Selmanaj: Specialja përveç që s’ka transparencë, është edhe e ndikuar politikisht

Aktuale

Selmanaj: Specialja përveç që s’ka transparencë, është edhe e ndikuar politikisht

Më: 26 tetor 2020 Në ora: 19:42
Rasim Selmanaj

Zyrtarisht, ende nuk dihet nëse propozim aktakuza ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe e kreut të PDK-së, Kadri Veselit është konfirmuar apo hedhur poshtë.

Rasim Selmanaj, deputeti i AAK-së ka thënë që kjo është një padrejtësi e madhe që po i bëhet vendit.

“Po vërtetohet që kur Paralmenti e ka votuar këtë Gjykatë, ka bërë një gabim. Jo vetëm individë, por edhe Kosova do t’i bartë disa prej pasojave që nuk është dashur të ndodhin. Jo që ne si AAK jemi kundër drejtësisë, por themelimi i një Gjykate Speciale ku ndjeken vetëm krimet e pretenduara që kanë mundur të ndodhin sipas tyre, nga ushtarët e UÇK-së; ndërsa qindra masakra, krime e gjenocid që ka ushtruar Serbia mbi popullin shqiptar nuk ndiqen”.

Sipas Selmanajt, pasojat e themelimit të kësaj Gjykate po shihen që tani, pasi sipas tij, jemi lajm në mediat botërore ‘se si shqiptarët kanë bërë kinse krime’.

“Përveç që s’ka transparencë, me vet faktin që këta publikojnë një draft –aktakuzë, ende pa pasë aktakuzë zyrtare, krijohet përshtypja që kjo Gjykatë është e ndikuar politikisht; edhe për faktin që edhe ai publikim është selektiv me fokus te Thaçi dhe Veseli”.

“Personalisht e ndaj mendimin që janë të ndikuar edhe nga qarqet e ndryshme politike. Është një padrejtësi e madhe ndaj vendit tonë, pasi ne nuk e kemi merituar këtë trajtim. Të gjithë e dimë që shqiptarët, kanë luftuar për të drejtat e veta. Edhe edhe po të kishim dashur s’kemi pasë fuqi për të bërë gjenocid; është Serbia ajo që ka e bërë gjenocidin”, është shprehur Selmanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat