Infermierët të pakënaqur me pagat – kërkojnë zgjidhje tek Zemaj e Hoti, ua përmendin edhe 2 milionëshin e vjedhur

Aktuale

Infermierët të pakënaqur me pagat – kërkojnë zgjidhje tek Zemaj e Hoti, ua përmendin edhe 2 milionëshin e vjedhur

Më: 25 tetor 2020 Në ora: 18:26
Foto ilustrim

Sindikata e Infermierëve, mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë, përmes një reagimi, i kanë adresuar një letër Ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemajt dhe Kryeministrit, Avdullah Hoti.

Ata përmes shkresës së tyre shprehin shqetësime lidhur me pagat duke pohuar madje që në këtë situatë, 18 euro janë pak, për punën që e kanë bërë gjatë kësaj pandemie.

Kjo sindikatë gjithashtu iu ka përmendur institucioneve të larta qeveritare, se kërkesat e tyre janë më të përshtatshme dhe më pak implikim sesa transferi 8 minutësh i 2 milionë eurove mjete nga Thesari i Shtetit që ndodhi ditë më parë.

Kryetari i kësaj Sindikate, Fitim Havolli, ndër tjera beson se është koha që asnjë infermier mos t’i përgjigjet ftesës për punë me COVID, derisa të rritet pagesa e ndërrimit të natës.

Më poshtë përmbajtja e plotë e reagimit të Sindikatës së Infermierëve të Kosovës

Kemi kërkuar rritje të pagesës së ndërrimeve të natës duke filluar nga QKUK, SHSKUK, Ministria e Shëndetësisë, Kryeministria deri në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Të gjitha ato kërkesa kanë mbetur në sirtar apo janë hedh, ndërsa ajo që ka mbetur është vetëm frustrimi dhe pakënaqësia e infermierëve me trajtimin që institucionet po e bëjnë në vazhdimësi.

Pandemisë me COVID-19 duket se fundi nuk do i vie tani së afërmi. Fundi i ka ardhur vetëm durimit të infermierëve të cilët dërgohen për punë me pacient me COVID-19, infektohen derisa disa prej ne edhe humbën jetën duke u shërbyer pacientëve të infektuar në mënyrë që Kryeministri, Ministri i Shëndetësisë, SHKUK dhe QKUK të dalin dhe të lavdërohen se çfarë pune të mirë dhe sa mirë po e menaxhojnë pandeminë.

Nga shembuj real ju themi që për punë me pacient me COVID-19 , çdo ndërrim nate, punë gjatë vikendit, festë apo çfarëdo tjetër është paguar vetëm 18€ dhe kjo mund të dëshmohet lehtësisht nëse vetëm shikohen listat e pagave.

Sidoqoftë, jemi të vetëdijshëm që situata nuk është normale sidomos nga 14 Mars 2020 dhe se duhet punuar ashtu si të mundemi në mënyrë që qytetarët të marrin kujdesin e merituar, mirëpo normale nuk është as edhe ndarja e pakuptimtë e fondeve në kohë pandemie ndërsa kërkesat dhe kujdesi për infermierët në krahë të të cilëve krenoheni për menaxhim të pandemisë, të jenë të parealizueshme, pa llogaritur edhe hemorragjitë financiare që po i ndodhin buxhetit të shtetit tani ditët e fundit.

Besojmë se është koha që asnjë infermier mos ti përgjigjet ftesës pë punë me COVID-19 deri sa të rritet pagesa e ndërrimeve të natës.

Nga 18€ në 36€ rritje është implikim buxhetor shumë i vogël për shtetin, ka mundësi më e vogël se transferi 8 minutësh nga Ministria e Infrastrukturës prej 2 milion eurove.

Apel institucioneve të lartë cekura,

Ju keni nevojë për, ne kemi nevojë për vëmendjen tuaj, ndërsa qytetari ka nevojë për të gjithë ne, andaj kërkesat tona trajtoni me seriozitet në mënyrë që të gjithë të dalim faqebardhë nga kjo gjendje.

Me respekt
Fitim Havolli
Kryetar, Sindikata e Infermierëve të Kosovës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat