, do të aplikojmë së shpejti në njërën nga organizatat që shohim se ka momentum”, tha Osmani.

Por kryeministri Hoti, duke injoruar kryeparlamentaren Osmani, tha se nuk e di se kujt ajo iu adresua me këtë rast.

Hoti: Janë 40-50 deputetë nuk e di kujt iu drejtuar me atë pyetje

“Janë 40-50 deputetë nuk e di kujt iu drejtuar me atë pyetje”, tha ai.

E në reagimin e saj, kryeparlamentarja Osmani sqaroi se pyetja ishte adresuar pikërisht kryeministrit Hoti.

Osmani: Ju jeni në ulësen e kryeministrit të kësaj qeverie

“Dokumenti që e lexova është i Qeverisë së Kosovës. Herën e fundit që kam kontrolluar, ju jeni në ulësen e kryeministrit të kësaj qeverie. Pra, natyrisht pyetja është për ju”, tha Osmani.

Pavarësisht insistimit, kryeministri Hoti nuk zgjodhi t’i përgjigjet Osmanit.

Vazhdon interpelanca e kryeministrit Hoti (Drejtpërdrejt)

​Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë rikthyer në seancë.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është në interpelancë.

VV-ja, përmes deputetes Fitore Pacolli, prapë e ka kritikuar moratoriumin për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Hoti paralajmëron reciprocitet

Kryeministri Avdullah Hoti është i bindur se brenda pak muajsh do të përmbyllet dialogu me Serbinë. Kreu qeveritar në interpelancën e sotme në Kuvend tha se nuk ka asnjë iluzion për këtë çështje. Sipas Hotit dialogu do të përmbyllet me njohje reciproke ose do të konstatohet së bashku me partnerët ndërkombëtar se nuk do të ketë marrëveshje.

E atëherë, siç tha Hoti do të ketë reciprocitet të plotë ndaj Serbisë.

Hoti: Ky dialog është çështje muajsh, nuk kam iluzione për këtë

“Ky dialog është vetëm për marrëveshjen finale me njohje reciproke. Ky dialog është çështje muajsh, nuk kam iluzione për këtë. Nuk e di a do të përmbyllet me njohje reciproke, nuk e di a do të përfundojë me njohje, do të doja të përmbyllet me njohje, por e di që do t’i vie fundi për disa muaj dhe do të sjellim një marrëveshje për njohje reciproke në këtë kuvend, ose do të konstatojmë së bashku me partnerët se nuk mund të arrihet kjo marrëveshje. Ju garantojë se kthehemi te vendosja e reciprociteti të plotë në çdo aspekt me Serbinë”

E atij i reagoi sërish deputeti i PDK-së, Hoxhaj i cili tha se nëse është e vërtet miratimi i qarkores për mos aplikimin në organizata ndërkombëtare është gabim i madh.

Hoxhaj: Draftin e qarkores duhet anuluar

“Atë draft duhet anuluar, thirrni amerikanët, thoni atyre se e zbatojmë marrëveshjen e Uashingtonit, por kjo është shumë. Nuk mundet njeri të bëj qarkore, mundet ekipet të bëjnë që del me diçka të tillë, po është goxha e madhe”, tha ai.

Seanca e Kuvendit të Kosovës është duke vazhduar.

Hoxhaj: Mini-shengeni e izolon Kosovën në rajon

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj i ka kërkuar kryeministrit Avdullah Hoti të mos hapë tema të reja teknike në dialogun Kosovë-Serbi. Sipas tij kreu qeveritar duhet të miratojë një platformë në Kuvendin e Kosovës ku thuhet se Asociacioni i Komunave Serbe është temë e mbyllur. Hoxhaj shprehu shqetësimin e tij edhe për përfshirjen e Kosovës në nismën rajonale të mini-shengenit.

Hoxhaj në seancën e sotme plenare kritikoi kryeministrin edhe për vendimin e mosaplikimit në asnjë organizatë ndërkombëtare.

“Përveç mos aplikimit në organizata ndërkombëtare ka një përpjekje të Serbisë edhe këto dy-tri javët e fundit, aty ku jemi anëtarësuar të suspendohet anëtarësimi. Aty ku jemi anëtarësuar , mos me pas të drejtën e votës, mos me pagua pagesën e anëtarësisë. Mos me pas të drejtën me zgjedh dhe mos m’i marrë as përgjegjësitë dhe privilegjet”, tha ai.

Ai tha se mini-shengeni është një rreth i dytë për të izoluar Kosovën.

“Mini-shengeni është një rreth i dytë për të izoluar Kosovën në rajon. Nuk po them asgjë të re se e kemi thënë edhe para 4-5 viteve. Nuk mund të ketë një bashkëpunim rajonal të barabartë pa zgjidhjen e një teme kyçe rajonale pa zgjidhjen e një teme kyçe që është dialogu Kosovë-Serbi. Nuk mund të ketë bashkëpunim rajonal kur vendet nuk e njohin njëra-tjetrin...qeveria duhet të bie në Kuvend ligj se si duhet t’i qaset mini-shengenit. Kjo vetëm rezolutë, jo vetëm një rregullore. Loja rreth tij und të jetë më e komplikuar. Mini-shengeni mund të jetë përpjekje për të shfuqizuar kapitullin 35 që Serbia e ka kusht për të njohur Kosovën”, tha ai.

Ndërsa për t’i hequr dilemat për asociacionin, Hoxhaj kërkoi miratimin e një platforme në Kuvend ku theksohet se kjo temë është e mbyllur.

“Nuk është vonë që qeveria të sjell një platformë në Kuvendin e Kosovës për dialogun. Sikur të kishte platformë me një fjali se asociacioni është temë e mbyllur. Vendimi i Gjykatës është rruga e vetme për të shkuar përpara, ma merr mendja që kur është kanë Lajçaku në Prishtinë kryeministri ju ia kishit thanë qatë fjali dhe gjithë ata që e kishin votuar. Prandaj jam hapur dilemat se nëse diskutohet për Asociacionit, a do të diskutohet për kompetencat e tij...mos e zgjatini këtë dialogun teknik se ka me pas tema të reja dhe nuk është në interesin as të juaj dhe as tonin si vend”, tha ai.

Deputetja e VV-së e quan Kryeministrin Hoti naiv

Deklarata e kryeministrit Avdullah Hoti se në Qeverinë Kurti ishte bërë kërkesë për heqjen e aplikimit në Interpol ka nxitur reagime të Lëvizjes Vetëvendosje.

Hoti ka thënë se edhe njëherë se ish-ministri Glauk Konjufca duhet të jetë arsyetuar për këtë çështje te partia e tij.

“Po e përsëris prap, unë kam qenë pjesë e Qeverisë kur ish-ministri i Jashtëm e ka prezentu kërkesën e tij për shtyrjen për 1 vit për anëtarësim në Interpol, cili ka qenë arsyetimi që iu k a dhënë juve, edhe unë e kam qu dorën përpjetë, po cila është ajo që ju ka thënë juve”, ka thënë Hoti.

Kësaj deklarate iu është përgjigjur deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli që e ka quajtur naiv kryeministrin Hoti.

“Z.Hoti ose je naiv e nuk e kuptoni se nuk janë çka janë interesat kombëtare të një shteti, ne kur llogaritim të aplikojmë apo jo, kur ne në institucione vendosim të aplikojmë apo jo e llogarisim mirë në interesin tonë strategjik si shtet, kur dalim e zotohemi ndërkombëtarisht ka dallim shumë të madh, është shkelje e Kushtetutës, ndërsa, kërkesa jonë ka qenë kërkesë për një vendim strategjik si shtet”, ka thënë deputetja.

Bislimi: Pezullimi është akt politik i koordinuar me SHBA

Deputeti i LDK-së, Faton Bislimi, tha se pezullimi njëvjeçar i aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare është akt politik i koordinuar me SHBA-të, i bërë në një marrëveshje të garantuar nga SHBA-ja në Shtëpinë e Bardhë.

Ai tha se pezullimi nuk e cenon në asnjë moment sovranitetin e vendit, sepse sipas tij, sovraniteti assesi nuk përcaktohet nga aplikimi apo mos aplikimi në një organizatë ndërkombëtare.

Deputeti Bislimi tha se duke qenë se Kosova nuk është anëtare e OKB-së rrjedhimisht nuk e plotëson një parakusht kyç për anëtarësim në organizmat apo organizatat e posaçme që dalin nga OKB-ja.

“Ajo që realisht do të cenonte interesin nacional të Kosovës, rrjedhimisht edhe sovranitetin e vendit tonë do të ishte pezullimi apo tërheqja e Kosovës nga organizatat ndërkombëtare e ndërqeveritarë ku Kosova tani e sa vite është anëtare me të drejta të plota, por kjo nuk ka ndodhur dhe assesi që do të ndodh. Fundja ne e dimë fare mirë që secili anëtarësim i Kosovës në secilën organizatë ndërkombëtare apo ndërqeveritarë është arritur me sukses vetëm atëherë kur bartës kryesor të këtij procesi kanë qenë miqtë tanë amerikan dhe ata evropian. Pa ta anëtarësimi i Kosovës në çfarëdo organizate ndërkombëtare thuajse do të ishte e pamundur, kur është parasysh vërsulja e paskrupullt e Serbisë dhe miqve të saj historik me relevancë siç është Rusia kundër pavarësisë dhe fushatës së çnjohjes. Pra pezullimi është akt politik i koordinuar me SHBA i bërë në një marrëveshje të garantuar nga SHBA-të në Shtëpinë e Bardhë”, tha ai.

Ai tha se Kosova edhe mund të provojë që të aplikojë në cilëndo organizatë ndërkombëtare për anëtarësim, por tha se pa SHBA dhe miqtë e tjerë nuk do t’ia dalin.

Hoti – Vetëvendosjes: A e keni pyetur Glauk Konjufcën për heqjen e aplikimit në Interpol?

Kreu i Qeverisë, Avdullah Hoti në seancën e sotme të Kuvendit ka pasur disa pyetje për opozitën.

Fillimisht, Hoti iu ka drejtuar pyetje deputetëve të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai ka thënë se LVV-ja duhet të pyet ish-ministrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufcën, se pse kishte propozuar që të hiqet dorë nga aplikimi në Interpol.

“Po e shtroj si pyetje, jo me qëllim të keq për grupin parlamentar të LVV a e keni pyetur ish-ministrin e Jashtëm që Qeveria të miratoj shtyrjen e aplikimit në Interpol? Sinqerisht a e keni pyetur?”, ka thënë Hoti sot në seancë.

Ai ka pasur pyetje edhe për PDK-në sa i përket çështjes së njohjeve.

“E dyta për PDK-në ne kemi mbi 10 tërheqje të njohjeve 10 viteve të fundit, çka kemi bërë ne me këto kapacitete që kemi, ne vetëm e kemi stopu një trend negativ, tash çka po bënë kjo qeveri po e koordinon politikën me SHBA-në e BE-në”, ka thënë Hoti.

***

 ​Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, e ka cilësuar si heqje dorë nga shtetësia zotimin e kryeministrit Avdullah Hoti në Washington që Kosova për një vit të mos aplikojë në organizata ndërkombëtare.

Nagavci tha se me marrëveshjen e nënshkruar në Uashington, Hoti e ka shpërblyer dyfish Serbinë, duke e akuzuar se e ka fikur shtetin e Kosovës. Teksa Nagavci po fliste, Hoti po diskutonte me kryeparlamentaren Vjosa Osmani, ndërsa pastaj doli jashtë sallë së Kuvendit për t’u kthyer sërish më vonë.

“Me pezullimin e së drejtës që të kërkojë anëtarësim nga organizatat ndërkombëtare e përmbushi Serbinë që të vazhdojë fushatën e saj kundër njohjeve kundër Kosovës. Kjo kërkesë është që Kosova të heq për një vit të heq dorë prej sjelljes së saj si shtet normal e sovran… Anëtarësimi në organizata i ndihmon ekonomisë dhe nuk e pengon atë. Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare është atribut i sovranitetit të një vendi… S’ka asnjë shtet që i thotë vetes shtet që i thotë publikisht shtetit tjetër që të heq dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare…Shteti ose ekziston ose jo. Nuk mund të konsiderohet si një makinë që mund ta fikësh e ta ndezësh sa herë që dëshiron… Ju e fikët vullnetarisht shtetin. Zotimi për mosanëtërësim në organizata të ndryshme është bllokim për një vit i shtetit të Kosovës… Shumë prej këtyre proceseve kanë pasur sfida në anëtarësim ndërkombëtar e tash po e pengoni ju atë”, ka thënë Nagavci.

Parparakisht, kryeministri Avdullah Hoti u ka dhënë përgjigje deputetëve të LVV-së për këtë pikë të marrëveshjes.

Pacolli: Hoti i tha “po” mini-shengenit, e “jo” anëtarësimit në BE

Deputetja e LVV-së Fitore Pacolli, tha se kryeministri i Kosovës në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e vendit është zotuar se do të suspendojë të drejtën legjitime të shtetit të Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare.

Ajo tha se ishte kërkesë e Serbisë që Kosova të heq dorë nga kërkesa e saj për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ndërsa tha se që të ulet në tavolinën e bisedimeve me Serbinë, sipas saj, kryeministri Hoti suspendoi shtetësinë e Kosovës.

Pacolli: Të qenit shtet i pavarur nuk mjafton nëse nuk të njihet subjektiviteti ndërkombëtar

“Kosova është shtet i pavarur, por të qenit shtet i pavarur nuk mjafton nëse nuk të njihet subjektiviteti ndërkombëtar dhe këtë ne duhet ta dimë më së miri. Anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare rajonale mbetet alternativë e domosdoshme për të siguruar njohjen e subjektivitetit ndërkombëtar dhe shtetësinë. Duke qenë shtet i vogël Kosova nuk ka mundësi të shtrijë rrjetin e saj diplomatik në çdo cep të botës. Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare krijon hapësirë për shtrirje të ndikimit të saj dhe jep zë për të avancuar interesat e saj. Anëtarësimi në organizatën ndërkombëtare z. Hoti është njohje e pavarësisë së Kosovës nga shtete që nuk e kanë njohur akoma Kosovën. Përmes njohjes kolektive anëtarësimi në organizata ndërkombëtare i siguron Kosovës të drejtën e votës në këto organizata dhe formalisht e barazon atë me shtetet e tjera”, tha ajo.

Me këtë zotim për mos aplikim për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, Pacolli tha se po dëmtohet pozita e shtetit të Kosovës edhe në ato organizata ku tashmë është anëtare.

Pacolli: I thoni “po” mini-shengenit dhe zonës së Novisadit, por “jo” Bashkimit Evropian

“Si është e mundur që moratoriumi një vjeçar të mos aplikohet kur bëhet fjalë për pjesëmarrjen e Kosovës në zonën e mini-shengenit apo në zonën e Novisadit. Si është e mundur Kosovës t’i pezullohet e drejta për t’u anëtarësuar në BE, në NATO, UNESCO, dhe t’i lejohet e drejta për t’u anëtarësuar në zonën e Novisadit. Si mundet të ndodhet kjo, pra ju si një proamerikan i thoni ‘Po’ mini-shengenit dhe zonës së Novisadit, por ‘Jo’ Bashkimit Evropian. Ju i thoni ‘Po’ mini-shengenit apo zonës së Novisadit por ‘Jo’ anëtarësimit në NATO, e çuditshme kjo. I thoni ‘Po’ mini-shengenit, por ‘Jo’ Këshillit të Evropës. I thoni ‘Po’ mini-shengenit apo zonës së Novisadit, por i thoni ‘Jo’ Organizatës Botërore të Shëndetësisë. I thoni ‘Po’ mini-shengenit apo zonës së Novisadit, pra iniciativës së Serbisë, por ‘Jo’ UNESCO-së”, tha ajo.

Deputetja e LVV-së Fitore Pacolli, në fund të fjalës së saj ka paraqitur edhe rezolutën rreth anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Pacolli: Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria që të vazhdojë aplikimet

“1. Anëtarësimi i Republikës së Kosovës në organizata ndërkombëtare është objektiv i shprehur përmes deklaratës së pavarësisë dhe Kushtetutës së Kosovës. 2. Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria që të vazhdojë aplikimet për anëtarësimet e Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare. Obligohet Qeveria e Kosovës që brenda dy javësh t’i dërgojë Kuvendit të Kosovës planin e veprimit për përgatitjet dhe aplikimin në anëtarësim në organizatat ndërkombëtare. 3. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të mundësojë dhe të përdorë të gjithë mekanizmat ligjorë e kushtetues me qëllim të realizimit të anëtarësimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare”, tha ajo.

***

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se pauzimi i Kosovës për aplikim në organizata ndërkombëtare duhet parë në frymën e koordinimit të nevojshëm që i duhet Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e tjerë ndërkombëtar.

Hoti para deputetëve të Kuvendit të Kosovës ka thënë se ShBA-të vazhdimisht e kanë përkrahur Kosovën në të gjithë mekanizmat ndërkombëtar, andaj moratoriumi për aplikim, siç janë marrë vesh në Shtëpinë e Bardhë, duhet parë edhe si afatizim për arritjen e marrëveshjes përfundimtare Kosovë-Serbi.

Hoti: Moratoriumi për aplikim në organizata ndërkombëtare, këndvështrim i një afatizimi për marrëveshjen finale

“Edhe moratoriumin për aplikim duhet kuptuar në këtë frymë, pra në frymën e koordinimit të nevojshëm që ne na duhet me ShBA-të para së gjithash por edhe partnerët e tjerë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Edhe këtë duhet parë po ashtu nga këndvështrimi i një afatizimi të arritjes së marrëveshjes përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila duhet të ndodh siç kemi biseduar në këtë Kuvend me një marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në çdo aspekt në mes të dy vendeve”, tha Hoti.

Në interpelancën në të cilën Hoti është thirrur të raportojë rreth vendimit për mos-aplikim në organizata ndërkombëtare për një vit, ka thënë se pavarësisht këtij vendimi, Qeveria e Kosovës po punon për përgatitjet për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtar.

Hoti: nuk kemi pauzuar punën tonë për përgatitjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare

“Pavarësisht dakordimit për të pauzuar për një 1 vit për aplikim në organizata ndërkombëtare ne nuk po e pauzojmë punën tonë për përgatitjet për anëtarësi që duhet të bëjmë në organizata ndërkombëtare, përkundrazi ne po vazhdojmë koordinimin e plotë me gjithë partnerët dhe partnerin tonë kryesor ShBA-të që të sigurohemi që aplikimet tona në organizata ndërkombëtare nuk dështojnë siç ka ndodh në të kaluarën por rezultojnë me pranim të subjektivitetit tonë ndërkombëtar”, tha Hoti para deputetëve.

Image

Në shtator të këtij viti, në Shtëpinë e Bardhë ku Kosova dhe Serbia janë marrë vesh për normalizim ekonomik, Kosova ka pranuar të zbatojë një moratorium një vjeçar që ndalon aplikimin për tu anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare.

***

Hoti u tregon deputetëve të LVV-së se si duhet ta shohin mosaplikimin në organizata ndërkombëtare

Kryeministri Avdullah Hoti po raporton para deputetëve lidhur me njërin nga zotimet që i ka dhënë në marrëveshjen me Serbinë në SHBA që për një vit Kosova të mos aplikojë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Megjithëse tha se e vlerëson kërkesën e deputetëve të LVV-së për këtë interpelancë, Hoti tha se është përgjigjur disa herë për këtë çështje. Sipas tij, moratoriumi nga aplikimi për anëtarësim në organizata ndërkombëtare duhet të shihet si përgatitje më e mirë për të mos dështuar në tentimet e radhës për anëtarësim në pëto organizata.

“Duhet kuptuar në këtë frymë, që na nevojitet përkrahje e SHBA-së dhe shteteve tjera. Edhe duhet parë nga këndvështrimi në afatizimin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, e cila duhet të ndodhë me një njohje reciproke, dhe normalizim të marrëdhënieve në çdo aspekt .Pavarësisht këtyre për të pauzuar për një vit në organizata ndërkombëtare, s’po pauzojmë punën tonë, por po përgatitemi për organizata, pra në koordinim të plotë me gjithë partnerët dhe SHBA-të.Që të sigurohemi se aplikimet tona s’do të dështojnë si në të kaluarën, por do të pranohen”, tha Hoti.

Hoti përmendi se “vetëm në koordinim me SHBA-në ka qenë e mundur që të ngritet subjektiviteti i Kosovës”.

Nuk kalon në parim Projekt Kodi Civil

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ta miratojë në lexim të parë Projekt Kodi Civil.

Kjo pasi që në votim është bojkotuar nga partitë e opozitës.

Në votim kanë marrë pjesë vetëm 32 deputetë prej të cilëve 28 vota për, 2 kundër dhe 2 abstenime.

Përplasje e ashpër në mes deputetit të PDK-së dhe ministrit të Drejtësisë

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, e ka paraqitur për shqyrtim dhe miratim në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës projektkodin e ri civil.

Për këtë projektkod, ka pasur vërejtje nga deputetët e opzitës, ndërsa një më specifike e ka shprehur deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku. Ai ka thënë se me këtë Projektkod Civil rrezikohet kodi tradicional i martesës mes burrit dhe gruas, pasi sipas tij, përfshihen martesat mes gjinisë së njëjtë. Ai ka thënë se me këtë projektkod, fëmijët konsiderohen opsionalë.

Në anën tjetër, Selimi tha se në këtë projektkod ruhet tradicionalja, pasi përmendet martesa mes burrit dhe gruas. Por, shtoi se është obligim që t’u përmbahen normave afirmative për t’i mbrojtur grupet e margjinalizuara si komuniteti LGBTIQ+.

“Në këtë projektkod civil përmendet se martesa është mes gruas dhe burrit. Do të thotë është ruajtur tradicionalja… E kemi obligim kushtetues që t’i mirëmbajmë normat afirmative për t’i mbrojtur grupet e margjinalizuara… Neni për familjen ka mbetë”, tha Selimi.

Në replikë, Lushtaku tha se ndonëse martesa tradicionale është ruajtur, aty janë shtuar edhe martesat e tjera, të cilët atij nuk po i pëlqejnë.

“Është e vërtetë që është ruajtur martesa mes burrit dhe gruas, por janë shtuar edhe martesat e tjera”, tha ai.

Lushtaku theksoi se ai dhe deputetë të tjerë nuk do ta votojnë këtë projektkod.

Deputetët miratojnë në parim projektligjin për financimin e subjekteve politike

Në seancën e sotme deputetët e kanë miratuar në parim projektligjin për financimin e subjekteve politike, me 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Kuvendi i Kosovës po shqyrton në parim edhe projektkodin civil të Kosovës, përmes së cilit ministri i Drejtësisë, Selim Selimi tha se synohet të bëhet rregullimi i dispozitave ligjore të së drejtës civile.

Komisioni për Legjislacion i ka rekomanduar Kuvendit të Kosovës miratimin e këtij projektkodi.

Selimi: Do të bëhet rregullimi dhe harmonizimi i dispozitave ligjore të së drejtës civile

“Përmes këtij projektkodi synohet të bëhet rregullimi dhe harmonizimi i dispozitave ligjore të së drejtës civile si ligjit të marrëdhënieve të detyrimeve, kontratave dhe detyrimeve të tjera nga shkaktimi i dëmit, pasurimit pa bazë, ligjit të pronësisë dhe të drejtave të tjera, ligjit të familjes dhe ligjit të trashëgimisë.

Ai tha se kodi civil do të jetë i strukturuar në pesë libra.

Selimi: Përmes kodit civili do të sigurohet më mirë barabarësia para ligjit

“Në librin e katër, familja, disa prej çështjeve kryesore që janë adresuar janë: janë përmirësuar dispozitat ligjore të ligjit të familjes në aspektin e kuptimit më të mirë, është siguruar më mirë barabarësia para ligjit për të gjithë personat në raportet familjare, është siguruar një mbrojtje më e mirë për të drejtat pronësore për gratë duke paraparë për herë të parë kontratën me të cilën mund t’i rregullojnë raportet pronësore, nëse nuk ka kontratë zbatohet ligji dhe pasuria është e barabartë 50% me 50% për secilin bashkëshortë”, tha ai.

***

Polemika mes Vjosa Osmanit dhe ministrit të AAK-së në Kuvend

Polemika mes kryeparlamentares Vjosa Osmani dhe ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi janë zhvilluar sot në Kuvendin e Kosovës.

Kryeparlamentares Osmani nuk i pëlqeu qasja e ministrit Selimi ndaj deputetëve të opozitës karshi projek-kodit civil të Kosovës, i cili pritet të dalë në votim.

Ajo ia mori atij një shembull, në kohën e qeverisjes PDK-LDK, dhe qasjen që patën disa ministra karshi deputetëve për projektligjet që i dërguan në Kuvendin e Kosovës.

“Po ju tregoj një shembull, në kohën e qeverisjes LDK-PDK ka qenë qeveri e dy të tretave dhe njëra nga ministritë i ndërronte ministrat shpesh. Dhe kur erdhi një ministër i ri dhe procedoi një projektligj duke menduar se i ka dy të tretat, i akuzoi deputetët që nuk dinë të lexojnë. Me këtë qasje, ai ministër mori dy vota. As votat e partisë së tij nuk i mori në fund. Para tij ishte një ministre që për secilin veprim konsultohej me deputetët, dhe a e din sa vota i merte ajo ministre, që të gjitha”, tha ajo.

Sipas saj, nëse ministri Selimi do që ky projekt-kod të kalojë, duhet të qaset ndryshe me deputetët.

“Duhet ta kuptoni një gjë edhe ju edhe ministrat dhe kryeministri, se këtu jeni në shtëpinë e deputetëve, dhe duhet ta ndaloni qasjen e akuzave dhe ofendimeve ndaj deputetëve e sidomos kur flasim për diçka që ua ndryshon jetën njerëzve. Do t’ju duhen deputetët, nëse doni që ky projektligj të kalojë, uluni e punoni me deputetët. Duke e ditë se sa i rëndësishëm është tash nuk po dal me i tregu disa nga kontradiktat që ju e disa deputetë i patën në deklaratat e tyre”, tha ajo.

E pas kësaj reagoi edhe ministri Selimi. Ai iu drejtua Osmanit se këshillën e saj do ta marrë seriozisht, mirëpo se sipas tij, disa deputetë po bëjnë politike me këtë projekt-kod civil, në të cilin kanë punuar edhe ministrat para tij.

“Njihemi që një kohë, dhe këshillën tënde do ta marr seriozisht. Unë kam qenë në çdo mbledhje të komisionit, jam i rregullt, unë e kuptoj parlamentarizmin, e ndjek dhe mundohem që t’i shtyej projektet nacionale. Në projekt ka punu ministri Tahiri, ministrja Haxhiu dhe mendoj që duhet t’i lëmë anash ndarjet. Nuk besoj që duhet të bëhet një politikë që i humb mbi 1 mijë e 600 nene, kur tri ose katër nene mund të ndryshohen mes dy leximeve”, tha ai.

Deputetja e AAK-së përplaset me koleget: Mimoza nuk i mbron gratë, Fitorja ka merak me bë sfilatë

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, ka pasur një përplasje me deputetet e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lilën dhe Fitore Pacolli.

Sipas Haxhiut, deputetet lexojnë vetëm çfarë shkruan partia, teksa tha se Kusari-Lila thirret në emër të grave, por nuk i mbron ato.

“Ju i lexoni krejt çka ju shkrun partia, ma e keqja eshte se ju nuk e dini as çka po lexoni. Edhe Mimoza që po thirret shumë në emer të grave dhe kur është interesi me i mbrojt gratë nuk i mbron por veç fol”, tha Haxhiu.

Pas kësaj, pati ndërhyrje e deputetës së VV-së, Fitore Pacolli, ndërsa Haxhiu ia ktheu edhe asaj duke i thënë se ka dëshirë të bëjë sfilata.

“Nuk i mbroni po veç folni, Fitore qashtu qysh ki merak me bo sfilatë. Ju nuk i besoni asaj që ju shkruajnë, lejeni këto”, tha Pacolli.

Kuvendi në krizë, dështon t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare 

Kryeparlamentarja, Vjosa Osmani, ka njoftuar se Në Kuvendin e Kosovës nuk ka kuorum për t’u ratifikuar disa marrëveshje ndërkombëtare.

“Nuk ka kuorum pasi duhen 80 vota”, ka njoftuar kryeparlamentarja, Vjosa Osmani

Tri Projektligje për marrëveshje ndërkombëtare, të cilat nuk kanë marrë votat e mjaftueshme në seancën e kaluar, pasi që janë kundërshtuar nga LVV-ja, nuk janë hedhur në votim fare, pasi që në sallë kanë qenë më pak se 80 deputetë, sa duhen për miratim të tyre.

Në Kuvend s’pati kuorum për t’u votuar Projektligji nr. 07/L-025 për ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e programit – nxitja dhe lejimi i mundësive për sigurimin e ujit. 

As për votimin e Projektligjit nr. 07/L-035 për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për likuiditet të urgjencës së infrastrukturës vitale, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, dhe as votimin e Projektligjit nr. 07/L-036 për ratifikimin e Kontratës Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Impiantit të Ujërave të Zeza në Gjilan.

Ndërkohë që mospjesëmarrja në votim ka lënë pa miratuar në parim i Projektligjin për Peticione. Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë, nuk është hedhur në votim pasi që për të kaluar duhet shumicë e dyfishtë e cila nuk ka qenë prezentë në Kuvend.

Ndërsa më shumicë votash ka kaluar në parim Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Financimin e Subjekteve Politike.

Kuvendi po vazhdon punimet me shqyrtimin e parë të Projekt Kodit Civil të Republikës së Kosovës.

***

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të vazhdojë sot punimet me pikat e mbetura nga seancat e kaluara si dhe do të mblidhet në seancë të re në të cilën do të paraqitet në tri interpelanca kryeministri Avdullah Hoti.

Interpelancat janë ftuar nga deputetë të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me pezullimin njëvjeçar të aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, interpelanca lidhur me përfshirjen e Republikës së Kosovës në “Zonën e mini-Shengenit ballkanik”, si dhe interpelanca lidhur deklarimin dhe qëndrimin e Kryeministrit për zbatimin e Marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

LVV konsideron zotimi i njëanshëm i Avdullah Hotit për pezullim të kërkimit për anëtarësim në organizata ndërkombëtare përveçse është pushim njëvjeçar i shtetësisë së Kosovës në sferën dhe sistemin ndërkombëtar, është edhe bllokim i shumë nismave, projekteve e proceseve të ndryshme të shtetit të Kosovës dhe institucioneve të saj në nivel ndërkombëtar multilateral.

Përveç dëmeve diplomatike nga ky veprim i Qeverisë, sipas Vetëvendosjes heqja dorë nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare kinse me arsyetimin që Serbia të pezullojë fushatën për çnjohje të pavarësisë së Kosovës, është pozicion me pasoja të parikuperueshme në raport me dialogun me Serbinë.

 Edhe sa i përket intepelancës për “mini-Shengen ballkanik”  LVV vlerëson se Serbia përmes të ashtuquajturit “mini-Shengen ballkanik” zgjeron mundësitë për dominim, përderisa Kosova do të dëmtojë edhe më shumë ekonominë e saj prodhuese dhe do të thellojë bilancin negativ tregtarë.

"Është fakt i ditur botërisht se i ashtuquajturi “mini-Shengen ballkanik” është ide dhe projekt i Serbisë. Jashtë ambalazhimit dhe justifikimit kinse të bashkëpunimit rajonal, e vërteta e kësaj nisme, është marrëveshja e Novi Sadit. Deklarata e Novi Sadit e futur nën petkun e “mini-Shengenit ballkanik” për t’u shitur më lehtë, u prezantua për herë të parë më 10 tetor 2019 nga presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq", thekson LVV.

Interpelanca e tretë ka të bëjë me deklaratat e kryeminstrit Hotit pas takimit me presidentin e Parlamentit Evropian dhe Komisionin e Politikës së Jashtme ku tha se “do ta respektojë plotësisht marrëveshjen për ‘Zajednicën’.

LVV ka deklaruar së Gjykata Kushtetuese e kishte hedhur poshtë këtë plan të Serbisë, duke gjykuar se ajo shkel Kushtetutën e Republikës së Kosovës në gjithsej 23 pika.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat