“Komandant Drini u vra me urdhër të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit”

Aktuale

“Komandant Drini u vra me urdhër të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit”

Më: 23 tetor 2020 Në ora: 20:23
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli/ Foto ilustrim

Pas 20 vitesh, në qytetin e Prizrenit është përuruar lapidari i Ekrem Rexhës, i njohur si Komandant Drini, i cili ishte vrarë më 8 maj të vitit 2000.

Sot e asaj dite, vrasja e tij mbetet ende një enigmë e pazgjidhur.

E ish deputetja e Vetëvendosjes, Drita Millaku gjatë ditës ka shkruar se shumë shpejtë vrasësit e Komandant Drinit do të dalin para drejtësisë.

"Komandant, pjesa e parë u kry. Për 20 vjet politika dhe parapolitika e penguan këtë memorial. Shumë shpejt edhe ata që të vranë do të dalin para drejtësisë Lavdi komandant Drinit. Lavdi të rënëve për liri”, ka shkruar Millaku, përcjellë “Bota sot”.

Por, Millaku para dy vitesh kishte akuzuar rëndë Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

Në një debat të ashpër në Kuvend, Millaku kishte thënë se Komandant Drini ishte vrarë me urdhër të Thaçit dhe Veselit.

“Buxheti për presidentin veç kemi një rritje prej 20 përqind, pra gjysmë milioni kemi me shumë. Çka po i duhet kjo rritje buxhetit të presidentit, ku nuk i ka mbetur asgjë tjetër veç të takohet me Vuçiqin dhe të bëjë shpërndarje të dekoratave dhe atë pa kriter. E në anën tjetër kërkesa për dekorimin e komandant Drinit rrinë në sirtarë që katër vite, pra nuk e dekoron sepse me urdhër të tij dhe me dijeni të tij e të Kadri Veselit ai është vrarë”, kishte thënë Millaku gjatë fjalës së saj në Kuvend ku po diskutohej projektbuxheti për vitin 2018.

E menjëherë pas kësaj, Thaçi e kishte dekoruar Komandant Drinin.

“Familjes së Ekrem Rexhës, bashkëshortes Hajrijes dhe djemve të dashur Ekremit dhe Drinit, ua dorëzova Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të pavarësisë dhe urdhrin “Hero i Kosovës. Si bashkëluftëtar, komandant i Zonës Operative të Pashtrikut dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, komandant “Drini” ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, kishte shkruar Thaçi në Facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat