Plani i Qeverisë për çështjen e të pagjeturve, gërmimet në pesë lokacione në Kosovë, në Rashkë dhe qasja në arkivat e Serbisë

Aktuale

Plani i Qeverisë për çështjen e të pagjeturve, gërmimet në pesë lokacione në Kosovë, në Rashkë dhe qasja në arkivat e Serbisë

Më: 21 tetor 2020 Në ora: 08:46
Ilustrim

Qeveria e Kosovës tashmë ka miratuar planin 16-pikësh për zbatimin e marrëveshjes së Washingtonit të nënshkruar më 4 shtator, të cilat kanë të bëjnë me normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në kuadër të planit 16 pikësh është edhe çështja e personave të zhdukur.

Pika ku flitet për çështjen e personave të pagjetur thotë se “Të dy palët zotohen të shpejtojnë përpjekjet për të gjetur dhe identifikuar mbetjet e personave të zhdukur”.

Ndër pikat kryesore për çështjen e personave të pagjetur në kuadër Planit të Qeverisë për Zbatimin e Marrëveshjeve të Washingtonit janë gërmimi vlerësues në pesë lokacione të Republikës së Kosovës, kërkesa për gërmim në rajonin e Rashkës dhe kërkesa për qasje në arkivat e Serbisë.

Veprimet që parashihen të ndërmerren për zgjidhjen e rasteve të të pagjeturve:

Deri në fund të vitit do të vazhdohet puna, në kuptimin e gërmimit vlerësues edhe në disa lokacione tanimë të shënjuara brenda territorit të Republikës së Kosovës (diku deri në 5 lokacione, si në Mitrovicë, Pejë, Bishtazhin, Podujevë, Rahovec, megjithatë plani i lokacioneve mund të ndryshojë varësisht nga zhvillimet në rastet e caktuara).

Shqyrtimi i kërkesave nga pala serbe për disa lokacione brenda territorit të Republikës së Kosovës, të cilat janë trajtuar vite më parë nga organizatat/misionet ndërkombëtare.

Shqyrtimi i lokacioneve sipas informatave të siguruara nga arkivat ndërkombëtare përmes Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Kërkesa për palën serbe për inicimin e gërmimit për një numër lokacionesh, kryesisht në regjionin e Rashkës, si dhe lokacionet të cilat janë hapur në vitet e para të pasluftës.

Kërkesa për qasje në informacion në arkivat e Serbisë, në veçanti në arkivat e ish-Ushtrisë Jugosllave.

Të mbështetet lansimi publik i Bazës së të Dhënave të Personave të Zhdukur Aktivë të lehtësuar nga Komiteti Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) nga konfliktet e armatosura në territorin e ish-Jugosllavisë.

Të ndërmerren veprime për zgjidhjen e rasteve të paidentifikuara (NN – nomen nescio) në morgun e Prishtinës.

Sigurimi i burimeve të nevojshme për të vazhduar procesin e futjes së të dhënave (baza e të dhënave Ante Mortem / Post Mortem). Mungesa e progresit për këtë çështje e pengon qeverinë të marrë përgjegjësinë e saj për të krijuar, mirëmbajtur dhe menaxhuar listën e personave të zhdukur, në përputhje me Ligjin për Personat e Zhdukur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat