Shuplakat i zëvendësoi me birra, si i ndryshoi deklaratat ‘malësori’ Gjergj Dedaj për Hashim Thaçin...

Aktuale

Shuplakat i zëvendësoi me birra, si i ndryshoi deklaratat ‘malësori’ Gjergj Dedaj për Hashim Thaçin...

Nga: P.R Më: 22 tetor 2020 Në ora: 19:41
Gjergj Dedaj dhe Hashim Thaçi

“Jam malësor dhe i qëndroj fjalës sime deri në fund”. Kështu u shpreh mbrëmë Gjergj Dedaj, ambasador i Kosovës në Maqedoni të Veriut.

Por, Dedaj nuk i qëndroi deri në fund fjalëve të tij. Madje ai shumë kohë më parë i tërhoqi ato, e krejt kjo për shkak të posteve të larta që mori në institucionet shtetërore, falë Hashim Thaçit, tash President i Kosovës.

Dedaj dikur e kishte akuzuar rëndë Thaçin. Madje kishte thënë se “Kur flet Gjergj Dedaj diçka duhet të lëvizë në Kosovë”.

“Në vitin 1998 Thaçi e ka ndalur delegacionin e shtetit të Kosovës. Unë isha nënkryetar i Kuvendit. Ishim në vizitë në zonat e luftës. Na ka ndalu Hashim Thaçi me njerëzit e tij. Tha, jeni të arrestuar. Arsyeja, thjesht që jeni parti që e përkrahni Ibrahim Rugovën. Ka pas maltretim fizik, psikik, moral…disa anëtarë të delegacionit janë torturu edhe fizikisht. Edhe unë jam maltretu fizikisht. Ai edhe na ka marrë në pyetje, na ka bërë presion. Është një krim, e jo një incident”, kishte rrëfyer Dedaj kohë më parë.

“Gjergj Dedaj ende s’ka folë. Kur flet Gjergj Dedaj diçka duhet të lëvizë në Kosovë”, kishte thënë Dedaj në vitin 2011, duke shtuar se zgjedhjet e fituara nga PDK-ja në atë kohë, ishin të manipuluara nga Thaçi.

E krejt këto fjalë i ka tërhequr Dedaj.

Në vend te ‘shuplakave’ që Dedaj kishte thënë që i ka marr nga Thaçi, tani ai i ka zëvendësuar me birra.

“Kam përjetuar gjëra të rënda. Nuk dua të flas për këto. Por kam më patën emëruar zëvendësministër i Ministrit serb. Isha pa punë. Kisha shtatë fëmijë. Nuk kisha zgjidhje tjetër. Jam i befasuar se si një tribunal ndërkombëtar është marrë me këso përplasje që ndodhin madje edhe në një lojë futbolli. Ushtarët e UÇK’së nda ndaluan rrugës për Qirez. Në Qirez nuk kanë ndaluar në burg. Madje na kanë dhënë edhe birra. Tash kjo të bëhet temë, që nëpërmes kësaj të dënohet dikush është e pakuptueshme”, tha mbrëmë Gjergj Dedaj.

Dedaj nuk u ndal me kaq. Ai ka shokuar opinionin publik, kur tha se “nuk kam qenë Gjergji kur i kam thënë ato fjalë për Thaçin”.

“Kur e kam dhënë deklaratën për Thaçin, nuk kam qenë Gjergji. Jam krenar për ata djem që i dolën përballë njërës prej armatave më të forta në Europë. Jam malësor dhe i qëndroj fjalës sime deri në fund. Nuk e kam marrë seriozisht këtë Gjykatën Speciale deri sa është votuar në Kuvendin e Kosovës. Ende nuk e di pse duhet një gjykatë të krijohet kundër nesh dhe kundër UÇK’së. Pas luftës kam menduar se do të krijohet një gjykatë ndërkombëtare me katër përfaqësues nga NATO, SHBA, BE’ja dhe dy nga Kosova”, deklaroi ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat