Trafikimi i organeve dhe “shtëpia e verdhë”? Thaçi ka një kërkesë për Shqipërinë

Aktuale

Trafikimi i organeve dhe “shtëpia e verdhë”? Thaçi ka një kërkesë për Shqipërinë

Më: 26 tetor 2020 Në ora: 21:57
Hashim Thaçi

(E plotësuar) - Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tregoi detaje të pathëna në lidhje me intervistimin e tij nga Gjykata e Hagës, pas aktakuzës për krime lufte.

Thaçi rrëfeu se është pyetur për çdo gjë, por kurrë për akuzat e rënda të trafikimit të organeve dhe ekzistencën e Shtëpisë së verdhë në Shqipëri ku edhe thuhet se ndodhte trafikimi, siç akuzohet në raportin e përgatitura nga hetuesi i të drejtave të njeriut, Dick Marty.

Thaçi shkoi më tej dhe tha se këto akuza të rënda përveçse përlyejnë UÇK-në, rëndojnë edhe mbi vetë shtetin shqiptar. Prandaj, ai tha se Shqipëria duhet t’i drejtohet Këshillit të Europës.

Image
Thaçi gjatë intervistës

Skënder Minxhozi: Unë jam i bindur që aktakuza është një tentativë e shëmtuar mendoj që kemi të bëjmë me një makinacion më së shumti, por pse lidershipi i Kosovës nuk i gjeti forcat dhe të inicionte një proces të brendshëm hetimi, para se ta detyronin të huajt? Po flas për një pakt të madh mbi të shkuarën që të kishte një nismë sa më të pavarur dhe objektive për të parë drejt së shkuarës.

Hashim Thaçi: Limaj e Haradinaj janë thirrur në Hagë e kanë dalë të pafajshëm, vetë OKB ka bërë hetime. Pasi shpallëm pavarësinë u instalua Eulex që vijoi hetimet, burgosjet dhe gjurmimet e njerëzve të UCK. Për 17 vite ndërkombëtarët kanë hetuar në Kosovë, ndërkohë që shqiptarët e Kosovës s’kanë pas mundësi të hetojnë vetë pasi edhe drejtësia ka qenë nën autoritetin e ndërkombëtarëve. Njerëzit që kanë kryer gjenocid janë në Beograd. Drejtësia ndërkombëtare nuk bën përpjekje për t’i hetuar ata. Ne i dimë kush janë viktimat dhe kush agresorët.

“Sa i përket intervistimit tim, dua të them se UÇK ka qenë grumbullim i lirë nuk ka ndërhyrë askush me prirje terroriste, ka pas zero tolerancë, nuk janë lejuar shfaqjet radikale, pasi kurrë askush nuk do të na mbështeste”, tha Thaçi në studion e emisionit “Real Story” në News 24.

“Unë jam intervistuar për 4 pasdite, jam pyetur që momentin kur kam lindur edhe për vitin ‘88, ‘95, për çdo gjë më kanë pyetur. Raporti i Dick Marty-t atë jehonën e ka marrë me pretendimin për trafik organesh. Asnjë pyetje për trafik organesh nuk kam pasur unë. Gjithashtu as edhe një pyetje për shtëpinë e verdhë pasi nuk ka ekzistuar. Sot vetë shteti shqiptar duhet me pyet dikënd: Cfarë ndodhi? Se përmendet Shqipëria. I drejtohem qytetarëve të Shqipërisë dhe njerëzve të politikës, drejtuesve të shtetit atëherë, që flasin nëpër studio: Duhet të flasin hapur, ka pasur trafik organesh ? Ka pas shtëpi të verdhë? Cili ka qenë roli i UÇK-së? Shteti shqiptar ka lejuar trafik organesh? Ka lejuar shtëpinë e verdhë dhe kampe përqendrimi? Pra, akuzohet Shqipëria këtu. Në këtë moment Shqipëria duhet t’i drejtohet Këshillit të Europës, pasi është akuzë e rëndë. Unë si një nga të dyshuarit them le ta ftojnë Nanon për dëshmi edhe Mejdanin, edhe Majkon, edhe liderin e opozitës Berisha, edhe zotin Meta zv. kryeministër në atë kohë. Ata kanë njohuri për çfarë ndodhte në territorin e vetë”, tha Thaçi.

Pse u thirrët në Hagë? Thaçi zbulon të vërtetën

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, foli në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, lidhur me krimet serbe dhe marrjen e tij në pyetje nga Gjykata e Hagës.

I pyetur nga analisti Mentor Nazarko nëse janë dokumentuar krimet serbe, Presidenti Thaçi theksoi se gjenocidi, spastrimi dhe masakra serbe mbi shqiptarët është e dokumentuar dhe fajtor është shteti serb. Sa i takon marrjes në pyetje në Hagë, Thaçi theksoi se nuk ka asnjë akuzë politike ndaj tij, por gjithçka ka ndodhur për luftën e UÇK.

“Definitivisht jemi treguar të aftë, sa i përket krimeve serbe. Ne kemi dëshmuar shumë qartë këto krime. Rreth 500 mijë shqiptarë janë keqtrajtuar nga serbët. Edhe vetë shefi i OSBE ka dëshmuar para botës se në Kosovë po ndodhin krime. Krimet serbe janë dëshmuar. Unë jam ftuar si të gjithë ushtarët e luftës. I jam përgjigjur interesimit të tyre. Ka qenë gjithçka transparente. Kam qenë në cilësinë e të dyshuarit. Nuk kam pasur ndonjë gjë të keqe për të dëshmuar, përveç vlerave të luftës. Kemi pasur një rrethanë që është imponuar jo vullnetshëm, themelimin e dhomave të specializuara. Asgjë nuk më sfidon përballë interesit të shtetit të Kosovës për të ruajtur marrëdhëniet e mira me SHBA dhe BE.

Tribunali i Hagës ka pasur 17 vite kohë, që kur nisi dhuna masive ndaj shqiptarëve, që të ballafaqohet me krimet serbe. Edhe gjenocidi, edhe spastrimi ekonomik e 400 masakra janë të dokumentuara. Dhuna në Kosovë nga ana e Serbisë, gjenocidi, ka adresë, është shteti i Serbisë, jo individë. Ata kanë funksionuar si shtet, Parlamenti, qeveria, shtabi, policia, ushtria, etj, etj. Unë besoj se një ditë rrëfimi im në gjykatë do të jepet hapur, ku do të mund ta dëgjojnë të gjithë ballafaqimin tim. Jam pyetur për gjëra që ata kanë menduar se i di. Kanë qenë gjëra që ne bashkë i kemi kërkuar dhe gjetur edhe në google. Unë nuk kam pasur asnjë akuzë politikisht, por vetëm për rolin tim në luftën e UÇK”, tha Presidenti Thaçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat