Asociacion me kompetenca ekzekutive? – Përplasje mes Hotit e Tahirit

Aktuale

Asociacion me kompetenca ekzekutive? – Përplasje mes Hotit e Tahirit

Më: 21 tetor 2020 Në ora: 21:01
Abelard Tahiri

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, ka kërkuar sqarime nga kryeministri Avdullah Hoti nëse ka marrë një kërkesë zyrtare nga Bashkimi Evropian për themelimin e asociacionit me kompetenca ekzekutive ashtu sikurse është duke kërkuar Serbia.

Ai në interpelancën me kryeministrin në lidhje me asociacionin, ka pyetur të parin e Ekzekutivit nëse ka vend për shqetësim sa i përket asociacionit.

“Mirë është kryeministri të deklarohet para nesh si njeri që e drejton shtetin se a duhet të kemi shqetësim për asociacionin apo nuk duhet të kemi… A ka Republika e Kosovës kërkesë zyrtare nga përfaqësuesit e BE-së për themelimin e asociacionit me kompetenca ekzekutive?”, ka thënë ai

I menjëhershëm ishte reagimi i Hotit, i cili iu drejtua deputetit Tahiri, duke i thënë se a ka dëgjuar ndonjë deklaratë të BE-së për një gjë të tillë.

“A e ke dëgjuar ti zotëri Tahiri ndonjëherë ndonjë deklaratë të BE-së që i kërkon Kosovës me themeluar një asociacion me kompetenca ekzekutive”, ka thënë Hoti.

Derisa deputeti Tahiri, ka thënë se ka dëgjuar një prononcim të përfaqësuesit të BE-së për mundësinë e ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës, e cila do t’i hapte rrugë formimit të asociacionit me kompetenca ekzekutive.

“Unë e kam dëgjuar prononcimin e përfaqësuesit të BE-së, ku i jep një drejtim mundësisë së ndryshimit të Kushtetutës së Kosovës, prandaj shyqyr që ne deputetët vendosim dhe ju nuk i keni dy të tretat edhe nëse dëshironi ta bëni”, ka thënë Tahiri.

Kundërpërgjigjja e Hotit, ishte që formati i dialogut ka ndryshuar, duke thënë se nuk ka më darka me dyer të mbyllura.

“Unë nuk po ndihem fajtor, por pyetja juaj nuk është e sinqertë, sepse krejt bisedat lidhur me këtë çështje janë transparente. Çdo kërkesë të BE-së e dini plotësisht edhe ju. Ka ndërruar formati i dialogut, nuk ka biseda në darka, as me dyer të mbyllura”, ka thënë Hoti. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat