Salih Mustafa: Millosheviqi nuk na la zgjidhje tjetër pos luftës

Aktuale

Salih Mustafa: Millosheviqi nuk na la zgjidhje tjetër pos luftës

Më: 28 tetor 2020 Në ora: 16:16
Salih Mustafa

Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, është deklaruar rreth luftës së UÇK-së në paraqitjen e sotme në Dhomat e Specializuara.

Mustafa është shprehur i bindur se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, dhe se regjimi i Sllobodan Millosheviqin nuk i kishte lënë popullit të Kosovës zgjidhje tjetër përpos luftës.

“Fillimisht ju falenderoj që ma dhatë mundësinë të shprehem për atë që jam i bindur…. Pasi që jam qytetari i parë i Kosovës i nxjerrë para kësaj Gjykate me aktakuzë të konfirmuar, dua t’i them ca fjalë… Unë Salih Mustafa, ish-luftërtar i lirisë dhe ish-epror i UÇK-së, duke besuar thellë në betimin e ushtarit të UÇK-së dhe moralin e bashkëluftëtasrëve të mi. Duke qenë thellë i bindur se lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë, e pashmangshme dhe e domosdoshme, sepse regjimi i gjatë në përmasa gjenocidiale i Sllobodan Millosheviqit si dhe pas luftërave të përgjakshme të këtij kasapi, mua dhe popullit tim nuk na kishte lënë zgjidhje, pa nder, dhe pa liri, ose ta organizojmë një rezistencë që kulmoi me luftën për liri dhe pavarësi”, tha Mustafa.

Aktakuza e konfirmuar kundër Mustafës pretendon se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar.

Në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: “ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat