Partia e Drejtësisë kërkon që t’i tërhiqet vërejtja Ambasadorit Gashi

Aktuale

Partia e Drejtësisë kërkon që t’i tërhiqet vërejtja Ambasadorit Gashi

Më: 21 tetor 2020 Në ora: 09:16
Ferid Agani

Partia e Drejtësisë e Ferid Aganit ka kërkuar sanksionim dhe vërejte për ambasadorin e Kosovës në Francë, Qëndrim Gashin.

Ambasadori i Republikës së Kosovës në Francë kishte shpërndarë një shkrim rreth vrasjes së një mësuesi në Francë pasi i kishte treguar nxënëseve të tij “karikatura të profetit”, por artikulli si forcë ilustruese kishte karikaturat.

Për këtë në Kosovë ka kërkesa për Ministrinë e Punëve të Jashtme e Presidentin që ai të shkarkohet.

Partia e Drejtësisë në një deklaratë për media ka thënë se “Partia e Drejtësisë dënon fuqishëm pakujdesinë e skajshme politike dhe pandjeshmërinë e palejueshme të ambasadorit të Republikës së Kosovës në Francë z. Qëndrim Gashi ndaj ndjenjave shpirtërore e fetare të shumicës absolute të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, thuhet ndër tjerash.

Deklarata e plotë:

Partia e Drejtësisë dënon fuqishëm pakujdesinë e skajshme politike dhe pandjeshmërinë e palejueshme të ambasadorit të Republikës së Kosovës në Francë z. Qëndrim Gashi ndaj ndjenjave shpirtërore e fetare të shumicës absolute të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Pavarësisht prej synimit të mundshëm të distancimit dhe solidarizimit të kuptueshëm për Partinë e Drejtësisë të Ambasadorit Gashi me popullin dhe shtetin françez pas një vrasje makabre mbi baza fetare, është e papranueshme dhe e dënueshme, në bazë të legjislacionit në fuqi të shtetit tonë, shpërndarja e karikaturave nga ana e Ambasadorit Gashi, nëpërmjet të cilave poshtërohet, tallet dhe fyhet personaliteti më i dashur dhe më i respektuar për të gjithë muslimanët e botës përfshirë edhe muslimanët e Kosovës i dërguari i Zotit të madhërishëm për gjithë njerëzimin Muhamedi, paqa dhe mëshira e Krijuesit qoftë mbi të.

Partia e Drejtësisë kërkon dhe pret nga Ministria e Punëve të Jashtme që sa më shpejtë të sigurojë sanksionimin dhe mospërsëritjen e veprimeve të këtilla që janë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e vendit dhe standardet etike të diplomacisë botërore, me të cilat janë lënduar dhe fyer rëndë ndjenjat fetare e shpirtërore të shumicës së madhe të qytetarëve të vendit.

Partia e Drejtësisë edhe me këtë rast konfirmon përkushtimin e sajë të fuqishëm për promovimin e mëtutjeshëm të njërës prej vlerave më të çmuara qytetëruese të popullit dhe shtetit të Kosovës, tolerancës dhe bashkëpunimit ndërfetar si gurë themeltar të kohezionit të domosdoshëm social para proceseve sfiduese te shtetëndërtimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat