Specialja s’i tregon emrat e shteteve: Trendafilova vendos se ku e vuajnë burgun të dënuarit

Aktuale

Specialja s’i tregon emrat e shteteve: Trendafilova vendos se ku e vuajnë burgun të dënuarit

Më: 29 tetor 2020 Në ora: 15:58
Selia e Gjykatës Speciale

Vendi që mirëpriti ngritjen e Gjykatës Speciale në territorin e vet, as si të burgosur nuk do t’i lejojë brenda vendit të dënuarit e mundshëm të kësaj gjykate. Për të burgosurit, Specialja garanton kushte të mira, por vetëm jashtë Holandës. Derisa emrat e shteteve për të cilat ka marrëveshje mbahen sekret, vetë Trëndafilova do të vendos se ku të dënuarit potencial e vuajnë dënimin.

Holanda ka një marrëveshje të nënshkruar me Kosovën që të mos i pranojë në burgjet e veta ata që mund të dënohen nga Dhomat e Specializuara. Kësisoj, ata që do të burgosen me vendim të formës së prerë, do të transferohen në shtete të tjera për ta vuajtur dënimin. Tashmë ekziston një listë e shteteve janë pajtuar që t’i pranojnë në burgjet e tyre personat që potencialisht mund të dënohen nga Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në një përgjigje për Express, shefja e Njësisë për Informim dhe Komunikim me Publikun në Dhomat e Specializuara, Angela Griep, ka thënë se “për arsye operacionale” nuk mund të tregojnë se në cilat shtete parashihet të dërgohen ata që mund të dënohen me burgim.

“Në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorëve të Specializuar si dhe Rregulloren e Procedurës dhe Provave, Kryetari i Dhomave të Specializuara vendos në cilin Shtet i Akuzuari do të vuajë dënimin e tij ose të saj, duke zgjedhur nga një listë e shteteve që kanë rënë dakord të pranojnë persona të dënuar. Për arsye operacionale, ne nuk mund të komentojmë mbi statusin e marrëveshjeve të tilla”, thuhet në përgjigjen e Dhomave të Specializuara.

Ashtu siç ka theksuar zëdhënësja e Speciales, Ligji për Specialen thotë se kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova është ajo që do të duhet të vendos se në cilin shtet do ta vuajnë dënimin ata që marrin aktgjykim dënues.

“Vuajtja e burgimit bëhet në njërin shtet që Kryetari i Dhomave të Specializuara cakton nga mesi i atyre shteteve që kanë treguar gatishmëri për t’i pranuar personat e dënuar nga Dhomat e Specializuara për kohëzgjatjen e dënimit të shqiptuar, në pajtim me aranzhimet e bëra nga Dhomat e Specializuara”, thuhet në pikën 1 të nenit 50 të këtij ligji.

Gjykata Speciale garanton kushte të standardeve ndërkombëtare për të burgosurit

Dhomat e Specializuara zotohen se kushtet për të burgosurit e mundshëm që do të dërgohen jashtë Holandës, do të jenë në përputhje me Rregullat Minimale Standarde të Kombeve të Bashkuara për Trajtimin e të Burgosurve dhe Rregullat Evropiane të Burgjeve.

“Kushtet në burgjet përkatëse do të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare duke përfshirë Rregullat Minimale Standarde të KB për Trajtimin e të Burgosurve (të njohur gjithashtu si Rregullat Mandela) dhe Rregullat Evropiane të Burgjeve. Marrëveshja e Shtetit Pritës parashikon që Hollanda nuk do të zbatojë dënimet e personave të dënuar nga Dhomat e Specializuara”, ka thënë zëdhësja e Gjykatës Speciale, Angela Griep.

Ndërsa Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar thotë se kushtet e burgimit rregullohen sipas ligjit të shtetit që e ekzekuton dënimin me burgim.

“Kushtet e burgimit rregullohen sipas ligjit të shtetit që e ekzekuton dënimin me burgim nën mbikëqyrjen e Dhomave të Specializuara ose sipas Aranzhimit të Dakorduar, nëse një i tillë ekziston për atë qëllim në përputhje me nenin 60 (mekanizmi i mbetur) të këtij ligji”, thuhet në pikën 2 të nenit 50 të këtij ligji.

Të burgosurit që vlerësojnë se kushtet e burgimit nuk janë të mira, mund të ankohen. Këtë ua mundëson ligji, i cili thotë se pas ankesës së tyre, një gjyqtar i emëruar nga kryetarja e Dhomave të Specializuara e shqyrton ankesën.

“Personi i dënuar i cili është në vuajtje të dënimit të tij mund të paraqesë kërkesë tek Dhomat e Specializuara nëse kushtet e burgimit nuk u përgjigjen standardeve ndërkombëtare apo mbrojtjeve të parapara me Kushtetutë. Kryetari i Dhomave të Specializuara e emëron një gjyqtar të vetëm për ta shqyrtuar këtë kërkesë sipas nenit 33(2), në përputhje me rregullat për caktimin e gjyqtarëve të Dhomave të specializuara miratuara sipas nenit 25(2)”, thuhet në pikën 3 të nenit 51.

Vetëm kryetarja e Dhomave të Specializuara mund t’ua ndryshojë dënimet të burgosurve

Falja ose ndryshimi i dënimeve të Speciales, po ashtu është kompetencë ekskluzive e kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.

Sipas pikës 2 të nenit 51, përveç që do të konsultohet me shtetin përkatës ku mbahet i burgosuri, Trendafilova për këtë çështje duhet të konsultohet edhe me gjykatësit.

“Dhomat e Specializuara, apo Aranzhimi i Dakorduar, kërkojnë njoftim nga shteti përkatës nëse sipas ligjit të zbatueshëm të shtetit në të cilin personi i dënuar është i burgosur, ai ka të drejtë për ndërrimin të dënimit. Dënimi mund të ndërrohet vetëm nëse Kryetari i Dhomave të Specializuara, në konsultim me gjyqtarët e Dhomave të Specializuara, vendos për një gjë të tillë në bazë të interesave të drejtësisë dhe parimeve të përgjithshme të së drejtës”, thotë ligji.

Por, dënimet e Dhomave të Specializuara nuk mund të falen. Kjo theksohet në pikën e parë të nenit 51 të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

“Vendimet e Dhomave të Specializuara nuk i nënshtrohen asnjë faljeje dhënë sipas nenit 84 (29) të Kushtetutës, apo ndonjë person i dënuar nga Dhomat e Specializuara, pavarësisht se ku e shërbejnë dënimin e tyre”, thuhet ndër tjerash në këtë ligj.

Aktualisht, aktakuzë të konfirmuar nga Dhomat e Specializuara ka vetëm ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa. Por, në paraburgim në Hagë po mbahen si të dyshuar edhe dy udhëheqësit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat