Ja projektet që u dëmtuan nga vjedhja e 2 milionë eurove nga buxheti i ministrisë

Aktuale

Ja projektet që u dëmtuan nga vjedhja e 2 milionë eurove nga buxheti i ministrisë

Më: 27 tetor 2020 Në ora: 16:11
Arban Abrashi

Tri projekte të rëndësishme të Ministrisë së Infrastrukturës janë dëmtuar të premten e 9 tetorit në mesditë si pasojë e katër transaksioneve që morën mjete të destinuara për projekte të ndryshme e i çuan afro 2.1 milionë euro në një kompani private që s’ishte kontraktuar kurrë nga kjo ministri.

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, në një konferencë të përbashkët për media me sekretarin e kësaj ministrie, Izedin Bytyqin, ndër tjerash, ka thënë se janë dëmtuar një numër i projekteve me rëndësi për qytetarët.

“Ministria e Infrastrukturës është palë e dëmtuar dhe janë dëmtu taksat e qytetarëve. Janë dëmtu një numër i projekteve që janë me rëndësi për qytetarët dhe zonat ku janë duke u realizu ato projekte. Dhe do të bëjmë çmos, do t’i ndihmojmë të gjitha organet e tjera që këto taksa dhe këto mjete të kthehen në buxhetin e ministrisë”, tha Abrashi.

Ndërsa sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës, Izedin Bytyqi, specifikoi projektet që janë dëmtuar nga vjedhja e afro 2.1 milionë eurove nga buxheti i kësaj ministrie.

“Mjetet janë marrë prej tri projekteve: është projekti Zhur-Dragash-Brod, projekti Prishtinë-Mitrovicë dhe projekti Prizren-Prevallë”, tha Bytyqi.

Ndërkaq ministri Arban Abrashi ka treguar se kompania “LDA Group” me bazë në Llapushnik të Drenasit nuk ka qenë e kontraktuar asnjëherë nga ministria. Pavarësisht kësaj, kompania e Kadri e Valon Shalës përfitoi këto mjete, duke shpërndarë pastaj një pjesë të tyre në xhirollogari të individëve e bizneseve të ndryshme.

Zyrtari i Thesarit, Labinot Gruda, që ishte i angazhuar t’u krijonte qasje elektronike zyrtarëve të tjerë, u arrestua më 20 tetor me dyshimin se me katër transaksione, i kishte transferuar mjetet në kompaninë “LDA Group”. Atij i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat