Serbia liron Agim Gjocajn e arrestuar para dy javësh, Kosova kërkon edhe lirimin e Nezir Mehmetajt

Aktuale

Serbia liron Agim Gjocajn e arrestuar para dy javësh, Kosova kërkon edhe lirimin e Nezir Mehmetajt

Më: 29 tetor 2020 Në ora: 17:07
Nezir Mehmetaj

I arrestuari para disa ditësh në Serbi, Agim Gjocaj është liruar sot nga autoritetet serbe ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të Nezir Mehmetajt që po mbahet në burgjet serbe.

Në reagimin e MPJD-së njoftohet se është liruar Agim Gjocaj ndërsa kanë kërkuar lirimin e Mehmetajt i cili tash e 10 muaj po mbahet në burgjet serbe.

Sipas kësaj ministrie, sjelljet e tilla janë në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut, marrëveshjen e lëvizjes së lirë të Brukselit dhe në kundërshtim me marrëveshjen e zotimeve në Uashington.

Ky është reagimi i plotë i MPJD-së:

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës (MPJD), njofton se Serbia ka liruar Agim Gjocajn, dhe kërkon lirimin e menjëhershëm të Nezir Mehmetajt

Gjocaj u arrestua rreth dy javë më parë në mënyrë flagrante gjatë udhëtimit të tij transit nëpër territorin e Serbisë, ndërsa shtetasi tjetër Kosovar, Nezir Mehmetaj vazhdon të mbahet padrejtësisht në paraburgim tash e dhjetë muaj.

MPJD bën thirrje që njëherë e përgjithmonë të ndalohet një praktikë e tillë e jashtëligjshme, e ndalimit të pabazë të shtetasve kosovarë të cilët kalojnë transit në territorin e Serbisë.

Një sjellje e tillë është në kundërshtim me të drejtat themelore të njeriut, marrëveshjen e lëvizjes së lirë të arritur në Bruksel, në vitin 2011 dhe në kundërshtim të plotë me frymën e marrëveshjes së zotimeve të Washingtonit për Normalizim Ekonomik. Këto veprime, janë në vazhdën e përpjekjeve të Serbisë për të sabotuar Republikën e Kosovës, duke lëshuar urdhra të rrejshme arrestimesh dhe duke manipuluar kanalet e tyre mediatike përmes propagandës së vazhdueshme raciste. Andaj, duke i pasur parasysh këto rrethana, MPJD i përsëritë thirrjet që shtetasit e Republikës së Kosovës dhe bashkëatdhetarët nga diaspora t’i shmangin udhëtimet në dhe nëpërmes Serbisë, për shkak të rrezikut të ndalimit të tyre, me akuza të motivuara politikisht. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat