Shuarja e Task-Forcës Anti-Korrupsion shkakton lëmsh kundërshtimesh e përplasjesh

Aktuale

Shuarja e Task-Forcës Anti-Korrupsion shkakton lëmsh kundërshtimesh e përplasjesh

Më: 25 tetor 2020 Në ora: 16:52
foto ilustrim

Reagime të ashpra në vend kanë ardhur pasi Qeveria e Kosovës mori vendim për mbylljen e Departamentit Special Anti-Korrupsion brenda Policisë së Kosovës.

Drejtori i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit (AKK), Shaip Havolli thotë për lajmi.net se Qeveria e Kosovës duhet të ketë kujdes kur merr vendime, siç ishte ai për mbylljen e Departamentit Special Anti-Korrupsion brenda Policisë së Kosovës.

Sipas tij, aktualisht Kosova ka nevojë për vullnet politik dhe veprime konkrete në  parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në vend.

“Agjencia kundër Korrupsionit ka pasur bashkëpunim të mirë me Departamentin Special Anti-Korrupsion brenda Policisë së Kosovës, në kuadër të parandalimit dhe luftimit të korrupsionit dhe Institucionet e Kosovës do të duhej të jenë të kujdesshme në vendime të kësaj natyre të cilave do të duhej të ju paraprije një proces i vlerësimit të nevojave dhe ndikimit direkt në ushtrimin e veprimtarisë së tyre për parandalimin  dhe luftimin e korrupsionit në Kosovë. Aktualisht Kosova ka nevojë për vullnet politik dhe veprime konkrete në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në vend”, thotë Havolli 

Tutje Havolli thotë se edhe Raporti i Progresit nga Komisioni Evropian për Kosovën dhe Raporti i  fundit i Departamentit amerikan të Shtetit për Kosovën, na obligojnë që t’i forcojmë mekanizmat në veprime konkrete në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit në vend.

“Këto vlerësime nuk dalin vetëm nga gjendja aktuale në të cilën ndodhet Kosova në perceptimin e korrupsionit si fenomen dhe praninë e korrupsionit në vend si realitet, por janë edhe dy raportet e fundit ndërkombëtare, Raporti i Progresit nga Komisioni Evropian për Kosovën dhe Raporti i  fundit i  Departamentit amerikan të Shtetit për Kosovën,  të cilat na obligojnë që t’i forcojmë mekanizmat në veprime konkrete në parandalimin dhe luftimin e Korrupsionit në Kosovë”, ka thënë ai.

Për mbylljen e Departamentit Special Anti-Korrupsion brenda Policisë së Kosovës pati përplasje edhe mes kryeministrit Avdullah Hoti e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, parti kjo që është pjesë e koalicionit qeverisës.

Haradinaj në një postim në Facebook, ka thënë se shkarkimi i kësaj force shkakton pasiguri juridike, pasi e njëjta ka hetuar dhe po hetonte raste të profilit të lartë.

“Puna e tyre ka treguar që askush nuk është i paprekshëm nga drejtësia. Normalisht ka pasur shumë gjëra të përmirësohen dhe kjo Task-Forcë të fuqizohet, qoftë nga rishikimi funksional ose nga rekomandimet e partnerëve strategjik si SHBA-ja dhe BE-ja”, ka shkruar Haradinaj.

Por, këtij reagimi nuk e la pa iu përgjigj kryeministri Hoti. I cili po ashtu përmes Facebook-ut shkroi se qeveria është e vendosur për të forcuar rendin ligjor dhe se “siguria juridike garantohet vetëm duke respektuar Kushtetutën, ligjet dhe institucionet shtetërore”.

“Politika nuk duhet të përzihet në drejtësi. Këtë e kemi bërë me vendimet që kemi marr në këta muaj të qeverisjes. Drejtësia duhet ta bëjë punën sipas ligjit, e jo sipas vendimeve të Qeverisë. Kthimi i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vend duhet të jetë angazhim i të gjithëve”, shkroi Hoti mbrëmë në Facebook.

Për këtë Task-Forcë ka reaguar edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, i cili tha se vendimi i qeverisë për të shuar Taskë-Forcën kundër korrupsionit ngrit shqetësime serioze mbi vullnetin politik për ta luftuar korrupsionin.

“Fatkeqësisht, vendimi i qeverisë për të shuar Taskë-Forcën kundër korrupsionit ngrit shqetësime serioze mbi vullnetin politik për ta luftuar korrupsionin në mënyrë efektive”, ka shkruar në Twitter ambasadori Rohde.

Ndryshe, Departamenti Special Anti-Korrupsioni, apo e ashtuquajtura ‘Task-Forca Anti-Korrupsion” ishte pjesë e policisë, që kishte për qëllim parandalimin, hetimin dhe zbulimin e veprave penale kundër ekonomisë, financave dhe korrupsionit, por edhe hetimin dhe luftimin e korrupsionit në nivel të lartë në Kosovë.

Ky departament ishte themeluar me vendim të Qeverisë së Kosovës, në bashkëpunim me misionin e BE-së për sundimin e ligjit, EULEX.

Kabineti qeveritar i Kosovës të hënën ka vendosur të mbyllë këtë departament, duke vlerësuar se kjo çështje tash duhet të rregullohet me legjislacionin e funksionimit të Këshillit Prokurorial dhe se mandati i EULEX-it, tashmë është ndryshuar. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat