“Ky ishte qëllimi i vërtetë”, profesori tregon pse u vodhën 2 milionë euro në Kosovë

Aktuale

“Ky ishte qëllimi i vërtetë”, profesori tregon pse u vodhën 2 milionë euro në Kosovë

Nga: P.R Më: 23 tetor 2020 Në ora: 19:30
ilustrim

Mbi 2 milionë euro janë marrë ilegalisht nga thesari shtetëror i Kosovës, ku sipas Policisë, lidhur me rastin është arrestuar një i dyshuar, ndërkaq dy të tjerë gjenden në arrati.

“Me 20.10.2020 23:35 pas hetimeve të zhvilluara është arritur të arrestohet një i dyshuar m/k dhe dy të tjerë gjenden në arrati. Të dyshuarit dyshohet se duke keqpërdorur detyrën zyrtare duke përdorur thesarin shtetëror të Republikës së Kosovës kanë transferuar para në vlerë 2.077.995.90 milion euro. Janë bërë bastisje të shtëpive të dyshuarve, nuk është gjetur asgjë vetëm është konfiskuar një veturë pronë e njërit nga të dyshuarit. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë.

E sipas raportimeve në media, kompania në të cilën u transferuan paratë është, LDA Group Shpk, me bazë në Llapushnik, fshat në Komunën e Drenasit.

Po ashtu, sipas burimeve të mediave, personat e dyshuar janë: Labinot Gruda (1956), Kadri Shala (1964 )dhe Valon Shala (1955), të gjithë shtetas të Republikës së Kosovës.

Në një bisedë për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi ndër tjerash ka folur edhe për këtë skandal që ka goditur Kosovën.

Bytyçi ka treguar arsyet pse ndodhi një gjë e tillë. Ai e lidh këtë me vendimin e Gjykatës Speciale për Hashim Thaçin.

“U lajmëruan protesta të shoqatës së luftës. Madje u bënë disa përpjekje për këto protesta. Por në këto përpjekje ai nuk gjeti përkrahjen e kryeministrit të Kosovës, zotit Hoti. Prej këtij momenti u thyen marrëdhëniet e ngrohta midis tyre me ndërmjetësimin e Isa Mustafës. Prandaj dhe inskenoi diskreditimin e kësaj qeverie. Policia dhe prokuroria duhet të hetojnë dhe zbulojnë me çdo kusht skenarin e 2 milion eurove që shkuan në llogarinë e një kompanie në një fshat të Drenasit. Çfarë përfaqëson kjo kompani?! Me kë punon dhe me kë i mban lidhjet politike? Me kë ka kontaktuar kohët e fundit? Po ashtu duhet të zbulohen të gjitha lidhjet me politikën dhe politikanët të atyre zyrtarëve që janë implikuar në këtë aferë të padëgjuar”.

“Projekti i vjedhjes së hapur të këtyre parave nuk ka të bëjë as me vjedhjen, as me përvetësimin e atyre parave, sepse gjithkush e di se nuk mund të përvetësosh e vjedhësh në këtë formë. Ky akt ishte grabitje e thesarit të Kosovës. Dhe grabitja u bë me qëllim që të ulin reputacionin e qeverisë në drejtimin e ekzekutivit të Kosovës. Madje nuk e përjashtoj mundësinë që ky akt të jetë stisur edhe për ta justifikuar ikjen e kësaj qeverie dhe mundësimin e koalicionit me Partinë Demokratike të Kosovës”, shtoi ndër tjerash Bytyçi duke folur për “Bota sot”, ku bisedën e plotë mund ta gjeni duke klikuar KËTU.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat