Osmani: Të jesh me të mbijetuarat e dhunës seksuale në luftë, do të thotë të kërkosh çdo ditë e me ngulm drejtësi

Aktuale

Osmani: Të jesh me të mbijetuarat e dhunës seksuale në luftë, do të thotë të kërkosh çdo ditë e me ngulm drejtësi

Më: 25 tetor 2020 Në ora: 16:14
foto nga vendi i ngjarjes

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se të mbijetuarat e dhunës seksuale në luftë janë viktima të dyfishta: së pari janë viktimë e vetë krimit, e së dyti, viktima të paragjykimeve nga shoqëria, sa që një pjesë e madhe zgjedhin t’i vuajnë pasojat emocionale e traumatike në heshtje e izolim të plotë.

Osmani tha se mbi të gjitha, ato duan drejtësi.

“Këto gra nuk janë vetëm! Në njërën anë, ato kanë mbështetjen e organizatave si Medica Gjakova, të cilën e vizituam këto ditë, e organizatave të tjera simotra që nuk reshtin së rezistuari çfarëdo presioni, e në anën tjetër, na kanë ne të cilët ju përkulemi përpara qëndresës së pashoq përballë dhimbjes e vuajtjes që ato përjetojnë. Por ne mbështetësit e tyre jemi ende të paktë në numër. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me mbështetje, por ka të bëjë me kuptimin e vërtetë të vuajtjes e pasojave shkatërruese shumëdimensionale të luftërave”, shkroi Osmani.

Tutje ajo tha se të jemi aty për të mbijetuarit, do të thotë të jesh aty për t’u ballafaquar plotësisht me të kaluarën, për të udhëhequr shoqërinë tonë drejt një rehabilitimi të shëndoshë, solidar, e me mirëkuptim të plotë për vuajtjen e brengat e secilës e secilit.

“Mbi të gjitha, të jesh me to, do të thotë të kërkosh çdo ditë e me ngulm DREJTËSI”, tha Osmani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat