Shefi i BE-së në Kosovë kritik ndaj shuarjes së Task-Forcës e mosluftimit të korrupsionit

Aktuale

Shefi i BE-së në Kosovë kritik ndaj shuarjes së Task-Forcës e mosluftimit të korrupsionit

Më: 23 tetor 2020 Në ora: 17:44
Szunyog u shpreh kritik edhe ndaj vendimit të Qeverisë për shuarjen e Task- Forcës anti korrupsion.

Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Republikës së Kosovës, takoi sot shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Përfaqësuesin Special të Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomás Szunyog, me të cilin u bisedua lidhur me Raportin e Progresit nga KE për Kosovën, për vitin 2020.

Në paraqitjen e tij me këtë rast, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, u shpreh kritik edhe ndaj vendimit të Qeverisë për shuarjen e Task- Forcës anti korrupsion.

Për sa i përket sfidave, të cilat janë të theksuara edhe në Raportin e KE-së, përfaqësuesi i BE-së tha se ato mbesin pothuajse të njëjtat me ato të paraqitura edhe në raportin e vitit të kaluar. Me këtë rast, ai përmendi reformat e ngadalta në administratën publike, luftën kundër korrupsionit, si dhe çështje të tjera të theksuara në raport. Ai foli edhe për zbatimin e MSA-së, si dhe programin ERA-2.

Takimin e kryesoi Ismet Beqiri, kryetar i Komisionit për Integrime Evropiane, i cili në fillim të takimit e njoftoi Szunyogun lidhur me punën dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Komisioni, si dhe angazhimet e parapara në agjendën e Komisionit, e që kanë të bëjnë me integrimet evropiane.

Në njoftimin për media theksohet se Beqiri foli edhe për disa çështje që kanë të bëjnë me procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e që kanë zënë vend edhe në Raportin e Progresit të KE-së për Kosovën për vitin 2020.

Thuhet se Beqiri u fokusua tek çështja e Asociacionit të komunave me shumicë nga komuniteti serb.

“Me këtë rast, ai solli në kujtesë marrëveshjet e arritura, për të cilat u shpreh se ato duhet të jenë në harmoni të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftim.

Në kumtesën nga Kuvendi i Kosovës, thuhet se Szunyog, duke elaboruar Raportin, para anëtarëve të komisionit fillimisht foli për angazhimet e ekonomike të BE-së në Kosovë dhe rajon.

Investimi prej 9 miliardë eurosh në Ballkanin Perëndimor, tha ai, është tregues i mjaftueshëm për përkushtimin e BE-së ndaj rajonit.

Sa i përket të arriturave, përfaqësuesi i BE-së nënvizoi disa nga ligjet, siç është ai për korporatat, ndërkaq, u shpreh se për shkak të krizës politike dhe problemeve që ka shkaktuar pandemia, disa nga çështjet edhe nuk kanë mundur të trajtohen në mënyrë adekuate.

Duke folur për liberalizimin e vizave, çështje kjo për të cilën u angazhuan të gjithë anëtarët e komisionit, Tomáš Szunyog bëri të ditur se vendimi lidhur me këtë duhet të merret nga Këshilli Evropian nga 27 vendet anëtare.

Lidhur me rekomandimet që përmban raporti, Tomáš Szunyog vlerësoi se është i domosdoshëm një bashkëpunim i ngushtë institucional në Kosovë dhe një strategji e qartë për realizimin e reformave integruese.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat