Dosja e OKB-së/ UÇK-ja sulmon, ushtria serbe hakmerret duke bërë krime monstruoze. Hetuesit ndërkombëtarë zbulojnë varrin masiv me 300 kufoma

Aktuale

Dosja e OKB-së/ UÇK-ja sulmon, ushtria serbe hakmerret duke bërë krime monstruoze. Hetuesit ndërkombëtarë zbulojnë varrin masiv me 300 kufoma

Më: 10 nëntor 2020 Në ora: 19:06
Ramush Haradinaj

Një ditë më parë në media u publiua një pjesë nga hetimet e kryera prej OKB-së mbi krimet e kryera nga serbët në Deçan, e cila ishte një zonë ku UÇK kishte baza të forta edhe për shkak të ndërlidhjes me Shqipërinë. Sot do të raportohet për ngjarjet e Gjakovës, ku në në mars të vitit 1999, popullsia e ishte rritur dukshëm për shkak të ardhjes së një numri të madh njerëzish, të cilët ishin larguar nga fshatrat e tyre për t’i ikur granatimit të forcave serbe dhe konfliktit të armatosur midis këtyre forcave dhe anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, së udhëhequr nga Ramush Haradinaj.

Prej 24 marsit 1999 apo rreth kësaj date, deri më 11 maj 1999, forcat e serbe detyruan banorët e Gjakovës të largoheshin. Në disa raste, u vranë njerëz dhe shumë të tjerë u kërcënuan me vdekje. Shumë shtëpi dhe dyqane të shqiptarëve kosovarë u dogjën, kurse ato të serbëve u mbrojtën. Gjatë periudhës prej 2 deri më 4 prill 1999, mijëra shqiptarë kosovarë, banorë të Gjakovës dhe të fshatrave përreth, iu bashkuan një kolone të gjatë njerëzish në këmbë apo me vetura, kamionë dhe traktorë dhe shkuan në kufirin me Shqipërinë.

Në orët e hershme të mëngjesit të datës 27 prill 1999 serbët filluan një sulm masiv kundër popullatës shqiptare të luginave të Caragojt, Erenikut dhe Travës (komuna e Gjakovës) për të dëbuar popullatën. Në Mejë, Korenicë dhe Orizë, një numër i madh dhe ende i pacaktuar burrash civilë, shqiptarë të Kosovës, u ndanë nga turma e fshatarëve që po iknin, u rrëmbyen dhe u vranë.

Në mbrëmje të 1 prill 1999 dhe duke vazhduar në orët e hershme të mëngjesit të 2 prillit 1999, serbët hynë me forcë në shtëpitë e shqiptarëve të Kosovës në lagjen Qerimi, vranë banorët duke përfshirë 19 gra dhe fëmijë dhe u vunë zjarr shtëpive.

Shumë prej këtyre burrave u ekzekutuan menjëherë dhe rreth 300 persona ende mungojnë. Dokumentet personale të së paku shtatë personave dhe kufomat e shumë prej 300 personave të cilët u panë për herë të fundit në Mejë më 27 prill 1999 u gjetën në një varr masiv të fshehtë në qendrën stërvitore të SAJ-së në Batajnicë afër Beogradit në Serbi.

Ndërhyrja e NATO-s

Më 19 prill serbët bastisën fshatrat në Gjakovë, që gjenden në kufi me Shqipërinë dhe morën masat për të përforcuar mbrojtjen e kufirit nga sulmet e “terroristëve” prej Shqipërisë. Gjatë këtyre ditëve nisin bombardimet e NATO-s në Gjakovë, të cilat vazhduan për 42 ditë me radhë. Nga ana tjetër UÇK-ja kishte filluar një operacion të madh për të depërtuar nga Shqipëria drejt Gjakovës. Më 14 prill bombat e NATO-s goditën një kolonë civilësh duke kaluar një urë në rrugën Gjakovë-Prizren, ku mbetën të vrarë disa shqiptarë të Kosovës.

Veprimtaria e UÇK-së në Gjakovë

Dhoma dëgjoi dëshmi se UÇK-ja kishte vepruar në pjesë të ndryshme të komunës së Gjakovës, që ishte zonë kyçe në konflikt sepse nëpër të kalonin shumë rrugë furnizimi nga Shqipëria. John Crosland-i dëshmoi se në vitin 1998, UÇK-ja në zonën e Gjakovës ishte nën komandën e Ramush dhe Daut Haradinajt. Njësitë e UÇK-së ishin në fshatrat përreth qytetit të Gjakovës, por jo në qytet. Luftimet midis UÇK-së dhe forcave serbe në Gjakovës filluan më 7 maj 1999 në lagjen “Kodra e Çabratit”.

Gjithashtu, siç është theksuar edhe më lart, forcat serbe parashikonin një sulm të UÇK-së të shkallës së gjerë të mbështetur nga NATO-ja rreth datës 10 prill 1999 në zonën kufitare në perëndim të qytetit të Gjakovës. Dëshmitari Bislim Zyrapi dëshmoi se një njësi e armëve të rënda e UÇK-së, me bazë në Shqipëri, duke filluar nga 9 prilli u dha mbështetje me artileri njësive të cilat vepronin në Kosovë në kuadër të Operacionit Shigjeta 1. Ai tha se zjarri i artilerisë ishte drejtuar kundër forcave serbe në Luginën e Caragojt. Gjithashtu, raportet nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shkup bëjnë të ditur se, në kohën kur pritej ky sulm, më 11 prill 1999 ose pas kësaj date, forcat e UÇK-së hynë në qytetin e Gjakovës dhe filluan të bënin përparime në qytet.

Goran Jevtoviqi dëshmoi se të dhënat prej zbulimit tregonin se UÇK-ja kishte forca përafërsisht sa një brigadë të vendosura në Luginën e Caragojt, të cilat sulmonin postblloqet dhe kolonat e automjetet serbe. Serbi Dragan Zhivanoviqi dëshmoi se pjesëtarët e UÇK-së që vepronin në atë zonë përziheshin me popullatën civile. Raportet e serbe tregojnë se UÇK-ja vazhdoi të vepronte në komunën e Gjakovës gjatë gjithë fushatës së NATO-s. Gjithashtu, Bislim Zyrapi konfirmoi se sulmet e UÇK-së në Gjakovë vazhduan deri në mes të majit në kuadër të operacionit Shigjeta 2, i cili u zhvillua në Koshare. Dhoma konkludon se në vitin 1998 dhe në fillim të vitit 1999 UÇK-ja ishte aktive në komunën e Gjakovës dhe është bindur se në fund të marsit 1999 ajo kishte njëfarë pranie në qytetin e Gjakovës dhe rreth tij. Megjithëse UJ-ja kishte një prani të madhe në atë zonë gjatë fundit to vitit 1998 dhe deri në fund të fushatës së NATO-s në qershor të vitit 1999, ajo nuk kishte kontroll tërësor mbi këtë territor.

Shkatërrimi i ndërtesave dhe dhuna

Fuat Haxhibeqiri, i cili ishte banor i qytetit të Gjakovës, dëshmoi se nga gushti 1998 deri dikur më 1999, serbët granatonin fshatrat e komunës përditë si edhe gjatë natës. Gjithashtu dogjën banesat përreth dhe objektet fetare e kulturore. Dëshmitari Hani Hoxha deklaroi se afërsisht me 27 mars dëgjoi vrasjet e dy fqinjëve të tij, Shefqet Pruthi dhe Avni Ferizi, të cilët gjithashtu banonin në zonën e Kullës në Gjakovë. Hoxha kujtoi se si, pas sulmit në shtëpinë e Pruthit, të njëjtët njerëz kishin shkuar në shtëpinë e fqinjit tjetër, Avni Ferizi, të cilin gjithashtu e kishin qëlluar me armë për vdekje. Fuat Haxhibeqiri dëshmoi në lidhje me një numër shqiptarësh kosovarë të cilët u vranë në qytet gjatë bombardimit të NATO-s. Ai pa disa kufoma nëpër rrugë, por nuk kishte qenë vetë dëshmitar i këtyre vrasjeve. Kur u pyet për viktimat që kishte parë, ai dëshmoi se në mesin e tyre ishte Urim Rexha, i cili ishte qëlluar në kokë rreth 27 marsit 1999. Ai gjithashtu përmendi një numër kufomash të tjera të cilat i kishte parë nëpër rrugë në maj 1999, siç është shpjeguar në hollësi më poshtë.

Ngjarjet në lagjen e Qerimit, 1 dhe 2 prill 1999

Aktakuza pretendon se në fillim të prillit 1999, në lagjen e Qerimit, në qytetin e Gjakovës u vranë mbi 50 njerëz. Dren Caka, atë kosh vetëm 10 vjeç, ishte fshehur në podrumin e një banese së bashku me të afërm të tjerë, burra, gra e fëmijë. Ai rrëfeu se si rreth gjashtë policë serbë hynë në ndërtesë dhe e pyetën grupin e njerëzve në bodrum se a ishin me UÇK-në, gjë të cilën ata e mohuan.

Policët shtinë kundër të pranishmëve, së pari mbi Flaka Hoxhën, pastaj mbi nënën e saj dhe vajzën e tij foshnje, më tej mbi nënën e Cakës dhe më pasi shtinë gjithandej brenda dhomës. Edhe pse u plagos në krah, Caka shpëtoi dhe iku përmes dritares.

Të tre dëshmitarët dëshmuan se gjithsej 20 njerëz ishin vrarë nga armët e zjarrit, duke përfshirë edhe nënën dhe motrën e vogël të Cakës. Gjakovari Lulzim Vejsa humbi gruan, katër vajza, djalin, nënën, dhe motrën, ndërmjet të afërmve të tjerë të vrarë në këtë sulm. Hani Hoxha humbi gruan dhe dy vajza.

Provat kriminalistike në lidhje me këto vrasje janë përgatitur nga Dr. Eric Baccard, dëshmitar ekspert i paraqitur nga Prokuroria. Ai i mbështet konkluzionet e veta në lidhje me ngjarjet në rrugën “Millosh Gilliq” në një raport të përgatitur nga Dr. Ëilliam. Rodriguez III, i cili ekzaminoi kufomat në këtë vendngjarje dhe në varrezën e Gjakovës. Dr. Rodriguez konkludoi se, për shkak të djegies së madhe dhe copëzimit të kufomave, si dhe shpërndarjes së tyre, nuk ishte e mundur të përcaktohej numri i saktë i viktimave. Sidoqoftë, në raport ai konkludoi se “numri minimal i personave të raportuar… mund të shkojë deri në 20 individë”: një mashkull i moshës madhore, disa femra të moshës madhore, shumë “persona të moshës jomadhore” (fëmijë) dhe disa viktima të papërcaktuara. Në raportin e Baccard-it lexohet se për shkak se pjesët e kufomave ishin tejet të djegura dhe të skeletizuara, ishte e pamundshme të përcaktohej shkaku i vdekjeve apo lëndimeve.

Ngjarjet në qytetin e Gjakovës në maj 1999

Fuat Haxhibeqiri tha se kishte parë kufoma shqiptarësh kosovarë në qytetin e Gjakovës gjatë tërë fushatës së NATO-s. Prej 7 deri më 11 maj 1999, ai pa forcat paraushtarake dhe të policisë serbe kur hynë në pjesën perëndimore të Gjakovës dhe u vunë zjarrin disa objekteve private dhe plaçkitën disa dyqane. I pyetur për kufomat e viktimave të cilat i kishte parë personalisht, ai dëshmoi se, nga 7deri më 11 maj, kishte parë shtatë kufoma në distancë deri 50 metra nga shtëpia e tij dhe të gjitha kishin plagë nga armë zjarri. Ai e identifikoi njërin prej tyre si Ali Beqë Rama nga letërnjoftimi që e kishte pasur në xhep dhe mësoi se dy viktima të tjera ishin vëllezër me mbiemër Humaj, por nuk i dinte emrat e katër viktimave të tjera. Në një shteg afër shtëpisë së tezes/hallës së tij, ai pa edhe katër kufoma të tjera, njëra prej të cilave ishte e Florenc Sulejmanit; të gjithë ishin vrarë me armë zjarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat