Prapaskenat e pazareve për postin e presidentit

Aktuale

Prapaskenat e pazareve për postin e presidentit

Më: 26 tetor 2020 Në ora: 15:45
Foto ilustrim

Tetori po del të jetë muaji i zhvillimeve të papritura dhe paralajmërimeve për ndryshime të mëdha në politikën kosovare. Përkundër që është në opozitë, PDK-ja po del të jetë sërish subjekti që përcakton fatin e stabilitetit qeveritar.

Zhvillimet e fundit politike për postin e presidentit kanë rritur pazaret për rikonfigurimin e qeverisë Hoti. 

Partia Demokratike e Kosovës deri më tani në vazhdimësi ka mohuar që mund të bëhet pjesë e kësaj qeverie pasi është mirë në opozitë. 

Se nuk do të mund të kemi hyrje të PDK-së në qeveri e thotë edhe analisti Imer Mushkolaj, kjo pasi nuk po i konvenon që të hyjë vetëm në qeveri,  pa postin e presidentit. 

Ai, në një bisedë, thotë se po të donte PDK të i bashkohet këtij ekzekutivi, do ta bënte shumë më herët.

“Nuk besoj që PDK do të hyjë në qeverinë Hoti po që se paraprakisht nuk  e siguron postin e presidentit. E kjo gjë po del të jetë e vështirë për shkak se Isa Mustafa ka dalë se ende nuk ka hequr dorë në posti i presidentit e shto këtu edhe Ramush Haradinaj. Prandaj nuk do jetë e lehtë përfshirja e saj në qeveri pasi ajo synon më shumë se disa ministri, po të ishte vetëm të hynte në qeveri do ta bënte shumë kohë më parë. Por synimi tashmë dihet: posti i presidentit, e kjo po e frikëson Mustafën se mos po përsëritët i njëjti skenar si me zgjedhjen e Thaçit dhe të rrëzohet pastaj qeveria Hoti.”

Njësoj mendon edhe Xhevdet Pozhari. Në një deklarim për Syri, ai tha se partia e Veselit po synon postin e presidentit, mirëpo nuk e përjashton edhe të marrë hisen e “kulaçit të qeverisë”.

“PDK-ja do të pranonte ta heq ambalazhin e "opozitarizmit" vetëm në rast të një oferte të levërdishme, e cila do t'i sillte përfitime më të mëdha sesa opozitarizmi teknik. Posti i presidentit është një prej opsioneve, mirëpo edhe hisja në "kulaçin qeverisës". Kjo do të arsyetohej në emër të "unitetit politik" karshi procesit të dialogut, finalizimi i të cilit në masë të madhe varet nga fituesi i zgjedhjeve në SHBA. Deri atëherë PDK nuk ka arsye të ngutet. Marrëveshja midis palëve është e gatshme, pritet vetëm të bëhet publike e mbuluar me fraza "eurointegruese" dhe "proamerikanizëm”.

E shkuarja në zgjedhje më së paku do i shkonte përshtati PDK-së. Një konfirmim i mundshëm i aktakuzave ndaj Thaçit e Veselit mund të i “thyente krahët” këtij subjekti për të hyrë në fushat elektorale pa këta emra.

“Se kjo qeveri varet kryekëput sa i përket numrave në Kuvend nga vullneti i Listës Serbe është një fakt i ditur botërisht, njëjtë sikur se mbijetesa e saj sigurohet nga PDK, ish udhëheqësi i së cilës, tani president i Kosovës, trokiste në gjysmë të natës në dyert e deputetëve për t'ia siguruar votat. Për më tepër, në masë të madhe, hyrja ose jo edhe formalisht e PDK-së në qeveri do të varet nga zhvillimet në Gjykatën Speciale, e cila ka lakuar tashmë emrat e dy udhëheqësve të saj, Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit. Në rast të konfirmimit të një aktakuze eventuale, PDK nuk do të kishte interes të ketë zgjedhje. Me një AAK tekanjoze dhe kushtëzuese dhe pas heqjes së të ashtuquajturave "vija të kuqe" nga ana e Isa Mustafës, LDK pret që partneri i saj të bashkëngjitet që ta vazhdojnë rrugëtimin e bashkëqeverisjes thuajse dydekadëshe në Kosovë” - përfundoi Pozhari.

Kurse Mushkolaj thotë se vetëm LDK mund të kërkojë zgjedhje në rast se nuk arrihet një kalkulim i përshtatshëm për ta.

“Vetëm LDK mund të kërkojë që të shkojmë në zgjedhje gjithmonë nëse PDK e Haradinaj këmbëngulin në postin e presidentit, pasi frikësohet që do përsëritet skenari i 2016-s. Për mu kthy tek PDK, kjo është në një situatë të vështirë pasi jemi në pritje të një aktakuzës nga Specialja, kur dihet që Thaçi është një kryetar nën hije i këtij subjekti. Andaj kjo parti do të mund ta mas veten në këtë situatë pa Veselin e Thaçin. Prandaj më mirë për ta është të qëndrojnë në opozitë e të presin zgjedhjet kurdo që ato vijnë, në mënyrë që të hyjnë në zgjedhje si parti opozitare apo pjesë e kësaj qeverisjeje kur mund të kemi zhvillime dramatike  sa i përket liderit të saj. Pra PDK-ja është peng i veprimeve të Gjykatës” - tha Mushkolaj.

Vetëm gjatë javës që lamë kemi pasur takime të tre ish krerëve të UÇK-së, Thaçit, Veselit dhe Haradinajt e që një ditë pas pasoi një tjetër takim mes partnerëve të koalicionit.

Nga këto dy takime shumë pak gjëra u bënë publike, mirëpo nga burimet tona brenda këtyre partive kanë bërë me dije se tema diskutimi kanë qenë posti i presidentit dhe rikonfigurimi i mundshëm i qeverisë, gjithmonë në rast se Gjykata konfirmon aktakuzat ndaj Thaçit e Veselit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat