Sherifi për Thaçin: Nëse lejon një proces të fillojë në mënyrë të gabuar, mund të përfundosh edhe ti i dëmtuar

Aktuale

Sherifi për Thaçin: Nëse lejon një proces të fillojë në mënyrë të gabuar, mund të përfundosh edhe ti i dëmtuar

Më: 5 nëntor 2020 Në ora: 23:09
Bilall Sherifi

Sekretari i përgjithshëm i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka deklaruar se çështja e Gjykatës Speciale ka degraduar, duke kaluar nga akuza për ndjekje të krimeve me trafikim të organeve në ndjekje individuale.

Në Rubikon me Adriatik Kelmendin ai u shpreh se me këtë rast ‘Thaçi u ballafaqua me të vërtetën se nëse lejon një proces të fillojë në mënyrë të gabuar, mund të përfundosh edhe ti i dëmtuar’.

“Unë besoj fuqishëm që UÇK-ja dhe përfaqësuesit e saj, sidomos udhëheqësia, jo vetëm që nuk kanë shkelur asnjë ligj ndërkombëtar e Konventën e Gjenevës, por ka qenë jashtëzakonisht e vëmendshme gjatë luftës në këtë rrafsh”.

“UÇK nuk ka pasur asnjë projekt të spastrimit etnik e gjenocidal siç ka pasur Serbia. S’ka pasur asnjë aksion të vërtetueshëm në terren ku janë vrarë e dëbuar dhjetëra, qindra e mijëra persona të komunitetit tjetër. Pra, nëse nuk ka veprime konkrete që në mënyrë të besueshme vërtetohen, atëherë UÇK-ja nuk ka mundur të shkelë asnjë ligj ndërkombëtar, e jo më Konventën e Gjenevës”.

“Na është thënë se nuk ka prova për trafikim të organeve njerëzore siç ka pretenduar Dick Marty, por se ka disa prova të cilat qojnë te krimet individuale. Çfarë krimi individual mund të bëjnë Veseli, Krasniqi e Thaçi?”

“E shihni se në çka ka degraduar kjo çështje – Nga aktakuza për ndjekje të krimeve monstruoze, përfundoi në ndjekje individuale”.

Sherifi ka theksuar se përgjegjësi më të madhe ka Thaçi sepse për një projekt që u pa se do të degradojë, e lejoi të shkojë deri në fund.

“Por tani nuk është koha të bëjmë gjyqin politik”.

“Sot në një aeroplan për në Hagë ka qenë historia dhe e tashmja e Kosovës. Kur sheh këtë ansambël të njerëzve që i kanë dërguar atje, të shkon mendja se ku janë provat për trafikim të organeve të qenieve njerëzore. Nuk ka guxuar të vijë puna deri këtu, tani është koha për mobilizim të përgjithshëm institucional e shtetëror që këtë betejë ta fitojmë në sallat e gjyqeve atje”.

“Nëse e kaluara dhe e tashmja janë në Hagë, në pyetje tanimë është e ardhmja e Kosovës. Kushdo qe mendon se atje janë individët duke u ballafaquar për veprimet e tyre, ata do të ballafaqohen shumë shpejt me të vërtetën, siç u ballafaqua Thaçi me të vërtetën se nëse lejon një proces të fillojë në mënyrë të gabuar, mund të përfundosh edhe ti i dëmtuar”, tha mes tjerash Sherifi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat