Kuçi: Do të zhvillojmë takim me grupin punues për zgjidhjen e çështjes së luanit

Aktuale

Kuçi: Do të zhvillojmë takim me grupin punues për zgjidhjen e çështjes së luanit

Më: 9 nëntor 2020 Në ora: 17:57
Blerim Kuçi

Ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ka thënë se kjo ministri do ta zhvillojë një takim me grupin punues për të zgjidhur rastin e një luani që po mbahet në një restorant në Gjilan.

“Dje kam pranuar një numër të madh të mesazheve që vinin nga e gjithë bota, nga aktivistët për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve, përfshirë edhe aktivistët vendorë”, ka shkruar Kuçi në Facebook.

“Më 8 nëntor qenka bërë një vit prej kur ky luan qëndron në kushte të pafavorshme për këtë kafshë në një restorant në Gjilan. Me të drejtë, shoqëria civile është shprehur e shqetësuar”.

Ai ka thënë se sot është njoftuar në parim për këtë ngjarje, dhe se ky rast po trajtohet në Prokurorinë Themelore të Gjilanit.

Sidoqoftë, ai njofton që ende nuk është marrë asnjë përgjigje zyrtare nga Prokuroria të cilës ministria i ka shkruar një letër në ditën e parë të shtatorit.

“Dua të ju informoj që sot jam njoftuar në parim për ngjarjen nga zyrtarët e ministrisë dhe kabineti im po merret për hapat e mëtutjeshëm, duke qenë edhe në komunikim me anëtarët e shoqërisë civile”.

“Tashmë, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka një Grup Punues për të gjetur zgjidhjen e këtij problemi, ku bëjnë pjesë edhe anëtarë të shoqërisë civile”.

“Ky rast po trajtohet edhe në Prokurorinë Themelore të Gjilanit. Prokurorisë dhe konkretisht Prokurorit të Çështjes i ka shkuar një letër më 1 shtator 2020 me propozime për hapat që duhen ndërmarrë për rastin në fjalë, mirëpo ende nuk është marrë asnjë përgjigje zyrtare”.

Kuç në fund ka njoftuar se nuk do të mungojë angazhimi i ministrisë për gjetjen e një zgjidhjeje më të mirë për luanin në fjalë.

“Tashmë do të zhvillojmë një takim me grupin punues gjatë kësaj jave dhe për secilin hap që do të ndërmerret, do të ju mbajmë të informuar”.

“Në kapacitetet tona infrastrukturore ne nuk posedojmë një hapësirë të favorshme për të mbajtur këtë luan. Mirëpo, angazhimi ynë nuk do të mungon për të gjetur një zgjidhje sa më të mirë për këtë luan”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat