​Ministrja Bajrami për skandalin e 2 milionëshit: Janë bllokuar 560 mijë euro

Aktuale

​Ministrja Bajrami për skandalin e 2 milionëshit: Janë bllokuar 560 mijë euro

Më: 28 tetor 2020 Në ora: 17:04
Hykmete Bajrami para Komisionit

(E plotësuar) - Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur sot se janë bllokuar 560 mijë euro në llogari të ndryshme dhe janë konfiskuar tri vetura në vlerë 60 mijë eurove në lidhje me “avullimin” e 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit.

Bajrami në Komisionin për Buxhet dhe Transfere ka ndarë detaje se si është kryer vjedhja nga Thesari i Shtetit.

Ajo tha se zyrtari tashmë i paraburgosur Labinot Gruda, ka tejkaluar autorizimet duke keqpërdorë detyrën zyrtare derisa ka kryer katër transaksione nga Thesari i Shtetit.

Bajrami: Te divizioni i pagesave në Thesar, gjithçka është dukur në rregull

“Ka hyrë te sistemi, ka krijuar një llogari që ne po i themi user në gjuhën e IT-së dhe ka bërë urdhërblerjen, ka kaluar në hapin tjetër e ka bërë pranimin e mallit, ka kaluar te certifikimi i dokumentacionit, e ka bërë shpenzimin dhe në fund do të thotë krejt e ka bërë edhe certifikimin dhe aprovimin. Tash të gjithë këta hapa deri te certifikimi ky i ka bërë me lehtësi sepse ka qenë personi i cili ka krijuar këto qasje për organizatat buxhetore dhe këto i ka bërë me emra fiktivë. Kur ka ardhur te certifikimi, ai ka përdorur llogarinë e zyrtarit të Ministrisë së Infrastrukturës. Kur është bërë kërkesa për verifikimin e transaksionet, kërkesa u bë që ‘mbylleni edhe userin e këtij personi sepse ky ka 9 muaj që nuk punon si certifikues’. Çka ka ndodhur? Ai e ka përdorur sigurisht pasi e ka pasur informacionin që ky zyrtar nuk punon te certifikimi, e ka marrë lejekalimin e tij, e ka resetuar dhe ka hyrë e ka bërë certifikimin e lëndës gjithashtu...Pas certifikimit të lëndës kalon te divizioni i pagesave në Thesar, gjithçka është dukur në rregull, sepse divizioni i pagesave hyn në sistem dhe i sheh klikat, të gjitha këta hapa janë dukur në rregull”, tha ajo.

Ministrja Bajrami tha se tashme i kanë ndërmarrë të gjitha hapat dhe se kanë marrë masa shtesë për të shtuar kontrollet me rastin e kryerjes së pagesave nga Thesari i Shtetit.

Ajo tha se nga informatat që kanë nga Thesari, një vjedhje e tillë nuk ka ndodhur asnjëherë më parë pasi në fund të çdo muaji vjen deri te barazimi i shumave të parave me të gjitha organizatat buxhetore.

Bajrami: Janë bllokuar 560 mijë euro, janë konfiskuar tri vetura

“Kjo nuk ka pasur mundësi të ndodhë më herët, sepse në fund të muajit Thesari barazohet me çdo organizatë buxhetore me dokumente dhe gjithashtu është thënë edhe në qoftë se nuk do të ishte vërejtur mungesa e mjeteve në Ministri të Infrastrukturës më së largu në fund të muajit kur kishin prurë dokumente organizata buxhetore, aty duhet të bëhet barazimi cent me cent për buxhetin e asaj organizate. Ne kemi njoftuar të gjitha organet, AKI-në, Prokurorinë, Njësinë e Inteligjencës Financiare, kemi kërkuar ndihmë prej donatorëve për masa ekstra për hetim. Më lejoni t’iu them që deri më tani janë bllokuar 560 mijë euro nëpër xhirollogari të ndryshme prej ku janë bërë transaksione dhe janë konfiskuar tri vetura në vlerë 60 mijë euro. Ky krim është komplet i gjurmueshëm”, tha ajo.

Ministrja Bajrami tha se beson që mjetet do të kthehen dhe se organizatorët e këtij krimi do të marrin dënimin e merituar.

Zëvendësdrejtoresha e Thesarit të Shtetit, Medije Musliu, para deputetëve ka treguar të gjithë hapat se si bëhet ekzekutimi i një pagese përmes Thesarit. Ajo ka dhënë detaje edhe për kohën kur janë kryer katër transaksionet nga Thesari i Shtetit.

Musliu: Procesi i certifikimit ka ndodhur diku rreth orës 12:48

“Kanë filluar kah ora 11 e 44 më duket ose 48 nuk e di saktë. Procesi i fundit, procesi i certifikimit ka ndodhur diku rreth orës 12:48. Zyrtari i cili tash ka të gjitha të dhënat nga sistemi, na kanë orientuar se kujt t’i drejtohemi, thotë se këto janë kryer prej kësaj kohe deri në këtë kohë dhe janë kryer në kohën kur ofrohet pauza. Pauza prej orës 12:00 dhe janë përfunduar para se të kthehen të tjerët në zyre. Prej krijimit të user deri te certifikimi, krejt procesi”, tha ajo.

Ajo tha se i kanë dorëzuar të gjitha të dhënat tek organet e drejtësisë, derisa potencoi se i dyshuari Labinot Gruda kur ka shkuar në punë është regjistruar, por të njëjtën nuk e ka bërë në përfundim të orarit. Po ashtu, ajo deklaroi se për të njëjtin nuk kanë pasur asnjë dyshim apo informatë se ka keqpërdorur më herët emrat e përdoruesit apo fjalëkalimet e dikujt tjetër.

Deputeti i PDK-së Kujtim Gashi, ka pyetur ministren Bajrami, se paratë e marra nga Ministria e Infrastrukturës a janë nga projektet e rrugëve Zhur-Dragash dhe Prizren-Prevallë. Po ashtu, ai ka pyetur se pse kontrata për rrugën Prizren-Prevallë është nënshkruar nga zëvendësministri i Infrastrukturës në kohën kur ministri Arban Abrashi ka qenë në SHBA.

Por, për këtë përgjigje nuk ka marrë nga ministrja Bajrami, e cila tha se këto pyetje janë jashtë kompetencave të saj.

Bajrami: Janë komplet jashtë kompetencës time

“Janë komplet jashtë kompetencës time këto që po pyetni, sidomos pyetja e fundit. E para, unë bashkë me ministrin nuk kam qenë në SHBA, nëse ai ka qenë dhe ia ka nënshkruar dikush kontratën, do të thotë e ka nënshkruar zëvendësi i tij nuk mund të përgjigjem, sinqerisht jo. Ministri i Infrastrukturës nuk më raporton mua”, tha ajo.

Përplasje ka pasur mes ministres së Financave Hykmete Bajrami dhe deputetes së LVV-së Mimoza Kusari-Lila, ku kjo e fundit tha se rastin po e marrin me qetësi.

Kusari-Lila: Buxheti i shtetit ka humbur 2 milionë euro

“Për përgjegjësinë brenda institucionit i mbanë edhe ministri edhe Qeveria, nuk mund të gjithë të tërhiqen dhe të thuhet na ka ndodhur kjo dhe do të sigurohemi, pasi që këtu duhet të ekzistojë një përgjegjësi politike, institucionale, e mbi të gjitha morale për të pasur një organizim të mirëfilltë. Qetësia e përshkrimit të rastit se ‘po ka ndodhur dhe nuk është përgjegjësia e atij’, nuk është çka ish dashur të pritet prej Qeverisë, pasi buxheti i shtetit ka humbur 2 milionë”, tha ajo.

Ministrja Bajrami ka reaguar ndaj deklarimeve të deputetes Kusari-Lila, duke thënë se askush nuk e po e merr rastin me qetësi, derisa potencoi se do të kishte dashur që në kohën kur ka ndodhur ky skandal të ishte në opozitë.

Bajrami: Nuk jemi duke e marrë rastin me qetësi

“I kam thënë sekretarit permanent, drejtoreshës, për një minutë ta njoftojnë policinë, AKI-në, Prokurorinë, Njësinë e Inteligjencës Financiare. Krejt këto institucione i kanë me qindra zyrtarë, e me mijëra policë, të cilët kanë përshkrim të pozitës së punës. Qysh po mendon ta thërras unë policinë dhe t’i urdhëroj për t’ua bllokuar xhirollogarinë njerëzve. Njësia e Inteligjencës Financiare e di çka duhet bërë. Jam konsultuar me kabinetin nëse kam nevojë ta thërras prokurorin e rastit dhe t’ia tregoj të gjitha që kemi në disponim. Përgjigjja ka qenë: “Ministre, prokurori mund ta marrë këtë si ndërhyrje”. Nuk jemi duke e marrë me qetësi. Nuk e di a ka ndodhur më herët, andaj kam kërkuar nga Zyra e BE-së të financojë për të ardhur në Thesar, pasi që asgjë nuk kam për të fshehur... Mbase me qetësi e kisha marrë ditën që ka ndodhur, duke dhënë dorëheqje, sepse sot nuk është aspak e lehtë të jesh në krye të institucionit që ka ndodhur ky skandal. Mirëpo, nuk kam dashur të ikën prej përgjegjësisë dhe kam dashur të siguroj që çdo informacion të jepet dhe nuk ndryshohet asgjë”, tha ajo

Deputetja Kusari-Lilaj i është përgjigjur sërish ministres Bajrami se vjedhja e 2.1 milionë euro është përtej çdo skandali për Qeverinë Hoti.

Kusari-Lilaj: Përderisa në Qeveri ka qasje ndryshe, qytetarët nuk kanë asnjë siguri

“Përderisa në Qeveri ka qasje ndryshe-ndryshe, asnjë siguri nuk e kanë qytetarët, nuk e kanë se atje transferi është bërë te prindi i këshilltares së zëvendëskryeministres, aty ministri i Drejtësisë në të njëjtën kohë nuk pajtohet me kryeministrin për zhbërjen e Task-Forcës”, tha ajo.

Ndryshe, lidhur me rastin e vjedhjes së 2.1 milionë eurove nga Thesari i Shtetit janë arrestuar pronari i Kompanisë “LDA Gropu” Kadri Shala dhe Labinot Gruda, zyrtar i Thesarit.

***

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka bërë të ditur se deri më tani janë bllokuar 560 mijë euro nëpër xhirollogari të ndryshme dhe janë konfiskuar 3 vetura, në lidhje me "avullimin" e 1.2 milion eurove nga Thesari i Shtetit.

Bajrami para deputetëve ka treguar se si shkon procedura për të ardhur deri te kryerja e një transaksionit.

"Çka ka ndodhur, ju e dini me datën 19 Thesari është njoftuar nga Ministria e Infrastrukturës se janë kryer disa transaksione, se kjo kompani nuk ka kontratë me ne dhe përmenden emrat se ata nuk janë zyrtarë të ministrisë. Ka hyrë në sistem ka krijuar usera dhe ka kryer procedurat. Ky person edhe në përshkrim të punës e ka pas për të krijuar qasje për zyrtarët. Tash për secilën organizatë buxhetore i ka një ose dy persona që kanë qasje në thesar. Ky person punon që 11 vite në Thesar. Tash ky ka hyrë tek sistemi e ka krijuar një llogari dhe ka bërë urdhërblerjen, ka kaluar tek tjetri e ka bërë edhe certifikimin dhe aprovimin. Kur ka ardhur tek certifikimi e ka përdorur llogarinë e zyrtarit të Mistrisë së Infrastrukturës i cili që 9 muaj nuk punon në këtë ministri. E ka marrë fjalëkalimin e tij dhe e ka kryer. Për secilin person zyrtar që ka qasje në thesar e ka një certifikim. Kjo llogari ka qëndruar e hapur dhe nuk e dimë se si nuk i ka shkuar një email që paswordi i juaj po preket. Tek divizioni i pagesave gjithçka është dal në rregull. Ky person e ka keqpërdorur detyrën zyrtare", tha ajo.

Bajrami tha se nuk dëshiron të shfajësohet sepse skandali ka ndodhur në Thesar, mirëpo tha se kanë marrë masa shtesë.

"Ne kemi marrë masa shtesë, po bëjmë kontrolle për secilin transaksion. Kjo nuk la mundur të ndodh më herët se për çdo fund të muajit përmes dokumenteve bëhet barazimi për buxhetin e secilës organizatë buxhetore. Ne kemi njoftuar të gjitha institucionet e rendit, AKI. Deri më tani 560 mijë euro nëpër xhirollogri të ndryshme, janë konfiskuar 3 vetura. Ky krim është plotësisht i gjurmueshëm", tha ajo.

Bajrami tha se shpreson dhe beson që mjetet do të kthehen në buxhetin e shtetit.

Medije Musliu, zëvendësdrejtore e Thesarit të Shtetit, ka bërë të ditur se transaksionet për 2.1 milionë euro që janë transferuar në llogarinë e kompanisë "LDA Group" ka filluar në orën 11 e 44 dhe ka zgjatur deri në orën 12 e 48.

"E kemi dëgjuar dikush thotë 8 deri në 9 minuta. Janë nxjerrë raporte nga sistemet elektronike. Transaksionet kanë filluar rreth orës 11 e 44 ose 48 nuk e di saktë. Procesi i fundit ka ndodhur rreth orës 12 e 48. Krejt proceset janë kryer gjatë kësaj periudhe", tha ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat