I shpëtoi atentatit, Sami Lushtaku pranon fajësinë, reagon Gazmend Halilaj

Aktuale

I shpëtoi atentatit, Sami Lushtaku pranon fajësinë, reagon Gazmend Halilaj

Nga: N.Sh Më: 28 tetor 2020 Në ora: 16:54
Sami Lushtaku

Sami Lushtaku, gjatë ditës së sotme, në seancën fillestare e ka pranuar fajësinë për kanosjen e avokatit Gazmend Halilaj, ndërsa kushëriri i tij, Ibrahim Lushtakut si dhe Xhelal Zeqirit e kanë pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje, kurse janë deklaruar të pafajshëm për veprat e tjera.

E pas pranimit të Lushtakut në Gjykatë ka reaguar avokati Gazmend Halilaj.

Halilaj thotë se koha po e dëshmon që e ka thënë të vërtetën edhe pse disa media kanë tentuar ta degradojnë atë.

Ai përmes një postimi në Facebook, shkruan se, flet aq shpejt sa që shumë njerëz e kanë vështirë të besojnë.

Në fund të reagimit ai ka falënderuar ata që i kanë besuar.

“Vëllezër, pavarësisht disa mediave të cilat ndër vite, të nxitur nga shkelësit e ligjit u munduan të më degradojnë ,,koha e dëshmon që unë e flas të vërtetën,, natyrisht e flas aq shpejt sa që nga shume njerëz është vështirë të besohet.

Faleminderit miq, që më besuat ndër vite...”, shkruan Halilaj.

Sipas aktakuzës, Sami Lushtaku po akuzohet për veprën penale të kanosjes kurse Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri po akuzohen për vrasje të rëndë të mbetur në tentativë. Po ashtu, këta të fundit po akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa Ibrahim Lushtaku edhe për asgjësim apo dëmtim të pasurisë.

Sami Lushtaku po akuzohet se pas një shkrimi të të dëmtuarit Gazmend Halilaj, në rrjetin social “Facebook”, të datës 11 prill 2020, në të cilin pretendohej se Sami Lushtaku qëndron prapa keqpërdorimit të 1.4 milion markave gjatë kohës së luftës, ky i fundit e kishte thirrur në telefon Halilajn dhe i ka kërkuar që t’i heqë ato shkrime duke e sharë fyer dhe me qëllim të frikësimit e kishte kërcënuar me fjalët “ku je se pa ardh me të kall nuk kam me lan”, me ç’rast tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë dhe ankth.

Me këtë, Sami Lushtaku po akuzohet se ka kryer veprën penale “Kanosje” nga neni 181 par2 të Kodit Penal.

Për këtë vepër penale, dënimi i paraparë është me gjobë ose me burgim deri në një vit.

Sipas aktakuzës, pasi që avokati Gazmend Halilaj kishte bërë një shkrim në rrjetin social “Facebook”, më 11 prill 2020, kundër Sami Lushtakut, kushëriri i këtij të fundit, Ibrahim Lushtaku, me qëllim të hakmarrjes dhe në bashkëkryerje edhe me të akuzuarin Zeqiri, më 14 prill 2020, ia kishin zënë pritën Halilajt.

Me të parë Halilajn, vazhdon aktakuza, i akuzuari Ibrahim Lushtaku me dashje që ta privojë nga jeta e ka goditur fuqishëm veturën e të dëmtuarit Halilaj, ashtu që në këtë moment, Halilaj kishte dalë nga vetura dhe kishte filluar të ikë.

Sipas aktakuzës, edhe të akuzuarit Lushtaku dhe Zeqiri kishin dalë pastaj nga vetura dhe kishin shtënë me armë në drejtim të Halilajt por nuk kishin arritur ta godasin.

Me këto veprime, prokuroria i akuzon Ibrahim Lushtakun dhe Xhelal Zeqirin se kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë.

Për shkak se i kishte shkaktuar dëme në lartësi prej 2,700 euro veturës së të dëmtuarit Halilaj, Ibrahim Lushtaku akuzohet nga prokuroria edhe për veprën penale të asgjësimit apo dëmtimit të pasurisë.

Po ashtu, Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri akuzohen edhe se në kundërshtim me ligjin për armët kanë mbajtur armë pa leje. Lushtaku akuzohet se ka mbajtur pa leje një revole të tipit “Ekol”, kurse Zeqiri një armë të tipit “Cervena Zastava”.

Me këtë, të dy këta akuzohen për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat