​ZRRE pranon se “Kelkos” dhe hidrocentraleve tjera u është lejuar puna edhe pa licencë

Aktuale

​ZRRE pranon se “Kelkos” dhe hidrocentraleve tjera u është lejuar puna edhe pa licencë

Më: 27 tetor 2020 Në ora: 14:32
Foto Ilustrim

Mbi 20 hidrocentraleve, ndër to edhe “Kelkosit” u është lejuar operimi nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) pa licencë.

Një gjë e tillë është konfirmuar sot gjatë raportimit të kryesuesit të Bordit të ZRRE-së Arsim Janova në Komisionin për Ekonomi lidhur me funksionimin dhe operimin e hidrocentraleve.

Ai ka thënë se janë treguar tolerantë me ata prodhues të energjisë që i kanë pasur lejet tjera.

Janova: Ka qenë një tolerancë për “Kelkos” dhe të tjerë, ndoshta nuk është dashur

“Nuk po e mohoj atë që e kemi lejuar. Ka qenë një tolerancë që ndoshta nuk është dashur, por s’ka qenë vetëm ky gjeneratorë. Kemi edhe 23-24 gjeneratorë të tjerë. Mirëpo, në aspektin mjedisor duhet të adresohet se ka bërë dëme nga ministria përkatëse. Sa i përket konsumatorëve, nuk iu kemi bërë dëm”, tha ai.

Deputetja Mimoza Kusari-Lila ka pyetur Janovën se cilat masa do të ndërmerren ndaj operatorëve pa licencë ose cilat masa janë ndërmarrë për operimin ilegal.

Kusari-Lila: Pse një operator që vepron jashtëligjshëm furnizon manastirin e Deçanit me rrymë pa faturuar

“A keni dosje të “Kelkosit” ju në ZRRE? Çka është shumë me rëndësi ta dimë, pse një operator i cili vepron jashtëligjshëm për një vit furnizon manastirin e Deçanit me rrymën e pa faturuar. Operon, vendos rrymë në sistem për dy vjet nga operatorë që nuk kanë licencë, përfshirë këtu që s’kanë as procedurë të nisur. Prandaj, pse ju i zgjatni në vazhdimësi lejet përkundër faktit që prej vitit 2016 është diskutuar çështja e lejes mjedisore për kompaninë në fjalë”, tha Kusari-Lila.

Ndërsa, pas pyetjes së deputetes Kusari-Lila se a është sanksionuar “Kelkos” për hidrocentrale ilegale, kryesuesi i Bordit të ZRRE-së Janova tha se penalizmi ka ndodhur vetëm me ndërprerjen e tërësishme të veprimtarisë së “Kelkos”.

Ai përmendi si pengesë kryesore për licencim mos koordinimin e institucioneve përkatëse, dhe se “Kelkos” është pa licencë si pasojë e mungesës së lejes mjedisore.

Ndërkohë që në mbledhjen e Komisionit ishte paraparë të raportojë ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi lidhur me emërimet e fundit në bordet e përkohshme, gjendjen dhe veprimet e Qeverisë në ndërmarrjen Trepça, ai nuk ishte serish i pranishëm.

Edhe pse Kuçi kishte deleguar zëvendësin e tij Rexhep Kadriu për raportim, një gjë e tillë nuk u lejua nga kryetari i Komisionit Endrit Shala, i cili tha se në raportim para anëtarëve të komisionit duhet të jetë i pranishëm vetë ministri.

Shala: Në raportim duhet të jetë ministri Kuçi, zëvendës ministri s’pranohet në raportim

“Prania e të autorizuarve të tjerë, në këtë rast e zëvendës ministrave nuk pranohet në këtë Komision nga ana jonë si deputet. Kështu që këtë pikë të rendit të ditës e shtyjmë për një mbledhje tjetër kur ministri do të jetë i pranishëm në raportimin për çështjen e emërimeve të fundit në bordet e ndërmarrjeve publike dhe gjendjen në ndërmarrjen Trepça”, tha Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat