Shala: Dënimet për mosmbajtjen e mësimit online janë njëjtë si të ishim në shkollë

Aktuale

Shala: Dënimet për mosmbajtjen e mësimit online janë njëjtë si të ishim në shkollë

Më: 28 tetor 2020 Në ora: 00:48
Shpresa Shala

Shpresa Shala, drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës, ka thënë se dënimet për mosmbajtjen e mësimit online për mësimdhënësit dhe nxënësit janë të njëjta sikur të ishin në shkollë.

Ajo ka thënë se janë vetëdijesuar edhe mësimdhënësit, porse janë shtuar edhe kontrollet.

“Tash shkollat të cilat kaluar në skenarin C janë duke e përdorur platformën e E-shkollorit dhe kemi mundësi t’i shohim edhe kyçjet e mësimdhënësve dhe mbajtjen e orëve mësimore. Dhe aty shihet se në fakt janë 90 për qind e mësimdhënësve të cilët e mbajnë mësimin online dhe ajo pjesë që nuk kyçen janë ose raste të mësimdhënësve që janë të infektuar me COVID-19 ose janë mësimdhënës të cilëve ose iu mungon rrjeti, ose kanë vështirësi teknike”, shprehet Shala. “Edhe drejtori i shkollës e ka mundësinë ta shohë se në çfarë kohe është kyçur mësimdhënësi, sa ka qëndruar me fëmijë dhe aktivitetet të cilat i ka bërë brenda një ore mësimore”.

Dënimet sipas saj tani llogariten njëjtë sikur të ishin në shkollë.

“Në periudhën e parë nuk u janë dhënë vërejtje as për nxënës as për mësimdhënës, mirëpo tanimë ato mungesa të orëve llogariten si mungesa në shkollë edhe për nxënësit edhe për mësimdhënësit. Nëse një mësimdhënës, tri ditë nuk hyn në mësimin online atëherë llogaritet që tri ditë nuk ka qenë në punë dhe pasojat janë njëjtë sikur me qenë në shkollë”, thotë Shala.

Ajo ka shtuar se gjithashtu tani janë përkujdesur që edhe pajisjet të mos u mungojnë.

“Ne jemi të vetëdijshëm se nuk i kanë njohuritë në teknologji të gjithë mësimdhënësit njëjtë, dhe gjithashtu e dimë se nuk i kanë mundësitë ekonomike që t’i sigurojnë pajisjet, por tani mund të themi se çdo familje një pajisje e ka dhe jemi përpjekur që të gjitha pajisjet që shkolla i ka të iu japim mësimdhënësve që i kanë mungesë”, ka thënë Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat