Isa Mustafa: Hoti s’ka nevojë ta konsultojë askënd për vendimet me të cilat zbatohet Kushtetuta

Aktuale

Isa Mustafa: Hoti s’ka nevojë ta konsultojë askënd për vendimet me të cilat zbatohet Kushtetuta

Më: 25 tetor 2020 Në ora: 16:31
Isa Mustafa

Kryeministri Avdullah Hoti dhe partneri i tij i koalicionit, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj janë përplasur dje nga distanca për shuarjen e task-forcës së Policisë së Kosovës që merrej me hetimin e korrupsionit.

Mustafa thotë se kryeministri Hoti s’ka nevojë të konsultohet për vendimet me të cilat zbatohen ligjet dhe Kushtetuta.

“Kryeministri është i vendosur ta luftojë krimin dhe korrupsionin me mekanizma që i parashohin aktet më të larta juridike dhe jo me mekanizma të qeverisë, sepse ka ndarje të pushteteve. Çfarë kam kuptuar nga deklaratat e Kryeministrit, njerëzit e kësaj Task-force të deritanishme vazhdojnë të trajtojnë lëndët dhe të kryejnë punën e tyre si pjesë integrale e Policisë së Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Speciale. Kjo do të thotë se Qeveria nuk ka marrë vendim për asnjë lëndë dhe për asnjë rast por ka marrë vendim të korrigjojë vendimet qeveritare, të cilat janë marrë më parë, gjë që është e drejtë e çdo qeverie”, ka deklaruar Mustafa.

Haradinaj, dje përmes një postimi në Facebook doli kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për shuarjen e Task-Forcës anti-korrupsion.

Ai në një postim në Facebook, shkroi se shkarkimi i kësaj force shkakton pasiguri juridike, pasi e njëjta ka hetuar dhe po hetonte raste të profilit të lartë.

“Puna e tyre ka treguar që askush nuk është i paprekshëm nga drejtësia. Normalisht ka pasur shumë gjëra të përmirësohen dhe kjo task-forcë të fuqizohet, qoftë nga rishikimi funksional ose nga rekomandimet e partnerëve strategjik si SHBA-ja dhe BE-ja”, ka shkruar Haradinaj.

Por, i menjëhershëm ishte reagimi kryeministrit Avdullah Hoti i cili në Facebook, shkroi se qeveria është e vendosur për të forcuar rendin ligjor dhe se ‘siguria juridike garantohet vetëm duke respektuar Kushtetutën, ligjet dhe institucionet shtetërore’.

“Politika nuk duhet të përzihet në drejtësi. Këtë e kemi bërë me vendimet që kemi marr në këta muaj të qeverisjes. Drejtësia duhet ta bëjë punën sipas ligjit, e jo sipas vendimeve të Qeverisë. Kthimi i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vend duhet të jetë angazhim i të gjithëve”, shkroi Hoti në Facebook.

Qeveria e Kosovës, një javë më parë vendosi ta mbyll Task-Forcën, duke vlerësuar se kjo çështje tash duhet të rregullohet me legjislacionin e funksionimit të Këshillit Prokurorial dhe se mandati i EULEX-it, tashmë është ndryshuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat