AAK i përgjigjet ashpër Lutfi Hazirit i cili tha se Isa Mustafa do të jetë President, ia përmendin edhe zgjedhjet e parakohshme

Aktuale

AAK i përgjigjet ashpër Lutfi Hazirit i cili tha se Isa Mustafa do të jetë President, ia përmendin edhe zgjedhjet e parakohshme

Më: 26 tetor 2020 Në ora: 16:20
AAK

Deklarata e nënkryetarit të LDK-së, Lutfi Haziri, se emri i vetëm për ta i pranueshëm për President të vendit, është ai i Isa Mustafës, ka ngjallur reagime nga ana e AAK-së së Ramush Haradinajt.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj, në një bisedë, thotë se ende janë duke e kuptuar se deklarimet e Lutfi Hazirit, janë qëndrime personale të tij e jo të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Selmanaj, ka lënë të nënkuptohet se nuk e kanë në plan të heqin dorë nga kandidatura e Ramush Haradinajt, për president të vendit.

“Unë e di që zotëri Lutfi Haziri është nënkryetar dhe ai e ka mendimin e vetë. Përnderisa nuk ka qëndrim zyrtar nga LDK për president, nuk po e shoh të arsyeshme ta komentojë këtë deklaratë. Ne ai AAK e kemi propozimin tonë dhe në momentin kur kjo temë të jetë në tavolinë, do të diskutojmë dhe do të gjejmë një kompromis. LDK mund të negociojë edhe me PDK-në për këtë cështje. Kur do të ketë dicka konkrete do të flasim”, ka thënë Rasim Selmanaj.

Selmanaj foli edhe rreth mundësisë që PDK të bëhet pjesë e Qeverisë Hoti.

Tha se kjo temë i takon kryeministrit Avdullah Hoti.

Në anën tjetër, mundësinë eventuale për shkuarje në zgjedhje, Selmanaj e komentoi duke thënë se një gjë e tillë është në dorë të PDK-së e LDK-së.

Por, gjithmonë sipas tij, se AAK nuk e ka ndërmend të heq dorë nga pozita e presidentit.

“Përderisa nuk ka një vendim në LDK, si AAK që ka votuar në këshillin drejtues për të vendosur një kandidaturë, atëherë unë e marr si qëndrim personal. Se a do të shkojë vendi në zgjedhje, mvarët prej LDK-së dhe PDK-së. Nëse nuk përkrahet kandidati ynë, ne e kemi qëndrimin tonë”, ka thënë Selmanaj për blic.

Gjatë ditës, nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri u shpreh se si parti nuk kanë biseduar me askënd në lidhje me postin e presidentit të vendit dhe rrjedhimisht nuk kanë marrëveshje me asnjë subjekt politik.

Por, Haziri para mikrofonit të KosovaPress u shpreh se mund të pranojnë edhe një emër që mund t’i afrojë të gjitha grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës.

Haziri: LDK do të pajtohet me çdo emër për president i cili ofron të gjitha partitë.

“Ende nuk kemi marrëveshje për president, unë po përsëris vazhdimisht që LDK-ja e ka ofruar rolin e vet konstruktiv për t’i dhënë vendit stabilitet. Ne jemi për një president konsensual, sa më konsensual në Kuvendin e Republikës, përtej saj nëse ka mundësi në mënyrë që t’i jepet vendit stabilitet. LDK nuk ka biseduar me askënd për çështjen e ndarjes së rolit të presidentit. Nëse LDK-së i bie në mandat, ose LDK-ja duhet ta udhëheqë, ne besoj që do të japim kontributin tonë dhe nuk kemi emër tjetër përpos Isa Mustafës. LDK-ja pajtohet parimisht me çdo emër i cili afron të gjitha palët, të gjitha partitë në Kuvend të Republikës për të zgjedhur një president sa më konsesual të mundshëm”, ka thënë Haziri.

Përpos zgjedhjes se presidentit, vendi do të shkojë edhe në zgjedhje lokal vitin e ardhshëm dhe shumë parti dhe kandidatë tashmë i kanë zyrtarizuar kandidaturat e tyre.

Në intervistën për KosovaPress, Haziri tha se nuk ka ndonjë ambicie për mandatin e pestë në krye të Komunës së Gjilanit, megjithatë u shpreh se dega e LDK në këtë qytet do të propozojnë një kandidat që shkon dhe përtej partisë.

“Sa i përket Gjilanit, unë jam në mandatin e katërt si i zgjedhur, nëse e bëjmë si ndarje sepse unë në vitin 2005 e kam marrë detyrën e ministrit dhe jam kthyer në Krishtlindjet e vitit 2013, në zgjedhjet e Komunës së Gjilanit. Nuk kam ambicie, përkundrazi unë po punoj shumë në Gjilan që t’i jap mbështetje një kandidati sa më konsensual të mundshëm që del, jo vetëm për LDK-në, por përtej LDK-së, qytetar i cili mund të marrë udhëheqjen e Komunës së Gjilanit në mandatin e ardhshëm në proces zgjedhor”, ka thënë Haziri.

Që nga momenti kur AAK e ka bërë publike kandidaturën e Ramush Haradinajt për President të vendit, nuk kanë munguar kërcënimet nga ana e tyre, se nëse një gjë e tillë nuk ndodhë, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

Ka qenë vetë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili kohë më parë tha hapur se dëshiron të bëhet president i vendit dhe arsyeja kryesore për një gjë të tillë, sipas Haradinajt, është fakti që ka çfarë t’i ofrojë vendit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat