​Zemaj kërkon disiplinë nga qytetarët

Aktuale

​Zemaj kërkon disiplinë nga qytetarët

Më: 27 tetor 2020 Në ora: 11:57
Zemaj dhe Ahmeti

Rritja e numrit të rasteve të reja me COVID-19 është si pasojë e mos disiplinës individuale. Kështu tha ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj pas takimit me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ku tha se do të ketë masa, duke mos përjashtuar as kufizime, nëse do të ketë mos disiplinë.

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj, tha se kanë bashkëpunuar me te gjithë komunat për të luftuar pandeminë.

"E kemi ndjek një politikë të përbashkët për krijimin e një fronti të përbashkët për luftimin e pandemisë. Kohët e fundit jemi përballur me një rritje të numrit. Biseduam për menaxhim të mirë, një vigjilencë të mbikëqyrjes dhe koordinimin mes institucioneve”, u shpreh ai.

Ai tha se Kosova aktualisht është ndër 5 vendet me situatën më të mirë me pandeminë, por që tha se kujdesi duhet të vazhdojë.

"Jemi ndër 5 vendet me situatën më të mirë, akoma jemi në zonën e gjelbër dhe mos e dhëntë Zoti të kthehemi në të kuqen. Duhet përkushtim i të gjithëve që ta mbajmë ekonominë gjallë. Do të ketë sanksione për ata që nuk respektojnë masat. Po kërkohet respektim i masave. Rritja e numrit të rasteve është nga mos disiplina individuale. Mos disiplina nuk i konvenon askujt. Mos i vritni familjarët tuaj. Dje kemi pasur një vdekje të një personi të vitit 1933, ai nuk ka dal për ta marrë virusin, dikush ia ka dërguar në shtëpi. Do të ketë masa, qoftë kufizime nëse ka mos disiplinë", tha ai.

Kryetari i Komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, tha se nuk janë të interesuar që të shtojnë masat, por kjo tha se varet edhe nga qytetarët.

"Nuk jemi të interesuar për karantinë, të reduktojmë orarin, por kjo varet vetëm nëse jemi në koordinim me qytetarët. Unë dje e kam ngritur një alarm. Dje e pardje i kemi këto shtimet në numrit e të infektuarve dhe jemi pak të brengosur. Ju kishim lutur që tash të mos bëhemi më inspektorë se inspektorët. Tek ‘kafet e rakisë’ bëhen ka 200-300 veta, nuk do t’i tolerojmë me idenë e vetme që të mos rriten rastet. Fokusin e kemi që ta ngadalësojmë", tha ai.

Ahmeti foli edhe për procesin mësimor në vend, ku tha se aktualisht është ndër sistemet më të mira të funksionimit gjatë pandemisë. Ai tha se kur në një shkollë arrihet 5 përqind e personave të infektuar ajo shkollë kalon në mësim online dhe pas disa jave kthehet sërish në mësim në objekte shkollore.

Kreu i Prishtinës bëri të ditur se në muajin nëntor do të bëjnë hulumtimin me 3 mijë qytetarë të cilët do të testohen për të kuptuar se a e kanë kaluar sëmundjen Covid-19.

"3 mijë qytetarë do t’i testojmë në nëntor. Ideja është që ta kuptojmë se cila është përqindja e personave që e kanë kaluar Covidin. Koha po bëhet më e ftoftë, ndotja po bëhet më aktuale, gripat sezonale do të jenë më aktuale. Nuk po e dimë çka na pret, nuk po e dimë. Mos ta detyrojmë ministrinë për restrikcione shtesë", tha Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat