Pesë vite nga nënshkrimi, Kosova lë shumë për të dëshiruar në zbatimin e MSA-së

Aktuale

Pesë vite nga nënshkrimi, Kosova lë shumë për të dëshiruar në zbatimin e MSA-së

Më: 27 tetor 2020 Në ora: 23:58
Foto ilustrim

Janë bërë pesë vjet prej kur Kosova dhe Bashkimi Evropian kanë nënshkruar Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Megjithatë, sipas ekspertëve, Kosova nuk ia ka dalë t’i përmbushë shumë kritere të kësaj marrëveshje.

Në tetor të 2015-tës, ish-kryeministri Isa Mustafa, e asokohe krye diplomatja evropiane, Frederica Mogherini, nënshkruan marrëveshjen e parë dhe të vetme deri tash kontraktuale mes Kosovës e Bashkimit Evropian, atë të Stabilizim Asociimit.

Kështu, Kosova zotohej se do t’i përmbushte obligimet që dalin nga MSA-ja, në mënyrë që të vazhdojë rrugën e saj integruese drejt Bashkimit Evropian.

Mirëpo, pesë vjet pas, analistët vlerësojnë se institucionet lënë shumë për të dëshiruar në zbatimin e saj.

“Në aspektin praktik mendoj se kanë mbet shumë gjëra, përveç nënshkrimit, hyrjes në fuqi, vendosjes së raporteve bilaterale me BE-në, që janë obliguese në një formë, përveç kësaj mendoj se kanë mbetur shumë aspekte të tjera që duhet të zbatohen dhe mendoj se institucionet e tona lënë shumë për të dëshiruar kur flasim për zbatimin e kësaj marrëveshje”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Emrush Ujkani.

E për Butrint Berishën nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike, edhe Bashkimi Evropian në disa pika nuk tregoi interes për zbatim.

“Edhe në pjesën e BE-së ka pasur pjesë ku ka mundur të bëhet më shumë, ta zëmë tek titulli 2 i MSA-së, që trajton politikën e jashtme, aty parashihet që Kosova dhe Bashkimi Evropian të harmonizojnë politikën e jashtme dhe të sigurisë, madje aty ceket gjithashtu që BE-ja do të ndihmojë Kosovën për anëtarësim brenda shoqërisë ndërkombëtare ku lejohet, d.m.th. parashihet që BE-ja ta ndihmojë Kosovën për anëtarësime në organizata ndërkombëtare, sidoqoftë për këtë pikë nuk ka pasur interes nga ana e BE-së që të zbatohet”, deklaroi Butrint Berisha.

Në Kosovë, sipas dy analistëve ishte pritur me entuziazëm nënshkrimi i MSA-së. Megjithatë, kaq vjet pas arritjes së marrëveshjes,  vendi nuk ka përmbushur pritshmërinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat