Çka ndodh tash pas dorëzimit të Kadri Shalës, tregon Policia e Kosovës

Aktuale

Çka ndodh tash pas dorëzimit të Kadri Shalës, tregon Policia e Kosovës

Më: 26 tetor 2020 Në ora: 14:38
Kadri Shala

Kadri Shala, pronar i kompanisë “LDA Group”, ku shkuan rreth 2.1 milionë eurot e shtetit nga disa transaksione ilegale, sot është dorëzuar në Polici.

Policia e Kosovës ka pohuar se Shala aktualisht është duke u intervistuar.

“Lidhur me rastin e poshtëshënuar, sot në Polici të Kosovës është vetedorëzuar një mashkull, i cili tani është në proces të intervistimit. Policia e Kosovës të gjitha veprimet e mëtejme lidhur me rastin dhe personin në fjalë do t’i ndërmerr në konsultim dhe koordinim me prokurorin kompetent”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Për herë të parë nga arratia, Kadri Shala u paraqit në mbrëmjen e së shtunës. Përmes vëllait të tij, ai kishte dorëzuar një letër të shkruar me dorë. Në këtë letër që mban datën 24 tetor 2020, Shala ka treguar historinë se si ka përfunduar një shumë kaq e madhe e parave nga buxheti i shtetit në llogarinë e firmës së tij. Ai ka thënë se kishte menduar që ka pranuar mjete nga kompanitë që siç tha, i kishin atij borxhe.

Shala kishte shkruar se posa ka marrë këto para, kishte nisur t’i shlyente borxhet që ua kishte personave e kompanive të ndryshme.

Më 20 tetor, punëtori i Thesarit, Labinot Gruda, u arrestua nën dyshimin se përmes katër transaksioneve ka transferuar saktësisht 2,077,995.90 euro nga buxheti i shtetit në llogarinë e kompanisë “LDA Group”.

Në llogarinë e “LDA Group” fillimisht ishin transferuar 622 mijë euro, herën e dytë 375 mijë, pastaj 330 mijë dhe për herë të fundit 750 mijë euro.

Hetimi për këtë vjedhje përfshin 40 njerëz, të cilët në forma të ndryshme dyshohet se janë bërë protagonistë të këtij skandali.

Skandali i vjedhjes së mbi dy milionë eurove nga buxheti i shtetit është planifikuar mbi një strategji që gjeti zbatim për 8 minuta, sipas dosjes së Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

Në kërkesën për caktimin e paraburgimin ndaj të arrestuarit Labinot Gruda, Prokuroria ka treguar se në Ministrinë e Financave, Labinot Gruda, për 8 minuta kishte krijuar llogari fiktive që do të duhej të dukeshin si të ishin të punëtorëve të këtij dikasteri, e që do t’i mundësonin atij pastaj që kundërligjshëm t’i transferonte 2,077,995.90 euro në llogari të kompanisë “LDA Group”, pronë e Kadri dhe Valon Shalës.

Për të arrestuarin e vetëm për këtë rast, zyrtarin e Thesarit, Labinot Gruda, Gjykata Themelore e Prishtinës të enjten ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Për këtë rast, në kërkim është edhe përfaqësuesi i autorizuar i “LDA Group”, Valon Shala.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat