Përplasje në koalicionin qeverisës në Kosovë, ja çka shkruan VOA

Aktuale

Përplasje në koalicionin qeverisës në Kosovë, ja çka shkruan VOA

Më: 25 tetor 2020 Në ora: 09:18
Ramush Haradinaj

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryeministri Avdullah Hoti u përplasën të shtunën në distancë rreth vendimit të qeverisë për shfuqizimin e Departamentit të Posaçëm kundër korrupsionit, i njohur si ‘Task Forca Anti-Korrupsion’, që është pjesë Policisë së Kosovës.

I themeluar në bazë të një vendimi të qeverisë së Kosovës të vitit 2010, ky departament përbëhet nga 30 zyrtarë policorë, të specializuar nga mekanizmat e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për ndjekjen e korrupsionit të nivelit të lartë.

Shfuqizimi i tij u votua të hënën në një mbledhje të qeverisë së Kosovës duke nxitur reagime të autoriteteve ndërkombëtare por edhe ekspertëve të sistemit të drejtësisë në Kosovë.

Zoti Haradinaj shkroi të shtuan në llogarinë e tij në facebook se vendimi shkakton pasiguri juridike dhe se ky departament ishte në proces të hetimit të shumë rasteve të profilit të lartë.

“Në përmirësimin e institucioneve tona duhet të kemi plan. Çdo vendim pa plan, e i aty për atyshëm mund të kuptohet si ndërhyrje politike ose hakmarrje ndaj proceseve të pavarura. Gjatë mandatit tim si Kryeministër jam ballafaquar me disa raste për të cilat ka pasur vendim për hetime ose aktakuzë. Vendimi im ka qenë që të ruaj sistemin dhe ta fuqizoj të njëjtin. Kam rritur rrogat e policisë, prokurorëve dhe gjykatësve dhe ju kam dhënë pavarësi të plotë. Politika nuk duhet të përzihet në drejtësi. Unë kam paguar çmim që të ruaj sundimin e ligjit mbi përfitimet politike. Të njëjtën e pres nga çdo Qeveri e Republikës së Kosovës”, shkroi ai.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti u përgjigj menjëherë po në facebook se politika nuk duhet të përzihet në drejtësi.

“Këtë e kemi bërë me vendimet që kemi marr në këta muaj të qeverisjes. Drejtësia duhet ta bëjë punën sipas ligjit, e jo sipas vendimeve të Qeverisë. Kthimi i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vend duhet të jetë angazhim i të gjithëve.

Kjo qeveri është e vendosur për të fuqizuar shtetin ligjor. Siguria juridike garantohet vetëm duke respektuar Kushtetutën, ligjet dhe institucionet shtetërore”, shkroi ai.

Zoti Haradinaj shkroi se “gjatë jetëgjatësisë së demokracisë së vendit tonë, sa herë që Kushtetuta e Republikës është zbatuar për interesat e një partie të caktuar, ka dalë të jetë e gabuar”.

Ndërsa kryeministri Hoti tha se “puna e zyrtarëve që kanë qenë në kuadër të Task Forcës në Policinë e Kosovës vazhdon pa asnjë ndryshim në trajtimin e lëndëve të krimit dhe korrupsionit, sipas udhëzimeve të Prokurorisë Speciale. Të gjithë ata zyrtarë vazhdojnë të kryejnë obligimet e tyre ligjore sipas organizimit të brendshëm të Policisë së Kosovës pa asnjë ndërhyrje nga askush. Kushdo që ka dyshime për këtë, le të përdorë të gjitha mjetet ligjore për të kërkuar mbikëqyrje dhe sqarime për punën e secilit”.

“Bashkpartiakët tuaj edhe mund t’ju tolerojnë̈, por, ky është qëndrimi i shtetit aleat që është vendimmarrës për liberalizim të vizave”, shkroi ndërkaq zoti Haradinaj duke i bërë jehonë qëndrimit të ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rode, i cili tha se “fatkeqësisht vendimi i qeverisë së Kosovës për shuarjen e Task Forcës Anti-Korrupsion, ngrit shqetësime të mëdha për vullnetin politik për trajtimin efektiv të çështjeve korruptive”.

Bashkimi Evropian tha gjatë javës se pret që qeveria e Kosovës “të qartësojë sa më parë të jetë e mundur” pozicionin e vet në luftën kundër korrupsionit dhe se departamenti “luan rol thelbësor në luftën kundër korrupsionit, siç është nënvizuar edhe në raportin e Komisionit Evropian për Kosovën por edhe në atë të monitorimit të drejtësisë të Misionit të BE-së për sundimin e ligjit në të cilin kërkohet “fuqizimi i Task Forcës kundër Korrupsion në policinë e Kosovës si palë thelbësore në fushën e hetimeve kundër korrupsionit”.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha të mërkurën se ky departament ishte themeluar me një vendim jo kushtetues. “Përmes këtij vendimi në policinë e vendit janë krijuar struktura jo ligjore, jo në përputhje me ligjin për policinë”, tha kryeministri Hoti.

Departamenti ishte themeluar në vitin 2010 me vendim të Qeverisë së Kosovës, në bashkëpunim me EULEX-in.

Ekspertë të fushës së drejtësisë në Kosovë thonë se qeveria me këtë veprim ka penguar drejtësinë në rreth 56 raste të korrupsionit të nivelit të lartë që ishin në proces të hetimit nga ky departament./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat