Themelimi i partisë së re, Vjosa Osmani flet për profilet që do t’i bashkohen

Aktuale

Themelimi i partisë së re, Vjosa Osmani flet për profilet që do t’i bashkohen

Më: 28 tetor 2020 Në ora: 19:11
Vjosa Osmani

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani ka folur për themelimin e një nisme të re, të udhëhequr nga vetë ajo, pas prishjes së raporteve me LDK—në, ku mbante pozitën e nënkryetares dhe ishte kandidate për kryeministre nga ky subjekt politik.

Në intervistë për telegrafin, Osmani ka dhënë detaje të reja rreth iniciativës së saj dhe ka theksuar se është në proces të konsolidimit, në të cilën do të ketë profile të ndryshme.

“Unë e kam detyrë para qytetarëve që kanë shpreh besim në platformën që kam paraqitë që të dal në zgjedhjet e ardhshme të ofroj listën time të kërkoj mbështetje, të paraqes platformën të cilën kur e them para qytetarëve dhe i përmbahem. Dhe t’i ofrojmë vendin një qeverisje që i jep shpresë të rinjve të qëndrojnë këtu e të mos largohen”, tha Osmani.

Ajo shton se rrugët me LDK-në janë ndarë që nga votimi i Këshillit të Përgjithshëm për përjashtimin e saj.

“Ekziston vendimi i votuar i Këshillit të Përgjithshëm. LDK-ja ka përfunduar gjithçka me mua me vendimin për të më përjashtuar. Kushdo që tenton me relativizu një vendim të tillë që nuk është marrë kurrë për askënd tjetër në këto 30 vitet e fundit që ekziston LDK-ja, atëherë nuk i kupton proceset politike, ose tenton me u largu nga një përgjegjësi të cilën ata duhet me marrë. Mua ma kanë bllokuar çdo mundësi me kontribua brenda LDK-së”, u shpreh Osmani.

E pyetur se a do të mund të ketë koalicion mes nismës së saj dhe LVV-së së Albin Kurtit, Osmani tha se për këtë mbetet të shihet.

“Ne jemi në proces të konsolidimit të kësaj iniciative ku do ta kemi listën tonë, dhe pastaj kurdo që mbahen zgjedhjet do të ulemi do të diskutojmë edhe me LVV do ta shohim se ku do të shpien ato negociata dhe do ta shohim a do të kemi koalicion parazgjedhor, apo paszgjedhor. Kjo është çështje e bashkëpunimit që mund të ndërtohet në të ardhmen”, deklaroi Osmani.

Kryeparlamentarja theksoi se qëllimi i iniciativës së saj të re është luftimi i shtetit të kapur, dhe se profilet e njerëzve që do të jenë pjesë e saj do të jenë njerëz me integritet dhe profesionist.

“Profili është shumë i thjesht, njerëz me integritet dhe profesionist. Synimi themelor është që përmes kësaj iniciative ne tu mundësojmë njerëzve që kanë mbetur jashtë e të cilët janë sot të suksesshëm në sektor të ndryshëm, por të cilëve dyert e institucioneve për një kohë të gjatë janë mbyllur për shkak se nuk është vlerësuar puna e tyre. E kemi armikun e përbashkët e që është shteti i kapur”, tha Osmani. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat