Prokuroria ngritë aktakuzë ndaj gjykatësit Lekë Prenaj, Hilmi Kastratit, Shpëtim Pllanës dhe Shkumbin Qehajës

Aktuale

Prokuroria ngritë aktakuzë ndaj gjykatësit Lekë Prenaj, Hilmi Kastratit, Shpëtim Pllanës dhe Shkumbin Qehajës

Më: 30 tetor 2020 Në ora: 20:11
Foto ilustrim

Për tjetërsimin e pronës shoqërore në vlerë miliona euro në pronësi të Radio Televizionit të Prishtinës, Dulina Hamiti prokurore në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, ka ngritur aktakuzë për korrupsion ndaj gjykatësit Lekë Prenaj dhe tre personave tjerë Hilmi Kastratit, Shpëtim Pllanës dhe Shkumbin Qehajës.

Burime të “Betimi për Drejtësi” në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, bëjnë të ditur se, prokurorja Hamiti, në arsyetimin e aktakuzës, thekson se prokuroria ka siguruar prova dhe dëshmi të mjaftueshme, me të cilat vërtetohet dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprat penale, duke përfshi të pandehurin Hilmi Kastrati dhe Lekë Prenaj, të cilët kanë kryer veprën penale të “Keqpërdorimit të detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, si dhe veprën tjetër penale “Legalizimi i përmbajtjes së Rreme”, të cilën e kanë kryer bashkarisht të pandehurit Hilmi Kastrati, Lekë Prenaj, Shkumbin Qehaja dhe Shpëtim Pllana.

Sipas aktakuzës, Hilmi Kastrati si person zyrtar – Kryetar i Bordit Ekzekutiv të Drejtorëve të Radio Televizionit të Prishtinës, në periudhën kohore 2015-2018, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare i ka tejkaluar kompetencat zyrtare, në atë mënyrë që me 24 maj 2018 e ka përpiluar përgjigjen në padi me nr.C.Nr.3159/17 për Vërtetimin e të Drejtës së Pronësisë mbi ngastrën kadastrale 1781-2 në sipërfaqe prej 7768 metër katror në lagjen Vetërrnik, Zona Kadastrale në Prishtinë, me përmbajtje të pavërtetë, me të cilën nuk kontestohen pretendimet e paditësit Shkumbin Qehaja e pastaj i pandehuri Hilmi Kastrati me 5 shtator 2018 e ka nënshkruar autorizimin me të cilin e ka autorizuar Shpëtim Pllanën, jurist nga Prishtina, që kontestin sipas padisë së lartëcekur C.Nr.3159/17 ta përfaqësoj NSH Radio Televizionin e Prishtinës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, edhepse i pandehuri Hilmi Kastrati e ka ditur se prona shoqërore ngastra kadastrale 1781-2 në sipërfaqe prej 7768 metër katror në Vetërrnik e të paditurës NSH Radio Televizionit të Prishtinës gjendet në menaxhimin dhe administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, me këtë ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Tutje theksohet se i pandehuri Lekë Prenaj si person zyrtar – gjykatës në Gjykatën Themelore në Prishtinë në Departamentin e Përgjithshëm në Divizionin Civil, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare, i ka tejkaluar kompetencat zyrtare dhe e ka marrë vendimin gjyqësor në lidhje me pronën shoqërore të Ndërmarrjes Shoqërore –  Radio Televizioni i Prishtinës – ngastrën kadastrale 1781-2 në sipërfaqe prej 7768 metër katror në lagjen Vetërrnik, Zona Kadastrale në Prishtinë, edhepse i pandehuri Lekë Prenaj e ka ditur se për këtë është kompetente vetëm Dhoma e Veccantë e Gjykatës Supreme, kurse për menaxhimin e këtyre pronave është vetëm Agjencia Kosovare e Privatizimit, në atë mënyrë që në shqyrtimin  gjyqësor të datës 10 prill 2019, sipas padisë të 22 nëntorit 2017 të ushtruar nga paditësi, tani i pandehuri Shkumbin Qehaja, i panderhuti Lekë Prenaj ka nxjerr Aktvendim gjyqësor me të cilin është miratuar pajtimi gjyqësor mes përfaqësuesve të palëve – avokatit Shefki Syla në emër të paditësit tani i pandehuri Shkumin Qehaja dhe tani i pandehuri Shpëtim Pllana në emër të paditurës NSH Radio Televizioni i Prishtinës, duke vërtetuar se pronari i ngastrës së lartëcekur në lagjen Vetërrnik,  është paditësi-tani i pandehuri Shkumbin Qehaja, me crast i ka shkaktuar dëm të dëmtuarës NSH Radio Televizioni i Prishtinës, e cila përfaqësohet dhe administrohet nga AKP-ja, me këtë ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”.

Këtë lëndë, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 19 shkurt 2020, e kishte pranuar në kompetencë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kundër të pandehurve Hilmi Kastrati, Shpëtim Pllana, Shkumbin Qehaja dhe Lekë Prenaj, ndaj të cilëve PSRK kishte filluar hetimet më 27 dhjetor 2019, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ky rast i pretendimeve për dallavere me pronat e RTP-së, ishte publikuar nga gazeta “Koha Ditore”, e cila kishte publikuar një seri të hulumtimeve, të cilat kanë shtyrë Prokurorinë Speciale të nisë hetimet ndaj të dyshuarve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat