Haxhiu kërkon që të tërhiqet aktakuza ndaj aktivistëve të LVV-së për sulmin në Kuvend

Aktuale

Haxhiu kërkon që të tërhiqet aktakuza ndaj aktivistëve të LVV-së për sulmin në Kuvend

Më: 21 tetor 2020 Në ora: 10:56
Albulena Haxhiu

Derisa në Departamentin e Krimeve të Rënda po mbahej seanca gjyqësore ndaj aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët akuzohen për sulm terrorist në Kuvendin e Kosovës në vitin 2016, anëtarja e kryesisë së LVV, Albulena Haxhiu ka mbajtur një konferencë për medie përmes të cilët ka kërkuar që Prokuroria të heqë dorë nga kjo aktakuze të cilën e ka konsideruar si politike dhe me tendenca të këqija karshi këtij subjekti politik.

Ish-ministrja e Drejtësisë ka thënë se në vitin 2016 gjashtë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje ishin arrestuar pa asnjë arsyetim dhe pa asnjë fakt, kinse për sulmin ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Anëtarja e Kryesisë së LVV-së deklaroi se në vend që të kërkohet drejtësi dhe përgjegjësit e vdekjes së Astrit Deharit të gjykohen, sot edhe pas 4 viteve aktivistët e këtij subjekti politik po ballafaqohen me gjykim të padrejtë.

Haxhiu: Kërkojmë nga Prokuroria ta tërheqë këtë aktakuzë politike.

“Sot pas katër viteve sërish është një seancë gjyqësore kundrejt aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët edhe pas katër viteve po përballen me një sistem të padrejtë i cili ia mveshi veprimet të cilat nuk ishin bërë, as nga aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje por as nga Lëvizja. Në vend të drejtësisë për aktivistin Astrit Dehari që drejtësia të shkojë në vend dhe përgjegjësit të dalin para drejtësisë, sot fatkeqësisht ende aktivistët e LVV-së përballen me gjykime të padrejta dhe politike. Qeveria do të duhej të tërhiqej pas asaj aktakuze, ju e dini që Gjykata e shkallës së parë ka dënuar aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, por pastaj Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim këtë lëndë duke theksuar shkelje të shumta procedurale dhe të cilat e vërtetojnë se aktivistët nuk kanë fare të bëjnë me sulmin ndaj Kuvendit. Andaj sot jam bashkë edhe me disa aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje për tu dhënë mbështetje aktivistëve të cilët po përballen me padrejtësitë e këtij sistemi brutal dhe natyrisht kërkojmë drejtësi për Astrit Deharin dhe që të tërhiqen nga kjo aktakuzë politike me tendenca të këqija kundrejt aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje”, theksoi Haxhiu.

Gjykata Themelore e Prishtinës më 17 nëntor 2017 i kishte dënuar për terrorizëm aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje Adea Batushën, Atdhe Arifin, Egzon Halitin e Frashër Krasniqin. E i gjithë procesi u kthye në rigjykim me vendim të Gjykatës së Apelit në vitin 2018 pasi kishte gjetur shkelje të shumta.

Duke u hetuar në këtë rast ishte edhe aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, derisa u gjet i vdekur në qelinë e tij sa ishte në paraburgim në Prizren. E rrethanat e vdekjes së tij ende mbeten të pasqaruara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat