Policia nuk po i kthen qytetarët në hyrje/daljet e Prishtinës

Aktuale

Policia nuk po i kthen qytetarët në hyrje/daljet e Prishtinës

Më: 6 nëntor 2020 Në ora: 23:30
Pamje nga vendi i ngjarjes

Edhe pse Qeveria e Kosovës vendosi që të fusë në karantinë Prishtinën dhe gjashtë qytete nga ora 20:00 e të premtes, deri të hënën në mëngjes, Policia e Kosovës nuk po u bën problem qytetarëve për të hyrë apo dalë nga kryeqyteti.

Media ka qëndruar në mbrëmjen e të premtes në dalje të Prishtinës, në drejtimin kah Fushë-Kosova. Aty Policia është parë se nuk u bënte problem qytetarëve për të kaluar në Fushë-Kosovë, apo për të hyrë në Prishtinë.

Në vendimin që Ministria e Shëndetësisë e ka publikuar sot theksohet se “Ndalohet hyrja/dalja e qytetarëve dhe automjeteve private prej orës 20:00 të dt.06/11/2020 deri në orën 05:00 të dt. 09/11/2020, në Komunën e Prishtinënë , Fushë Kosovës, Gjilanit, Obiliqit , Gjakovës, Podujevës dhe Shtimes, përveç: Personelit shëndetësor dhe personelit të sigurisë; qytetarëve për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim, dhe shitje të mallrave esenciale ushqim, barna për njerëz dhe kafshë e shpezë); operatorëve ekonomik dhe transpoti i lirë i mallrave/shërbimeve për të siguruar funksionimin e zingjirit të furnizimit; kompanitë ndërtimore dhe operatorët që kryejnë punë publike;”.

Sipas vendimit, “Obligohet Policia e Kosovës në çdo hyrje/dalje të bëjë kontroll rigoroz për parandalimin e përhapjes së infeksionit me COVID-19”.

Në fund të vendimit thuhej se për të gjithë shkelësit e këtyre masave, organet kompetente obligohen të shqiptojnë masat ndëshkimore konform Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë.

Vendimi erdhi pasi në Kosovë u regjistruan për herë të parë më shumë se 700 raste pozitive. Të premten u regjistruan 12 vdekje si pasojë e koronavirusit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat