(E plotësuar) - Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, është deklaruar lidhur me zhdukjen e 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.
Bajrami ka treguar se transaksioni i këtyre mjeteve është kryer më 9 tetor, derisa hetimet për këtë rast kanë filluar tek dje.
“Tani me datën 9 tetor kanë ndodh transaksionet dhe mjetet nga buxheti në Ministrinë tjetër (Ministrinë e Infrastrukturës) janë terhjekë dhe janë bërë pagesat në emër të këtij operatori ekonomik. Më pas kemi ardh deri te denoncimi i rastit. Krejt procedura e hetimit ka fillu dje”, ka deklaruar Bajrami para gazetarëve.
Bajrami nuk ka pranuar që të jap emrin e operatorit ekonomik, në emër të të cilit janë bërë pagesat, meqenëse siç ka thënë mund të dëmtohet procesi i hetimeve për këtë rast.
“Unë besoj që në një të ardhme të afër do të jemi në gjendje të japim raporte detajuara. Kemi kërkesë nga prokurorja e rastit që të mos japim informata sepse mund të dëmtohet procesi i hetimeve”, ka deklaruar ajo.
I arrestuari për 2 milionë eurot punonte prej 11 vjetësh në Thesarin e Shtetit
Pas “avullimit” të rreth 2 milionë eurove nga Thesari i Shtetit, ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka thënë se zyrtari i arrestuar kishte punuar në Thesar për 11 vjet.
Në konferencën e mbajtur për media, Bajrami tha se i arrestuari është zyrtar i Thesarit të Shtetit, ndërsa tjetri është eprori i tij në vijë raportuese.
Janë zyrtarë të Thesarit të Shtetit, punon në Thesar qe 11 vjet, ndërsa tjetri është eprori i tij në vijë raportuese. Gjithë ata që punojnë aty e kanë qasjen pasi duhet të kryejnë transaksione në baza ditore”, tha Bajrami.
Ministrja e Financave ka treguar se jashtëligjshëm janë bërë 4 transaksione nga Thesari i Republikës së Kosovës dhe se mbi 2 milionë euro janë dërguar në llogarinë e një operatori ekonomik.
***
Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka dalur në një konferencë të jashtëzakonshme pasi u bë e ditur se rreth 2 milionë euro janë vjedhur nga Thesari i Shtetit.
Bajrami e pohoi se kjo kishte ndodhur, dhe se tani janë duke u bërë hetimet e nevojshme, dhe bëhet fjalë për 1,2 milionë euro.
‘’Bëhet fjalë për katër transaksione të dyshimta që kanë ndodhur nga Thesari i Shtetit, që është në kuadër të financave, ku bëhet fjalë për 1,2 milion euro. Kemi denoncuar rasti, ku krimet kibernetike janë duke u marrë me të .’’
Ajo tha gjithashtu se dy zyrtarë të thesarit janë supsenduar, njëri nga ta edhe është arrestuar.
‘’Dy zyrtarë janë suspenduar, me rastin po punojnë edhe ministria e inteligjencës financiare për ta hetuar këtë transaksion.’’
Bajrami tha se këto mjete janë tërhequr përmes bankës, dhe jo kesh, derisa tha se financat e shtetit ndodhen në BQK dhe janë të sigurta.
‘’ Nuk është mjete kesh, por nga llogaria përmes llogarive të tjera, përndryshe mjetet tjera janë në BQK dhe janë të sigurta, nuk mund të jap detaje të tjera sepse rasti është në hetim, dhe nuk duam ta dëmtojmë hetimin.’’
Raportohet për 2 milionë euro të zhdukura në Ministrinë e Financave, thirret konferencë e shpejtë për media
Policia e Kosovës ka njoftuar se tre persona kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës kanë transferuar para në vlerë 2.077.995.90 milion euro.
Lidhur me këtë rast janë arrestuar dy persona, ndërsa i treti gjendet në arrati, shkruan "Bota sot".
Për më tepër, në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se është kërkuar bllokimi i llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit.
"09.10.2020. Me 20.10.2020 23:35 pas hetimeve të zhvilluara është arritur të arrestohet një i dyshuar m/k dhe dy të tjerë gjenden në arrati. Të dyshuarit dyshohet se duke keqpërdorur detyrën zyrtare duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës kanë transferuar para në vlerë 2.077.995.90 milion euro. Është kërkuar bllokimi i llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit. Janë bërë bastisje të shtëpive të dyshuarve, nuk është gjetur asgjë vetëm është konfiskuar një veturë pronë e njërit nga të dyshuarit. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin për media.
Ndërkaq, është raportuar se do të mbahet një konferencë për media rreth këtij skandali.