Murati: Kredita po ratifikohen, e nuk po shfrytëzohen

Aktuale

Murati: Kredita po ratifikohen, e nuk po shfrytëzohen

Më: 29 tetor 2020 Në ora: 11:50
Hekuran Murati

Në mungesë kuorumi shumë projektligje po vazhdojnë të dështojnë në seancën e sotme plenare. Në parim ka marrë 63 vota vetëm projektligji për Peticione.

Vetëm 65 deputetë kanë marrë pjesë në votim, dhe nuk ka pasur kuorum për vendimmarrje. Ndërkohë që mundësi për vendimmarrje, në mungesë kuorumi nuk pati as për projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së Kredisë për likuiditet të urgjencës së infrastrukturës vitale, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati tha se nuk mund të mbështesin marrëveshje të tilla pa pasur një raport nga Ministria e Financave, meqë ai ka ngritur shqetësimin për rritjen e borxhit publik dhe marrëveshjeve të cilat po nënshkruhen dhe nuk po shfrytëzohen kreditë.

Murati: Shuma e raportimit të fundit ka arritur nivelin 520 milionë

“ Në lidhje me këto marrëveshje ndërkombëtare ne kemi ngritur si shqetësim edhe rritjen e borxhit publik, por në të njëjtën kohë edhe mos shfrytëzimin e kredive që po nënshkruhen e ratifikohen. Shumë e cila sipas raportimit të fundit ka rritur nivelin 520 milionë euro. Janë kredi që janë nënshkruar, janë ratifikuar dhe nuk po shfrytëzohen. Ato kredi krijojnë obligime shtesë, tarifa të zotimit të cilat janë identifikuar edhe me raportin e auditimit. Në lidhje me këtë çështje kemi kërkuar një raport të detajuar nga Ministria e Financave para se të merret një vendim për votimin e këtyre marrëveshjeve. Meqenëse nuk kemi marrë edhe ndonjë raport të tillë, nuk kemi asnjë përfaqësues të qeverisë këtu, ne si GP nuk mund të mbështesim pa pasur një raportim të tillë”, theksoi ai.

Në mungesë kuorumi ka dështuar edhe propozim-rezoluta nga nnterpelanca me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetes Mimoza Kusari-Lila, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me përfshirjen e Republikës së Kosovës në “Zonën e mini-Shengenit ballkanik.

Ndërkaq, votimi i propozim-rezolutës nga interpelanca me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, sipas kërkesës së deputetit Rexhep Selimi, mbështetur edhe nga 6 deputetë të GP të LVV-së, në lidhje me deklarimin dhe qëndrimin e kryeministrit për zbatimin e marrëveshjes për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, ka marrë vetëm 29 vota për dhe 1 kundër.

Nuk ka pasur kuorum nga komunitet joshumicë për votimin në parim të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.02/L-31 për Lirinë Fetare në Kosovë.

Njëjtë ndodhi edhe me projektligjin për ratifikimin e kontratës financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Impiantit të Ujërave të Zeza në Gjilan, ku morën pjesë vetëm 67 deputetë. Me 63 vota për është votuar në parim projektligji për Peticione. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat