Hoxhaj: PDK-së nuk i ngutet për presidentin

Aktuale

Hoxhaj: PDK-së nuk i ngutet për presidentin

Më: 26 tetor 2020 Në ora: 12:48
Enver Hoxhaj

Në debatin e fundit për zgjedhjen e presidentit të ri, është përfshirë edhe nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj.

Hoxhaj, ka thënë se sigurimi i numrave për zgjidhjen e presidentit të ri, iu takon partnerëve të koalicionit qeverisës, e veçmas Lidhjes Demokratike të Kosovës, si drejtuese e kësaj qeverie. Mirëpo, Hoxhaj thotë se Kosova ende e ka presidentin e saj dhe deri tek zgjedhja e presidentit të ri, janë më shumë se pesë muaj.

“Aktualisht Kosova e ka presidentin dhe i kemi edhe 5-6 muaj në dispozicion për të gjetur zgjidhje për këtë çështje. Edhe nëse çështja e presidentin vjen pas gjashtë muajsh edhe nëse vjen më herët, nuk është përgjegjësi e PDK-së për të gjetur zgjidhje. është detyrë e qeverisë që t’i sigurojë numrat për zgjidhjen e presidentit. Sa kemi qenë ne si PDK në pushtet, kemi bashkëpunuar edhe brenda koalicioneve, por edhe me opozitën, që të gjejmë zgjidhje për çështje të tilla dhe e kemi gjetur. Prandaj, LDK bashkë me partnerët e saj, le të mendojnë dhe le ta gjejnë zgjidhjen ata vetë”, ka thënë Enver Hoxhaj.

I pyetur se është duke u diskutuar futja e PDK-së në Qeverinë Hoti, Hoxhaj tha se kjo çështje nuk është në interes të partisë në të cilën gjendet dhe si rrjedhojë, siç thotë ai: nuk ka nevojë të diskutohet.

“Deri më tani ne nuk kemi pasur asnjë diskutim të vetëm brenda PDK-së, për atë se a duhet të hyjmë në Qeverinë Hoti, apo jo. Nuk ka qenë interes i PDK-së futja e kësaj qeverie e as nuk është, prandaj nuk jemi futur”, ka thënë Hoxhaj.

Zërat për përfshirjen e PDK-së në qeverinë aktuale, janë shtuar kohë më parë, pas deklaratës së zyrtarit të kësaj partie, Xhavit Haliti, i cili pati thënë që duhet të bëhen pjesë e qeverisë.

Futja e PDK-së në qeveri, sipas Xhavit Halitit, duhet të bëhet për shkak të rrethanave që gjendet Kosova, si në dialogun me Serbinë, por edhe për shkak të rrethanave të krijuara nga Gjykata Speciale.

Gjithashtu, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, është shprehur i interesuar për zgjerimin e koalicionit qeverisës. Muaj më parë, Mustafa bëri të ditur se LDK i ka hequr vijat e kuqe ndaj partisë së Kadri Veseli.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat