​Vendosen masa të reja anti-covid, por jo edhe kontrollet në kufi

Aktuale

​Vendosen masa të reja anti-covid, por jo edhe kontrollet në kufi

Më: 31 tetor 2020 Në ora: 14:52
Pamje nga konferenca e Zemajt

Rritja e rasteve me Covid-19 në vend, ka bërë që të ashpërsohet masat për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Ministria e Shëndetësisë sot ndaloi aktivitetin e gastronomisë dhe qendrave tregtare pas orës 21:00 deri më 05:00. Ndërkohë, nuk u kufizua lëvizja e gjithë qytetarëve, por vetëm atyre mbi moshën 65 vjeçar.

Në mbledhjen e sotme të Komitetit për vlerësimin dhe koordinimin e situatës rreth Covid-19, u vendos se ligjëratat në universitete publike e private të jetë vetëm online, derisa shtuan kontrollet mjekësore edhe në kalimet kufitare.

Pas mbledhjes së këtij komiteti, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj përmes një konference për medie, tha se këtë periudhë sektori i shëndetësisë dhe sigurisë do të punojnë me kapacitete të plota.

Zemaj: Institucionet që do të punojnë me kapacitete të plota janë shëndetësia dhe siguria

“Është e domosdoshme që të reduktohet numri i stafit në nivel qendror dhe lokal në institucionet publike dhe private. Institucionet që do të punojnë me kapacitete të plota është shëndetësia dhe siguria. Institucioneve publike dhe private iu ndalohen organizime ku ka grumbullim të njerëzve. Personat me sëmundje kronike dhe ata mbi moshën 60 vjeçar lirohen nga paraqitja në punë, angazhimi tyre kalon online. Personat mbi moshën 65 vjeçar iu lejohet të dalin jashtë shtëpisë nga ora 06:00 deri në orën 10:00 dhe prej orës 16:00 deri në 19:00 jashtë këtij orari vetëm për nevoja shëndetësore. Ligjëratat në të gjitha Universitetet private dhe publike do të zhvillohen vetëm online, provimet dhe praktikat mbahen në prani fizike duke respektuar rekomandimet. Qendrave tregtare iu ndalohet veprimtaria nga ora 21:00 deri në orën 05:00. Të gjitha subjektet që ofrojnë shërbimet e gastronomisë iu ndalohet puna nga ora 21:00 deri në 05:00, përveç shërbimeve merr me vete”, ka thënë Zemaj.

Shtim të kontrollit do të ketë edhe në kalimet kufitare, derisa, sipas Zemajt, qytetarët e infektuar me koronavirus, duhet të mbikëqyren nga autoritetet në një periudhë prej dy javësh.

Zemaj: Personat e infektuar duhet t’i vënë në mbikëqyrje deri në dy javë

“Është në diskutim që ekipet mjekësore të QKMF-ve me mbështetjen e Policisë së Kosovës a do të duhet të bëjnë kontroll të udhëtarëve në pikat e kalimit kufitar. Pra atyre pikave që janë më të frekuentuara. Shtabet komunale për parandalimin e epidemisë, drejtoria për shëndetësi dhe QKMF-të, personat e infektuar duhet t’i vënë në mbikëqyrje deri në dy javë. Konviktet dhe mensa e studentëve do të punojnë vetëm duke respektuar rekomandimet e IKShPK-së. Institucionet publike e private kanë për detyrë të zbatojnë masat e përcaktuara për mbrojtje nga covid-19. Për të gjithë shkelësit e këtyre masave organet kompetente obligohen të shqiptojnë masa ndëshkimore në bazë të ligjit”, ka thënë Zemaj.

Zemaj njoftoi se vendimi për masat e reja do ta nënshkruajë të shtunën dhe vendimi do të hyjë menjëherë në fuqi.

Zemaj: Vendimi do të hyjë në fuqi besoj gjatë ditës së sotme

“Do të shohim eventualisht nëse ka nevojë dhe arsye për arsimin e mesëm të lartë, për kufizim të orarit. Sa i përket kufizimit të lëvizjes shpresojmë në përgjithësinë e çdo individi, që do të reduktojnë edhe lëvizjen e pa nevojshëm por edhe grumbullimet në gastronomi që janë paraparë si shpërndarës të infeksionit. Vendimi do të hyj në fuqi me nënshkrimin e ministrit të shëndetësisë besoj gjatë ditës së sotme, do ta keni edhe njoftimin zyrtarë por pretendojmë që nesër te jemi të gatshëm”, ka thënë ai.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat