Polemika mes Vjosa Osmanit dhe ministrit të AAK-së në Kuvend

Aktuale

Polemika mes Vjosa Osmanit dhe ministrit të AAK-së në Kuvend

Më: 21 tetor 2020 Në ora: 11:18
Vjosa Osmani

Polemika mes kryeparlamentares Vjosa Osmani dhe ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi janë zhvilluar sot në Kuvendin e Kosovës.

Kryeparlamentares Osmani nuk i pëlqeu qasja e ministrit Selimi ndaj deputetëve të opozitës karshi projek-kodit civil të Kosovës, i cili pritet të dalë në votim.

Ajo ia mori atij një shembull, në kohën e qeverisjes PDK-LDK, dhe qasjen që patën disa ministra karshi deputetëve për projektligjet që i dërguan në Kuvendin e Kosovës.

“Po ju tregoj një shembull, në kohën e qeverisjes LDK-PDK ka qenë qeveri e dy të tretave dhe njëra nga ministritë i ndërronte ministrat shpesh. Dhe kur erdhi një ministër i ri dhe procedoi një projektligj duke menduar se i ka dy të tretat, i akuzoi deputetët që nuk dinë të lexojnë. Me këtë qasje, ai ministër mori dy vota. As votat e partisë së tij nuk i mori në fund. Para tij ishte një ministre që për secilin veprim konsultohej me deputetët, dhe a e din sa vota i merte ajo ministre, që të gjitha”, tha ajo.

Sipas saj, nëse ministri Selimi do që ky projekt-kod të kalojë, duhet të qaset ndryshe me deputetët.

“Duhet ta kuptoni një gjë edhe ju edhe ministrat dhe kryeministri, se këtu jeni në shtëpinë e deputetëve, dhe duhet ta ndaloni qasjen e akuzave dhe ofendimeve ndaj deputetëve e sidomos kur flasim për diçka që ua ndryshon jetën njerëzve. Do t’ju duhen deputetët, nëse doni që ky projektligj të kalojë, uluni e punoni me deputetët. Duke e ditë se sa i rëndësishëm është tash nuk po dal me i tregu disa nga kontradiktat që ju e disa deputetë i patën në deklaratat e tyre”, tha ajo.

E pas kësaj reagoi edhe ministri Selimi. Ai iu drejtua Osmanit se këshillën e saj do ta marrë seriozisht, mirëpo se sipas tij, disa deputetë po bëjnë politike me këtë projekt-kod civil, në të cilin kanë punuar edhe ministrat para tij.

“Njihemi që një kohë, dhe këshillën tënde do ta marr seriozisht. Unë kam qenë në çdo mbledhje të komisionit, jam i rregullt, unë e kuptoj parlamentarizmin, e ndjek dhe mundohem që t’i shtyej projektet nacionale. Në projekt ka punu ministri Tahiri, ministrja Haxhiu dhe mendoj që duhet t’i lëmë anash ndarjet. Nuk besoj që duhet të bëhet një politikë që i humb mbi 1 mijë e 600 nene, kur tri ose katër nene mund të ndryshohen mes dy leximeve”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat