​S’ka kuorum as për rezolutën e VV-së mbi asociacionin

Aktuale

​S’ka kuorum as për rezolutën e VV-së mbi asociacionin

Më: 21 tetor 2020 Në ora: 20:39

(E plotësuar) - Kuvendi i Kosovës ka dështuar të hedhë sonte në votim rezolutën e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për asociacionin, pasi që në sallë ishin të pranishëm vetëm 31 deputetë.

Para kësaj, shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi ka ftuar deputetët të mbështesin rezolutën e kësaj partie, me të cilën Kuvendi ndalon çfarëdo përpjekje që çon drejt ndryshimit të rendit kushtetues përmes krijimit të etniteteve të pushtetit të tretë në Kosovë.

Selimi: Marrëveshja për asociacionin është e pavlefshme

“Pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin KO 130/15 marrëveshja për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe është e pavlefshme, e pazbatueshme. Kuvendi i Kosovës ndalon çfarëdo përpjekje apo veprimi që dërgojnë drejt cenimit ose ndryshimit të rendit kushtetues e juridik dhe karakterit unitar të shtetit drejt ushtrimit asimetrik të pushtetit qendror lokal ose drejt krijimit të etniteteve të pushtetit të tretë brenda Kosovës. Tre, Kuvendi i Kosovës nuk mbështet kurrfarë bisedimi që rikthen çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, si temë asnjë zyrtarë publik i Kosovës nuk ka kompetenca apo autorizime dhe nuk i lejohet të bisedoj për këtë çështje”, tha ai.

Interpelanca e tretë në seancën e sotme me kryeministrin Avdullah Hoti, u realizua sipas kërkesës së deputetit Rexhep Selimi, mbështetur nga 6 deputetë të GP të LVV-së lidhur me deklarimin dhe qëndrimin e kryeministrit për zbatimin e marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Përplasen deputetët e VV-së me ata të LDK-së, ​Liburn Aliu thotë se Serbia po blen dronë nga Kina për t’i përdorur kundër Kosovës

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka kërkuar sqarime nga kryeministri Avdullah Hoti nëse ka marrë një kërkesë zyrtare nga Bashkimi Evropian për themelimin e asociacionit me kompetenca ekzekutive ashtu sikurse është duke kërkuar Serbia.

Ai në interpelancën me kryeministrin në lidhje me asociacionin, ka pyetur të parin e Ekzekutivit nëse ka vend për shqetësim sa i përket asociacionit.

Tahiri: A ka Kosova kërkesë zyrtare nga BE për asociacion me kompetenca ekzekutive?

“Mirë është kryeministri të deklarohet para nesh si njeri që e drejton shtetin se a duhet të kemi shqetësim për asociacionin apo nuk duhet të kemi… A ka Republika e Kosovës kërkesë zyrtare nga përfaqësuesit e BE-së për themelimin e asociacionit me kompetenca ekzekutive?”, ka thënë ai

I menjëhershëm ishte reagimi i Hotit, i cili iu drejtua deputetit Tahiri, duke i thënë se a ka dëgjuar ndonjë deklaratë të BE-së për një gjë të tillë.

Hoti: A ke dëgjuar BE-së të ketë kërkuar asociacion me kompetenca ekzekutive?

“A e ke dëgjuar ti zotëri Tahiri ndonjëherë ndonjë deklaratë të BE-së që i kërkon Kosovës me themeluar një asociacion me kompetenca ekzekutive”, ka thënë Hoti.

Derisa deputeti Tahiri, ka thënë se ka dëgjuar një prononcim të përfaqësuesit të BE-së për mundësinë e ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës, e cila do t’i hapte rrugë formimit të asociacionit me kompetenca ekzekutive.

Tahiri: Qeveria Hoti nuk e ka shumicën për një asociacionin

“Unë e kam dëgjuar prononcimin e përfaqësuesit të BE-së, ku i jep një drejtim mundësisë së ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës, prandaj shyqyr që ne deputetët vendosim dhe ju nuk i keni dy të tretat edhe nëse dëshironi ta bëni”, ka thënë Tahiri.

Kundërpërgjigjja e Hotit, ishte që formati i dialogut ka ndryshuar, duke thënë se nuk ka më darka me dyer të mbyllura.

Hoti: Ka ndërruar formati i dialogut, nuk ka biseda me dyer të mbyllura

“Unë nuk po ndihem fajtor, por pyetja juaj nuk është e sinqertë, sepse krejt bisedat lidhur me këtë çështje janë transparente. Çdo kërkesë të BE-së e dini plotësisht edhe ju. Ka ndërruar formati i dialogut, nuk ka biseda në darka, as me dyer të mbyllura”, ka thënë Hoti.

***

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Liburn Aliu dhe kolegu i tij nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Arben Gashi janë përplasur sonte në Kuvend në lidhje me formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, e cila bie ndesh në 23 nene me Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.

Aliu në seancën e interpelancës me kryeministrin Avdullah Hoti për asociacionin, ka akuzuar këtë të fundit se në procesin e dialogut me Serbinë në Bruksel nuk e ka përmendur se Kushtetuesja e ka shpallur jo kushtetuese marrëveshjen për Zajednicën dhe se kjo e fundit nuk mund të formohet.

Ai ka folur edhe armatosjen e Serbisë, e për të cilën tha se është duke blerë edhe dronë nga Kina, për t’i përdorur në të ardhmen kundër shtetit të Kosovës.

Aliu: Serbia është duke blerë drona nga Kina për t’i përdorur kundër Kosovës

“Pse nuk e ka përmend Hoti në Bruksel vendimin e Gjykatës Kushtetuese? Pse nuk iu ka thënë atyre se ne kemi një Gjykatë Kushtetuese që marrëveshjen e vitit 2015 e ka shpallur jo kushtetuese, por na thoni neve se po shqetësohemi? Pse Hoti nuk ka tregon që Serbia nuk e ka ratifikuar marrëveshjen që ne e paskemi ratifikuar... Ka heshtur, ka thënë se marrëveshjen e vitit 2015 do ta realizojmë, po nuk do ta realizojë as ai e as ju, sepse marrëveshja e ndan Kosovën në vija etnike...Serbia e cila është duke blerë drone prej Kinës, e ata drona e dimë që nuk është duke i marrë për të xhiruar dasma, por ata dronë i ka marrë për t’i përdor ndaj dikujt, ndaj neve, ndaj fëmijëve tanë, prandaj kjo përmban rrezik”, ka thënë ai.

Por të gjithë këtë e ka quajtur një ‘aktrim të lezetshëm’, shefi i grupit parlamentar të LDK-së Arben Gashi, teksa ai nuk la pa ia rikujtuar edhe sulmet e aktivistëve së Lëvizjes Vetëvendosjes kundër Policisë së Kosovës.

Gashi: Aktrimi i lezetshëm i Liburnit po krijon atmosferë të mirë!

“Ky aktrimi i lezetshëm i Liburnit po krijon atmosferë të mirë, që po më pëlqen. Po ia kthej me të njëjtën pyetje: zotëri Liburn Aliu, çka keni bërë ju? Vetëm në vitin 2015, 250 policë të lënduar, vetëm në janar e vitit 2015, 127 policë të lënduar. Pra ajo që keni bërë është se keni sulmuar Policinë e Kosovës, Kuvendin për një krim imagjinar. Po ta përsëris se nuk jam më pjesë e këtij debati të panevojshëm me ju dhe po të them se asociacioni i komunave me shumicë serbe, i cili është marrë si vendim pas operacionit të dështuar në veri, problemin e veriut e keni ndërkombëtarizuar dhe e keni bërë problem të madh për Kosovën”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat