Aplikimi për grante tani edhe “online”, Mustafa njofton se i kanë dyfishuar edhe subvencionet

Aktuale

Aplikimi për grante tani edhe “online”, Mustafa njofton se i kanë dyfishuar edhe subvencionet

Më: 28 tetor 2020 Në ora: 16:42
Besian Mustafa

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Besian Mustafa, të mërkurën ka vizituar fshatin Mramor në komunën e Prishtinës, për të parë nga afër punën që po bëhet në sektorin e bujqësisë.

Pas vizitës ministri Mustafa, ka njoftuar se këtë vit subvencionet do të paguhen dyfish, për të gjitha kulturat bujqësore. Derisa ka theksuar se sistemi për aplikim të granteve ka kaluar në “online”, për të mënjanuar kështu keqpërdorimet e mundshme.

Mustafa: Sistemin për aplikim të granteve e kemi kaluar në sistem online

“Një vizitë te disa fermerë bujq, blegtorë, fermerë të pulave vojse, grumbullues dhe përpunues, për të parë punën e zellshme që po bënë sektori i bujqësisë në këtë fshat. Por edhe për t’i njoftuar se këtë vit do t’i paguajmë subvencionet dy herë, për të gjitha kulturat bujqësore. Dhe po ashtu për të njoftuar të gjithë bujqit, grumbulluesit, përpunuesit pra të gjitha agrobizneset në Kosovë, se këtë vit sistemin për aplikim të grante e kemi kaluar në sistem online, duke mënjanuar mundësit për keqpërdorime të mundshme, duke ndërtuar një sistem “fer” për të gjithë aplikuesit. Askush nuk mund të dëmtohet”, ka thënë ai.

Ndërkaq, ka shtuar se 79 milionë euro është shuma që fermerët do të përfitojnë për vitin 2020.

Mustafa: 79 milionë euro për fermerët kosovarë për vitin 2020

“Për subvencione buxheti i rregullt është 24 milionë, ndërsa në kudër të pakos për rimëkëmbje ekonomike edhe 24 milionë tjera. Pra 48 milionë euro për subvencione. 29 milionë euro për grante dhe 2 milionë euro për subvencionimin e normave të interesit për agrokreditë. Pra gjithsej 79 milionë euro për fermerët kosovarë për vitin 2020. Që nga dje kemi filluar me shpërndarjen e fondeve apo subvencioneve fillimisht me rreth 11 milionë euro pagesa dhe çdo ditë do të vazhdojmë me rreth 3 milionë euro, deri në përfundimin e pagesës së parë dhe pastaj do të fillojmë me pagesën e dytë”, ka thënë Mustafa.

Ministri Mustafa, tha se përkrahja ndaj fermerëve ka për qëllim kthimin e vitit 2020 nga një vit plot sfida për bujqësinë, në një vit të fuqishëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat