Selimi: Ishalla vjen vakti i Kosovës që ta ketë një president si Murat Jashari

Aktuale

Selimi: Ishalla vjen vakti i Kosovës që ta ketë një president si Murat Jashari

Më: 22 tetor 2020 Në ora: 22:56
Rexhep Selimi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ka deklaruar se partia e tij nuk do ta përkrahë Ramush Haradinajn për postin e presidentit.

Në Rubikon ai mes tjerash u shpreh se uron që shtetit tonë t’i vijë koha që të ketë një president si Murat Jashari.

“Haradinaj e ka shpallur vetëm dëshirën, deri sot s’ka kandidaturë por shprehje gatishmërie. Por pse të AAK-së? Pse ne duhet ta mbështesim AAK-në? Veç pse ai ka qejf a? Nuk shkojnë kështu gjërat”.

“Ka rrethana edhe kushte që në Parlamentin e Kosovës të gjithë të mbështesin një kandidat. Nuk jap  emra, por ka Kosova aq vlera me emra që do e kishin fituar mbështetjen e gjithë spektrit politik”.

I pyetur se nëse do ta përkrahte Murat Jasharin për këtë post, meqë si emër i propozuar kishte dalë nga partia e tij, Selimi u shpreh se “ishalla vjen vakti i Kosovës që ta ketë një president si Murat Jashari. Me gjithë dëshirë do ta votoja dhe një votë do më dukej pak ta jepja për të, por tani nuk jemi në atë fazë”.

“Do të ishte mirë, vlerë e shtuar që kandidati për president të ishte apartiak. Më partiakë se sot s’kemi pasur kurrë, ky është edhe klanor. Do të ishte vlerë e shtuar sikur ta gjenim një president që do të ishte mbi partitë e që do të përfaqësonte të gjithë. Do të ishte më mirë akoma sikur të ishte apartiak”.

“Ky popull ka vlera më të larta se sa ka sot në Parlament dhe se sa ka në Qeveri. Nuk jemi ne më të mirët që kemi shkuar atje. Është lehtë me e gjet personalitetin, por është më vështirë me e gjet konsensusin”.

“Murat Jasharin kurrë s’e keni dëgjuar të anojë nga ndonjë subjekt politik, pra nuk krahasohen me Haradinajn. Nuk e mohoj kurrë rolin e Haradinajt në luftë, por në këtë rast për të flas si kryetar partie. Sot nuk mund t’i bie ndërmend një kryetari të një partie e cila renditet e katërta dhe të thotë se ‘unë duhet ta kem postin e presidentit’. Haradinajn s’e kam në listën e njerëzve që e diskutoj për president”.

Shefi i grupit parlamentar të VV-së po ashtu e arsyetoi veprimin e të parit të partisë së tij, Albin Kurti, në lidhje me përkrahjen hapur ndaj Joe Biden për postin e presidentit të SHBA-së.

“Nëse kishte me qenë në pozitë publike shtetërore nuk do ta bënte, por e ka bërë si kryetar i partisë politike më të madhe në Kosovë. Por nuk e rreshton Kosovën si shtet në mbështetje ose kundërshtim për kandidatët atje, se nuk është as kryeministër e as president, por si kryetar partie dhe kështu e ka shprehur qëndrimin e vet”.

“Kjo tregon që jemi popull pro-amerikan dhe vet qytetarët e Kosovës tregojnë interesim për garën atje. Nuk e bëjnë p.sh. për Francën, por për Amerikën e Gjermaninë e bëjnë, dhe në kuadër të kësaj e ka shprehur një përkrahje, çfarë të keqe ka që të shprehesh?”.

“Ne po mendojmë si gjysma e Amerikës që mendojnë se duhen ta kenë udhëheqjen e Joe Biden”, tha Selimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat